Gërryen shtratin e lumit Mat, arrestohet pronari i ekskavatorit, nën hetim shoferët e kamionëve

188
Sigal

Pronari i një ekskavatori është arrestua nga Policia në Mat pasi akuzohet se kishte gërryer shtratin e lumit Mat. Gjithashtu janë procedura penalisht edhe drejtuesit e dy kamionëve që transportonin inertet.

Në pranga është vënë Artur Lika, 40 vjeç, banues në Milot, Kurbin, pasi u konstatua duke gërryer me ekskavator shtratin e lumit.

Nën hetim janë vënë Shyqyri Shuaipi, 39 vjeç dhe Dashamir Zenelaj, banues në Tiranë, drejtuesit e mjeteve kamion që shërbenin për transportimin e inerteve, si dhe inspektori Aleksandër Uku.

Njoftimi i policisë:

Vijojnë kontrollet intensive nga shërbimet e Policisë në DVP Lezhë dhe të Komisariateve në varësi, për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore.

Gërryenin shtratin e lumit në mënyrë të paligjshme, arrestohet në flagrancë pronari i ekskavatorit, procedohen penalisht 2 drejtuesit e kamionëve që transportonin inertet.

Gjithashtu, procedohet penalisht inspektori për Ujërat në Drejtorinë Rajonale të Mjedisit Lezhë, për shpërdorim detyre. Bllokohen mjetet e rënda ekskavatorë që shërbenin për të gërryer shtratin e lumit Mat, 2 kamionë me inerte dhe një automjet.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, shërbimet e DVP Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kurbin, bazuar edhe në informacionet e marra për disa persona që gërryenin shtratin e lumit Mat, duke marrë zhavorr dhe inerte në mënyrë të paligjshme, kanë ushtruar kontrolle përgjatë shtratit të lumit.

Gjatë kontrollit u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi A. L., 40 vjeç, banues në Milot, Kurbin, pasi u konstatua duke gërryer me ekskavator shtratin e lumit.

Gjithashtu u kapën dhe u proceduan penalisht shtetasit Sh. Sh., 39 vjeç dhe D. Z., banues në Tiranë, drejtuesit e mjeteve kamion që shërbenin për transportimin e inerteve pa dokumentacionin përkatës, të cilët u sekuestruan nga shërbimet e Policisë.

Po në vijim të veprimeve u procedua penalisht edhe shtetasi A. U., 54 vjeç, banues në Lezhë, më detyrë inspektor për Ujërat në Drejtorinë Rajonale të Mjedisit Lezhë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi nuk ka ushtruar kontrollin konform ligjit për inspektimin, monitorimin dhe kontrollin e subjekteve në shtratin e lumit Mat.

Strukturat vendore të Policisë Lezhë janë të angazhuara maksimalisht për evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore.

Kontrollet do të vijojnë për evidentimin dhe penalizmin e çdo subjekti që tenton të marrë inerte pa leje në shtratin e lumit Mat apo që kryen krime mjedisore, si ndërtime pa leje, prerje të paligjshme të pyjeve, ndotje të ambientit dhe lumenjve apo zjarrvënie të qëllimshme në pyje dhe kullota.