Genci Resuli: Si janë realizuar me sukses në TOB kryeveprat botërore “Traviata”, “Bohema”, “Berberi Seviljes” , “Toska” e Puçinit, baletet “Lola” i Vasilienkos, “Arrëthyesi” i Çajkovskit

130

Flet Genci Resuli inspektorit të skenës në TOB: Teatri Operas ishte një ”kombinat artistik” me shumë “fabrika”

Sigal

Si u prezantova me Rifat Teqjen, Ermir Krantjen, Panajot Kanaçin, Agim Krajkën, Xhemal Laçin, Rozmari Jorganxhi, Agron Aliajn, e solistët lirik, “Na bashkoi kënga popullore”

-Nuk harroj Nikolla Zoraqin në baletin “Shota dhe Azem Galica” me libret të Dritëro Agollit, koreografi të Panajot Kanaçit

-I veçantë Tish Daia në baletin “Halili dhe Hajria” me libret dhe koreografi të Panajot Kanaçit

-Plot surpriza Avni Mula në operan “Borana” me libret të Gjergj Zhejit, regji të Dhimitër Pecanit

-Nostalgji për Fehim Ibrahimin me muzikën në baletin “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”, libreti nga Ismail Kadare me koreografi të Agron Aliajt

-Vaji i një vdekjeje i një të riu në Tropojë, Panajot Kanaçi: “unë e njihja gjamën, por sot e pash…, do ta bëj film

-Si Muharrem Shtylla dhe Pirro Mani më prezantuan detyrën e inspektorit të skenës në Teatrin Popullor

-Si më caktuan të bëja bënte apelin e trupës artistike të Teatrit Popullor ku ishin 56 aktorët më të mirë të kombit

-Dridhesha kur artikuloja emra si Sulejman Pitarka, Violeta Manushi, Margarita Xhepa, Robert Ndrenika, Roza Anagnosti, Roland Trebicka, Reshat Arbana, Agim Qiriaqi, Bujar Lako, Yllka Mujo, Ndriçim Xhepa, Ahmet Pasha, Anastas Kristofori, Pavlina Mani

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Një jetë të tërë mes dy insitucioneve më të rëndësihme të artit dhe kulturës shqiptare, TOB dhe TP. Ka kujtime të pabesushme me të gjithë korifejtë e artit shqiptar “Kam arsye të besoj se përgjithësisht, jeta e çdo individi është e parashkruar dhe kjo nuk ka të bëjë me besimin, por me traditën familjare, edukimin, personalitetin, arsyetimin, kërkesën për të parë bukur dhe pse jo, seç m’u kujtua një shprehje e Giordano Brunos kur thotë se nëse keni fatin në anën tuaj mund të mbijetoni edhe pa mëndjen. Kështu e fillon bisedën i talentuari, inspektori i skenës,  Genci Resuli…Dhe në këto dy institucione ai punoi jo pak por 39 vjet. Gjysmë shekulli.  Flitet atë kohë kur puna nuk kishte orar dhe puna jashtë orarit nuk paguhej. Madje edhe kur shkonin jepnin shfaqje nëpër fshatra në rrugë pa rrugë, rroga ishte po ajo. Ishte një kohë kur artistët vlerësonin artin dhe jo paranë. Ndaj ata sot shihen si të pavdekshëm, si specie në zhdukje. Ndaj ata kanë lënë pas, role, këngë, balete, apo koncerte që koha i lartëson. Ata koha nuk i ka çuar në harresë por në pavdekësi…Njëkohësisht në këto vende pune Genci ka qenë edhe fotograf edhe propogandist, ku dhe fotot e këtyre intervistave janë realizuar nga vetë ai.

-Keni një jetë interesante e cila lidhet me dy nga institucionet më të rëndësishme të artit dhe kulturës shqiptare, TOB dhe Teatri Kombëtar. Si gjeti rrugën jeta juaj në këto dy insticione madhore që mbetet ëndërr e çdo artisti? Si u formuat deri sa  trokitët në këto dyer?

Jeta ime është një shëmbull për ç’ka thashë më lart…Pasi mbarova Liceun Artistik, ishte rregull që duhet të bëje stazhin dhe unë u emërova në Kooperativën Bujqësore të bashkuar në Krutje të Lushnjes. Pra nga bangat e shkollës dhe rrugët e Tiranës u përballa me një tjetër realitet, atë të një kooperative bujqësore ku ndjenja e mërzitjes nuk zgjati shumë, pasi ajo me të cilën u ndesha ishte krejt ndryshe. Në atë fshat kishte një pallat të madh kulture me një sallë 500 vendeshe, me një jetë artistike të lavdërueshme, kishte një ekip volejbolli femrash që pretendonte për titullin kampion, kishte gjimnaz, kishte jetë aktive, njerëz të mirë e të shkolluar dhe duke qënë një fshat ku kishin lindur disa udhëheqësa të lartë partie ishte e përkedhelur në shumë drejtime. Ndjehesha mirë dhe krahas punëve me kulturën dhe librin fillova të merrem me pasionin e brendshëm timin, kompozimin e këngëve për grupin artistik që do të ishte fillimi i një krijimtarie dhe që me kalimin e kohës u shtri edhe nëpër aktivitete kombëtare si në anketa muzikore, dekada maji, ansamblin e ushtrisë, festivale rrethesh e fëmijësh etj. Isha harruar në atë realitet dhe më pëlqente statusi me të cilin jetoja. Prindërit e mi nuk ndjeheshin mirë me mungesën time të gjatë si dhe familjaritetin që kisha krijuar unë, me atë mënyrë jetese. Shfrytëzuan njohjen që kishin me familjen e Xhemil Simixhiut drejtor i Teatrit te Operas e Baletit dhe unë një ditë prej ditësh u gjenda në zyrën e tij për një bisedë ( që sot quhen intervista ) dhe pas saj m’u ofrua vendi i punës në teknikën e T.O.B. it.

-Pra në TOB. Një ëndërr e madhe. Si ishte dita e parë? Cilat ishin impresionet. Takimi i parë me personalitete…

U riktheva jo thjeshtë në rrugët e Tiranës, por në qëndrën më të madhe të kulturës dhe artit shqiptar. Më kujtohet dita e parë në atë institucion kur sapo hyra dhe ecja në koridoret e saj, gjithë qënien time e përshkoi një adrenalinë e krijuar nga tingujt e ardhur nga të gjitha drejtimet. Ishin tingujt e pianove shoqëruese të baletit apo zërave brilant të solistëve, ishte harmonia e mjeshtrave të korit, tingujt e daulles, magjia e orkestrës sinfonike…ishte një ndjesi e jashtzakonshme. Kam punuar në skenë, kam punuar si fonist, kam punuar si menaxher i lëvizjeve të trupave në rrethe, kam punuar si asistent inspektor skene dhe mund të them me plot gojën se ai nuk ishte thjeshtë një institucion, ai ishte një ”kombinat artistik” me shumë “fabrika”, si ajo e orkestrës sinfonike, me drejtues Rifat Teqjen e Ermir Krantjen, e ansamblit popullor me Panajot Kanaçin, Agim Krajkën e Xhemal Laçin, e korit me drejtuese Rozmari Jorganxhi, e baletit me Agron Aliajn, e solistëve lirik, e kompleksit “Na bashkoi kënga popullore”, e teknikës dhe administratës, që çdo ditë të javës shfaqnin para publikut jo vetëm kryeqytetas krijimet e tyre artistike me sallat përgjithësisht plot. Gjatë 6 viteve të punës sime në atë institucion 1981- 1986 kam patur fatin të jem pjesëmarrës në premierat e T.O.B. ku kompozitor, koreograf, regjisor, skenograf, këngëtar e kërcimtar të spikatur shpalosnin formimin dhe talentin e tyre artistik.

-Pra emocione, ndjesi, takime, shfaqje me vlera. Emra të mëdhenj…Sigurisht ke aq shumë kujtime sa duhen kohë ti përcjellësh. Ndoshta muaj…. Por cilat janë ato më pikantet? Më të bukurat? Ato që je ndjerë si rrallë herë në jetë?

Po rendis disa nga ato krijime me aq sa në memorien time kanë lënë gjurmë…Pjetër Gaci me muzikën në operan “Toka jonë”, regjisor Ndrek Luca dhe skenograf Bashkim Ahmeti.Çesk Zadeja në baletin “Para stuhisë”, libreti i Engjëll Tërshanës, koreograf Agron Aliaj e skenograf Gjergj Marko. Nikolla Zoraqi në baletin “Shota dhe Azem Galica” me libret të Dritëro Agollit, koreografi të Panajot Kanaçit e skenografi të Ksenofon Dilos. Tish Daia në baletin “Halili dhe Hajria” (rivënie) me libret dhe koreografi të Panajot Kanaçit dhe skenografi të Shaban Hysës, baleti “Joniada” me Nikolla Zoraqin, Panajot Kanaçin e Ksenofon Dilon. Avni Mulën në operan “Borana” me libret të Gjergj Zhejit, regji të Dhimitër Pecanit e skenografi nga Hysen Devolli, nuk mund të mungonte në elitën e këtyre artistëve kaq të mëdhej, që për mendimin tim nuk vijnë më Fehim Ibrahiminme muzikën në baletin “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”, libreti nga Ismail Kadare me koreografi të Agron Aliajt dhe skenografi nga Naxhi Bakalli.

-TOB ka qenë dhe mbetet një institucion me aq vlera sa është vlerësuar dhe jashtë vendit. Aty janë luajtur dhe kryeverpat botërore artistike. Cilat prej tyre do të veçosh?

Por në repertorin e këtij institucioni krahas veprave kombëtare të cilat do të mbesin në fondin e artë të kulturës shqiptare u interpretuan me pikatore edhe kryevepra botërore si operat “Traviata” e Verdit, “Bohema” e Puçinit, “Berberi Seviljes” i Rosinit, skena nga opera “Toska” e Puçinit, baletet “Lola” i Vasilienkos, “Arrëthyesi” i Çajkovskit. Ndoshta kam harruar diçka, por atë që s’e kam harruar dhe do të mbetet tek mua sa të kem jetë është serioziteti dhe interpretimi i një klasi shumë të lartë i mjeshtrave të Teatrit Operas dhe Baletit.   Ndjeheshe në një gjendje sureale kur shikoje Gaqo Çakon, që dridhej përpara se të dilte para publikut dhe sapo futej në skenë transformohej në një mrekulli, ishte i jashtëzakonshëm interpretimi dhe vokali i tij. Kur shikoje Vaçe Zelën, që një orë përpara shfaqjes humbiste në botën e saj dhe nuk komunikonte me asnjë njeri, as me sy jo, ndërkohë që në skenë magjia e saj të krijonte një ndjesi të papërsëritshme, dhe të rrëmbente në të gjithë qënien tënde. Kur shikoje Ramiz Kovaçin që edhe në orët e para të mëngjesit kur salla ishte bosh, shmangej të kalonte se i krijonte arritmi. Si mund të harrohet Ilir Kerni, Albana Sulejmani, Edit Mihali, Tatjana Kora, Agim Krajka, Zeliha Sina, Rifat Teqja, Ermir Krantja, Besim Zekthi, Lili Cingu apo orkestra me spalat Gëzim Laro e Jani Papadhimitri, kori një personazh i rëndësishëm i operave me zëra të spikatur në të gjithë sektorët. Të trëmbnin me zërin e tyre basët Kaman Aliko, Petrika Rrëmbeci, apo Jaku, Xhafa, Marku, po kishte edhe një ekip futbolli me trainer këngëtarin Xon Eshja…atmosferë fantastike.

-Jo vetëm brenda korridoreve dhe sallave të TOB por edhe në shfaqjet nëpër qytete të tjera të Shqiëprisë besoj se keni shumë kujtime. Sigurisht dhe situate të veçanta apo ngjarje që nuk hiqen lehtë nga kujtesa.  Cilat do veçosh?

Kam shumë kujtime, por ajo që më shfaqet më shpesh është një ngjarje, në kuptimin e vërtetë të fjalës, që ka ndodhur në “Bajram Curri” me maestro Panajot Kanaçin. Ishim në kafe me shumë pjestarë të ansamblit dhe vjen drejtori i pallatit të kulturës dhe në bisedë e sipër thotë se në Tropojën e vjetër ka vdekur një djalë i ri (në atë kohë ishte e rrallë vdekja e një të riu) dhe ritet e asaj zone janë të pazakonta. Panajoti e ndërpret dhe i thotë më ndihmo të shkoj atje. Rezistenca e drejtorit dhe e jona ishte e kotë se maestro ishte shumë i vendosur. Na mori zvarrë nja dy prej nesh dhe pas nja gjysëm ore u gjendëm në stolat përpara shtëpisë ku kishte rënë morti. Na mirëpritën dhe na shërbyen sipas zakoneve të tyre. Ndjehej se dhimbja e tyre ishte shumë e madhe. Dhe ajo që na gozhdoi dhe na la pa frymë, ishte se gjëma filloi me britma shumë të forta të grave dhe burrave, që vazhdoi me tre katër gra, që bërtisnin çirnin faqet dhe dukej sikur shkulnin flokët. Ishte e tmerrshme! Panajoti ishte ngritur nga stoli dhe kishte zënë një vend ku mund të shihte më mirë, ishte zverdhur i tëri. Kur mbaroi, erdhi u ul dhe nuk komunikoi fare me ne. Pasi kaluan nja dy orë dhe ne ndjenim se po rrinim kot dhe ishim shumë të mërzitur, i kërkuam disa herë të iknim por: “as që bëhet fjalë”- thoshte. Pas disa minutash filloi prapë i njëjti ritual me britma, por këtë rradhë nga të gjithë pjesmarrësit, burra, gra, fëmijë, pleq dhe në vend të grave dolën nja katër apo pesë burra që diçka me britma thonin dhe përplasnin grushtet në gjokset e tyre dhe dukej sikur shkulnin qimet e gjoksit. O zot ishte e frikshme, se nuk dinim çfarë do të ndodhte. Situata kaloi në gjendjen normale të mortit. Ne vazhdonim t’i kërkonim maestros të largoheshim dhe përgjigjja ishte e njëjtë, “as që bëhet fjalë”. Pas pesë orësh doli arkivoli me gjithë njerëzit dhe ne të lodhur e të mërzitur morëm rrugën e kthimit, ndërsa Panajoti kishte ndërprerë komunikimin me ne, tundte kokën dhe shpesh thoshte, “unë e njihja gjamën, por sot e pash…, do ta bëj film :…Nuk e bëri as film, as balet dhe arsyet i di vetëm ai.

Situata nga më të bukurat. Ke punuar me personalitet më të larta të artit dhe kulturës shqiptare. Po përse u larguat nga TOB? Ju larguan apo ishte dëshira juaj? Përse kaluat në Teatrin Kombëtar? Mos vallë aty kishte më pak përgjegjësi dhe punë?

Jo! Nuk ishtin këto arsyet…Në premierat e T.O.B. siç e thashë më lartë, por edhe në aktivitete të ndryshme, pjesëmarrës ishin edhe shumë artistë të Teatrit Popullor, me të cilët unë kisha marrëdhënie shumë të mira. Një ditë prej ditësh, drejtori i Teatrit Popullor. Muharrem Shtylla, Fadil Kujofsa, e Shaban Hysa më ofrojnë vendin e inspektorit të skenës. Ishte e papritur dhe unë e konsiderova një sfidë të vështirë, por pse jo edhe të bukur dhe duhej të ktheja një përgjigje, nuk kisha luksin të hezitoja. Nuk u mendova gjatë. Do të ishte ngritje në detyrë, por dhe emrat e mëdhenj të atij institucioni me joshën për të vendosur pa mëdyshje. Të nesërmen u paraqita pranë zyrës së drejtorit të teatrit dhe në prani edhe të Pirro Manit u njoha me detyrat funksionale dhe midis të tjerave ajo që më shtangu ishte se inspektori i skenës duhej të bënte apelin e trupës artistike. Nuk kishte mundësi alternative për diskutim. Duke pasur parasysh emrat e mëdhenj të atij teatri dhe për të respektuar figurat e tyre vendosa të ndryshoj, së pari paraqitjen time sportive dhe të nesërmen në prezantimin përpara trupës unë isha i veshur me kostum dhe kollare. Përpara kisha 56 aktorë dhe për mua ishte shumë emocionuse që do të isha kolegë me ta dhe do të thërrisja në apel emra të famshëm dhe ata të konfirmonin prezencen e tyre. Po artikuloja emra si Sulejman Pitarka, Violeta Manushi, Margarita Xhepa, Robert Ndrenika, Roza Anagnosti, Roland Trebicka, Reshat Arbana, Agim Qiriaqi, Bujar Lako, Yllka Mujo, Ndriçim Xhepa, Ahmet Pasha, Anastas Kristofori, Pavlina Mani dhe padiskutim të gjithë organikën e atij teatri pasi për mua ata ishin një ekip i madh yjesh. Nuk mund të ishte ndryshe se teatri është një art specifik, një ansambël ku shumë e rëndësishme është loja e partnerit. Kurrë nuk mund të jesh i madh me një partner të vogël. Shekspiri thotë se edhe ai që i vendos pelerinën Hamletit është shumë i rëndësishëm pasi një i paaftë do ta zhvlerësonte figurën e tij. Kështu i tha Piro Mani një gazetari të “Zërit të Popullit”, kur ai e pyeti a ka të paaftë në teatër.

-Një detyrë e vështirë….Do përballeshe me korifejtë e aktrimit shqiptar, madje çdo mëngjes do lexoje emrat e tyre. Si ishte një ditë pune në këtë profesion të ri?

Detyra ishte e vështirë, por me plot adrenalinë pasi do duhej të organizoje e menaxhoje të gjithë aktivitetin artistik, që zhvillonte teatri në atë kohë, duke filluar nga provat, turnetë, shfaqjet e fshatit, bashkëpunimin dhe bashkëveprimin me Kinostudion për të bashkërenduar që aktorët në shfaqjet e teatrit të mos kishin përplasje me xhirimet e stafeve të filmave, bashkëpunimi me radio Tiranën për emisionin Teatri në Mikrofon, dhe shfaqjet nga e marta deri të dielën, ku herë pas here kishte edhe paralele. Një institucion me shkallën më të lartë të seriozitetit, të pasionit, të debatit artistik, të vlerësimit të figurës artistike dhe përulësisë përpara publikut. Një institucion i dashur nga publiku, që mbushte sallat në gjithë Shqipërinë.

Nesër do lexoni:

-Kadri Roshi në rol ishte shumë strikt nuk falte asnjë gabim

– Për herë të parë në premierën e dramës “Shkallët” futëm elementin foto në poster me portretet e Kadri Roshit dhe Robert Ndrenikës

-Në fshatra ekipi ynë i teatrit me teknikë, ndriçim, foni, aktorë, kishte më shumë njerëz sesa ata që vinin të na shihnin të lodhur nga puna

Në planin vjetor  T.P kishte 100 shfaqje fshati dhe kjo nuk mund të diskutohej pra artistët më të mëdhenj në fshat.

-Piro Manit i kërkova t’i heq shfaqjet e fshatit. “Genci kërkon shumë nga jeta…Si është koha sot?- më tha

– Kam parë Ndriçim Xhepën duke pështytur gjak pasi nga mëngjesi deri mbasdite xhironte shoferin në filmin “Flutura në kabinën time” në borën dhe ngricën e Librazhdit dhe në darkë vinte pas dy orësh rrugë dhe luante në Teatrin Kombëtar Romeon e Shekspirit.