Gëzim Tushi: Mendime rreth vëllimit poetik “Me gjuhën e zemrës” të poetit vlonjat Vullnet Bilbilaj

/Gazeta TELEGRAF

Njeriu dhe poeti

Sigal

Një kohë njohjeje reciproke prej rreth tre dekadash, ka qenë e mjaftueshme për mua që të njoh Vullnetin.  Më shumë si njeri, si intelektual, sesa si poet. Koha e solli që aty nga vitet 1995, të kemi jetuar për një kohë nën “një çati” të përbashkët.  Kjo rastësi ka qenë e domosdoshme, e cila e bashkuar tashmë me librin e tij poetik “Me gjuhën e zemrës”, më kanë ndihmuar për të bërë një rontgenoskopi sociale dhe poetike të plotë të personalitetit të shumëfishtë të mikut tim Vullnet Bilbilaj.

Në mënyrë të sigurt mund të deklaroj se intensiteti i njohjes me Vullnetin, më kanë krijuar bindjen e qëndrueshme, se ai para se të jetë poet është sintezë e njeriut me integritet social dhe human. Deri në kufijtë që ai nganjëherë të duket si “specie njerëzore” jashtë apo përtej kohës që jetojmë, mbi determinimet e ngushta turbulente, egoiste pragmatiste e merkantiliste  të “njeriut të fortë”, ziliqar, i pabesë, individualist, vetmitar, i izoluar, i etur vetëm për sukses personal, para, karrierë e dominim social. Pikërisht nëse me këtë sy e lexon tërë këtë vëllim poetik, fare kollaj kupton disa të vërteta thelbësore për poetin, personalitetin, shpirtin e tij poetik, burimet e gjera të frymëzimit  personal, diapazonin kohor vertikal dhe gjeopoetik horizontal, të cilat ndodhen të shkrira në mënyrë sinkretike në tërë diapazonin e larmishëm të poezive të librit “Me gjuhën e zemrës”.

Me këtë rast më lejoni që përtej konsideratave të përgjithshme, të bëj disa intervenime, vlerësime estetike e gjykime sintetike për vëllimin e tij poetik.

Duke e njohur nga afër autorin, duke i lexuar me kënaqësi veprën që kemi në duar, mua m’u krijua ideja se tani në Vlorë, kemi edhe një poet tjetër, të ri dhe me perspektivë në krijimtari, tek i cili temperamenti njerëzor dhe niveli i befasishëm i meditacionit poetic, janë të shkrira në një sinkronizim sintetik kontrovers. Them kontrovers , sepse është e habitshme, si është bërë e mundur sinteza midis natyrës së përmbajtur, nganjëherë të tërhequr me tipologji thellësisht introverte e poetit, të paktën kjo në dukje nga njëra anë, performancës sociale publike nga ana tjetër dhe bashkë me to shfaqja e një lloj ekstroversioni poetic, apo e këtij shpërthimi të dukshëm në poezinë e tij.

Me sa duket paska një lloj determinimi e metamorfoze që nuk mund të parashikohet deri në fund, sidomos në rastin kur njeriu bëhet poet. Është interesante që ajo që nuk duket shumë në jetën sociale të personalitetit të Vullnetit, befasisht është e shfaqur dhe tejet e dukshme, thelbësore në poezitë e tij. Nuk është fare befasi që përmes këtij vëllimi poetik, Vullneti nxori në dritë “anën tjetër”, përmes alteregos poetike që lidhet me konstituconin e tij shpirtëror, përgjithësisht të butë dhe meditativ.

Vëllimi poetik që kemi në dorë është një “fait accompli”, një fakt tashmë i kryer që zbulon befasinë e ekzistencës “poshtë lëkurës” sociale e spirituale të Vullnetit, njeriun e ndjeshëm poetik, që nuk është indiferent dhe nuk qëndron kontemplativ ndaj dukurive natyrore e fenomeneve të jetës shoqërore, që është qenie aktive që ndjen dhe mendon, që nuk e jeton jetën pasivisht në mënyrë lineare e stacionare, por integralisht, në mënyrë aktive e dinamike.

Libri është ndërtuar me strukturë kompakte dhe tematikë të larmishme, që fillon që kur poeti ka ndjerë kuptimet e para të jetës në fshatin e vet, deri sot që është një personalitet i jetës publike, profesionale e politike të qytetit tone. Kufijtë estetikë e tematikë të librit fillojnë që kur Vullneti ka qenë fëmijë fshati, i rritur pranë lumit, përmes arës me grurë, mes pyllit, botës shtazore të Romësit, e deri sot kur ka përjetime të tjera si bir, baba, bashkëshort, qytetar i angazhuar në jetën politike, qytetare e publike. Kjo kurbë, ky diapazon i gjërë i jetës sociale të personalizuar, është faktori determinant, burimi kryesor i tematikës aq shumë të gjerë e të larmishme të librit.

Në mënyrë të dukshme dhe në vlerësimin e parë tërësor të këtij vëllimi, duket qartë që poezia e Vullnetit është një sintezë organike, që nuk është krijuar dhe as nuk ekziston rastësisht, një “lëndë poetike” që nuk është pa themele të forta estetike e ambientale. Përkundrazi, unë mendoj se libri ka të mirat e shumta apo edhe ndonjë mangësi të natyrshme, të lidhur me procesin e rritjes dhe formimit të autorit, por ai ka një gjë që duket qartë dhe është e sigurt. Libri është pasqyrë  autentike e unitetit që ka autori, në lidhjen organike midis kordonit biologjik, ambiental dhe poetik. Përmes këtij kordoni tripërmasor  të aliazhuar, rrjedh limfa e gjerë poetike, shfaqen disa nga kredot poetike, verbi estetik i qëndrueshëm i poetit. Madje sipas mendimit tim të gjitha këto të lidhura, të integruara të shkrira në një “mënyrë të veçantë” në libër.

Vellimi poetik “Me gjuhën e zemrës” ka një opus letrar të zgjeruar, në të cilin autori shpreh, pasqyron idetë, shpirtin e tij të brishtë, duke elaboruar poezinë lirike dhe erotike, historike e patriotike, baritore dhe urbane, politike dhe aktuale. Në disa raste edhe poezinë pretencioze ekzistencialiste e filozofike, ambientaliste e urbane, me prani dinamike të njerëzve anonimë e të personalizuar, me ngjyra herë meditative e herë fare konkrete, me mesazhe të gjera e të qarta poetike, sociale e qytetare, me figuracione të matura, të përputhura organikisht me lëndën poetike që pasqyron.

Në kopertinë autori ka menduar dhe ka vënë sintagmën përgjithësuese për librin e tij “Vjershërime”. Jo se ka ndonjë gjë të keqe, as ndonjë konotacion inferioriteti estetik për përmbajtjen dhe formën e krijimeve të tij poetike. Por kur lexon vjershat dhe poezitë e tij, kupton se sintagma “vjershërime” është disi e pasaktë, e ngushtë në raport me tipologjinë e gjerë, që qarkullon lirshëm midis vjershërimit të thjeshtë dhe krijimeve të mirëfillta autentike poetike.

Këmisha artistike e librit të Vullnetit është e bollshme, për të pranuar vlerësimin e merituar të një poezie të mirëfilltë, e cila nuk ka nevojë as për droje as për “ambalazhe modestie” (që janë tipare thelbësore, kuintesenca e personalitetit të autorit si njeri). Meraku i autorit për të qënë modest, brenda thjeshtësisë njerëzore, larg gjykimeve pretencioze e ambicjeve të nxituara, ditirambeve të hipertrofizuara apo të parakohëshmë për të veten e tij, e ka menduar këtë sintagmë për të qenë korrekt, duke e mbajtur që në titull veten brenda staturës së “poetit të ri”. Gjykim i shëndetshëm është edhe ky, dhe kjo zgjidhje nuk e cënon fare përmbajtjen e veprës së tij poetike.

Por kur bën diagnostikimin estetik të poezisë së Vullnetit, kur shikon lidhjet e ngushta të natyrës meditative dhe aftësive të përgjithësimit poetik dhe estetik, duket aftësia e veçantë e Vullnetit për të bërë poezi, duke “manipuluar artistikisht” faktet, personazhet dhe ngjarjet e realitetit historik apo të ditës, ngjarje që vijnë nga jeta e përditshme e rëndomtë e jetës së njeriut të zakonshëm e deri tek alegoritë, metaforat e ngacmimet e thella ontologjike për jetën dhe njerëzit e shtresave të larta të botës politike apo ekstrapolitike.

Në këtë kontekst, në panoptikonin poetik, në observacionin metaforik të Vullnetit kalojnë e parakalojnë, nga njerëzit e tij të afërm e të dashur sikurse janë babai, nëna, morta, gruaja, djemtë, miqtë, shokët, por edhe kundërshtarët, ambiciozët, ziliqartët, të pandershmit, të korruptuarit.

Duke lexuar poezitë dallohet një veçori që është meritë evidente, sui generis e mjeshtërisë poetike qoftë edhe modeste, por e sigurt të autorit. Duket aftësia e krijimit të sinkroneve poetike të forta, të lidhura me jetën dhe përmes sintezave e lidhjeve kontekstuale të subjekteve poetikë, të para jo si epifenomene abstrakte e të kulluara, por si njerëz konkretë, kontekstalë, me mish e gjak, të lidhur me natyrën apo me diapazonin shumë të gjërë të ambienteve rurale, urbane apo metropolitane.

Kur i lexon poezitë e tij, qoftë kur ato janë dedikime nominale të caktuara për njerëz pothuaj konkretë, apo kur ndërton portretizime impersonale që mund të duken të imagjinuara, apo për njerëz të nënkuptuar, ata janë në mënyrë evidente, nga mënyra si i portretizon autori konkretë, bashkohës, bashkëpunëtorë, miq të dashur apo kundërshgtarë të heshtur e diabolikë, që janë në të njëjtën kohë ekzistentë dhe ekzistues në shoqërinë tonë në tërësi. Në këto poezi ndjen qartë shqetësimin e njeriut me materje të mirë sikurse është Vullneti si njeri, i drejtë, i ndershëm, i hapur, kameratesk. Dallohet statura unike e e poetit dhe uniteti i tij i pandarë si njeri konkret në jetë, por dhe si poet dhe autor i këtij vëllimi poetik të sukseshëm. Si njeri e kemi ditur me kohë se cili është Vullneti, por si poet po e zbulojmë dhe mësojmë tani që kemi vëllimin e parë të krijimtarisë së tij.

Po ndalem në disa prej poezive:

Në poezinë “Dashuro” autori ndërton një dikotomi artistike të unitetit të pamjes dhe thelbit të bukurisë dhe mendjes:

Veç hap sytë mos gënjehesh

Kur e puth shihi dhe mendjen

Interesante janë “Aforizmat” filozofiko poetike me substrat social dhe koherencë të problemeve dhe shqetësimeve morale që kalon shoqëria jonë.

Poezitë për babain dhe nënën i burojnë nga shpirti. Unë i kam njohur të dy, njerëz fisnikë. Babai i tij ishte një princ i vërtetë, një burrë gojë ëmbël, i drejtë dhe i dashur. Kam ngrënë bukë e kam pirë raki me të. Vullneti është pasqyrë e tij. Poezia “Mall për babanë” është është shumë e ndjerë, sinjifikative për raportet e vërteta të Vullnetit me babanë e tij.

Tek poezia “Babuçat”, Vullneti i trajton ullinjtë jo thjesht si pronë, por si simbol paqeje. Vullneti është e vërtetë që në jetë dhe në poezi i përkëdhel dhe vazhdimisht flet një për një me “Babuçat” e tij.

Një ditiramb shumë i bukur dhe tejet i ndjerë është poezia “Bashkëshortes time”. Poezi e rrallë për mënyrën si njeriu e ndërton “kushtetutën” e martesës dhe bashkëjetesës martesore. Kjo poezi me solli në mendje faktin, që unë kam qenë në “delegacionin” e përzgjedhur me kujdes të krushqëve për të marrë nuse, gruan dhe bashkëshorten e mirë të Vullnetit.

Por ka edhe shumë poezi të tjera me substrat të ngjeshur poetik si fjala vjen poezia “Moj kaninnjote e bukur” që është shumë e ndjerë. Dhe e dini pse? Sipas meje, sepse Vullneti është njeriu që beson tek bukuria dhe dashuria e vërtetë si një nga gjërat më sublime tek njeriu.

Në poezinë ‘Bilbilat e Romësit’ ai është treguar mjeshër i detajeve, duke unifikuar mesazhin poetik me identitetin material që e ka frymëzuar poetin. Tek poezia “Çobani”, jam dakord me Albert Abazajn, që vargu “këndon gërshëra në duar” është një metaforë, një gjetje e panjohur në poezinë baritore shqiptare.

Vullneti me poezitë e veta ka ndërhyrë shpesh në terrene të kategorive të kulluara estetike, por jo si estet por si poet. Në poezinë “E Bukura” ai ka një mesazh kompakt për kuptimin e së bukurës, që është kudo dhe shfaqet gjithandej, si thelb në rradhë të parë dhe jo për t’u dukur:

Po e bukura nuk është e bukur

Kur tundet e shkundet për t’u dukur

Poezitë baritore janë të shumta dhe të ndjera. Ato kanë tërë komponentët e natyrës, tërë variacionet e saj, të cilat autori i dedekton me vigjilencë estetike dhe i pasqyron bukur tek poezia “Dehje në natyrë” ose tek poezia “Këmborë dhe zile” në të cilat vargjet janë plot “elan vital”, (lëng jete), sepse është vetë poeti që e ka në gen, në ADN ndjesinë e lidhjes organike me natyrën e fshatit ku ka lindur.

Në poezinë “Gjithmonë nëna” që poeti e ka ndërtuar me shenjtërinë e një kushtetute, prerazi dhe pa hezitim thotë: Nëna nuk gjykohet!

Edhe fabulat i ka të bukura e me mesazhe të qarta. Ndaj shkruan:

Ndaj ti mik bëhu i zgjuar

Mos u sill sikur s’di hiç

Kur gomari të ka rrëzuar

Qysh mban shpresë te një kërriç?!

Ka shumë poezi me theks patriotik, “grackës” së të cilës nuk mund t’i shpëtojnë kurrë për arsyet e njohura të gjithë poetët vlonjatë, përfshirë dhe Vullnetin. E tillë është poezia “Vlora jonë”, e cila më shumë se poezi është një ditiramb patriotik, që ka vlerë në kohën e modës globale të mohimit të vlerave kombëtare në emër të luftës kundër “helmit” të nacionalizmit të ngushtë.

Poezia “Mos po rrëzohem” është nga më të bukurat. Nuk është disfatiste apo e frymëzuar nga idetë e filozofit të pesimizmit Arthur Schopenhauer, por një thirrje për më shumë kujdes në kohën e sotme, që është bërë tejet likuide, e rrëshqitshme, e rrezikshme, plot të papritura dhe befasi, në të cilat njeriu duhet të mësojë të ecë. Autori nuk ndërton një poezi manikeiste apo nuk bën filozofi relativiste, për betejën e përjetshme midis të “mirës” dhe të “keqes”. Poeti grish që njeriu në jetë të ketë busullën e qartë të orientimit në këtë botë kaotike, ku e qëndrueshmja po i lë vendin të përkohshmes dhe të paqëndrueshmes.

Në poezinë “Ata që duhen mundur” autori sjell besoj pa e ditur teorinë e lordit britanik Anthony Giddens për vlerat e njeriut me “pavëmendje civile” apo atyre që e shikojnë njeri tjetrin me urrejtje dhe që manfestojnë sjellje asociale e mënyra kundër urbane të komportimit social.

Në këtë rrugëtim meditativ filozofik e sociologjik është edhe poezia “Sa apo si rrojmë” që ka në thelb filozofinë ekzistencialiste për “kufijtë e jetës” dhe sigurimin e vazhduar të kuptimit të saj. Bilanci i pleqërisë, kthimi i kokës pas për të vlerësuar rrugëtimin personal të jetës. Apo goditja që autori i bën një lloj hipokrizie sociale, në vjershën “Ngushëllime cinikësh”, që bën fjalë për vesin e lavdërismit të njeriut, në kohën që atij i këndohet de profundisi i jetës. Në këtë optikë është gjithashtu poezia akuzë kundër agallarëve të partive, të cilën autori e ngre poetikisht, në përgjithësi, pa bërë diferencime por si qytetar. Shumë të bukura janë poezitë “Cigarja”, “Dashuria fal”, “Gjinkalla”. E shkëlqyer poezia animaleske “Edhe kuajt” që ka një mesazh të madh moral, poezia supererotike “Pasion”, e plot të tjera.

Lënda dhe vlerat e librit janë të gjëra, të pamundura të rroken në një diskutim promovues. Unë gjithnjë i besoj teorisë së sigurisë estetike sipas së cilës, në distancë gjërat duken më qartë. Në distancë do duken akoma më qartë vlerat e pamohueshme, por edhe ndonjë mangësi e mjeshtërisë artistike të poetit. Me siguri, atëherë do kemi edhe një gjykim akoma më të shëndoshë për vlerat e pamohueshme por dhe për probleme të përsosjes së poezisë së Vullnetit.

Megjithatë asgjë nuk bëhet me sikure. Ne sot kemi para syve tanë një krijimtari që meriton të vlerësohet. Natyrisht bashkë me “demiurgun poetik” krijuesin e saj. Në këto kushte nuk më mbetet gjë tjetër për të thënë, përveçse:

Urime i dashur Vullnet! Suksese në këtë rrugë! Qoftë pa kthim pas…