Gjendet i vdekur në banesë shoferi i ambulancës / Refuzoi më parë të bënte tamponin

348
Sigal

Një shofer ambulance në Spitalin Rajonal të Beratit, ka gjetur vdekjen mbrëmjen e djeshme, si pasojë e një arresti kardiak i cili ishte izoluar në shtëpi me dyshimin se ishte i infektuar me COVID-19.

Shkëlqim Metolli, 60 vjeç, është gjetur i pa jetë në banesën e tij nga të afërmit.

Mësohet se Metolli kishte disa ditë që ndodhej me raport në shtëpi, për shkak se ishte i sëmurë.

Ai kishte shfaqur shenja të dukshme të Covid-19 dhe për shkak se jetonte i vetëm, familjarët i kishin kërkuar të bënte tamponin, por nuk kishte pranuar.

Disa ditë pas përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore, të cilën po e trajtonte në shtëpi me medikamente, Metolli ka pësuar një arrest kardiak dhe ka gjetur vdekjen.

Dyshimet se shoferi i ambulancës ishte i prekur nga Covid-19 janë hedhur edhe nga kolegët e tij dhe mjekët e spitalit, që konfirmojnë se ai kishte shfaqur edhe gjatë ditëve të fundit të punës shenja të lodhjes fizike dhe temperaturë të vazhdueshme.