Gazeta Telegraf/ Bashkia e Durrësit zhvilloi takimin ndërkombëtar në kuadër të projektit IN.TO.EU për çështjet e emigracionit

633
Kompleksitetit të çështjeve të emigracionit dhe pranimi i diversitetit në Bashkimin Europian
Bashkia Durrës në partneritet me Bashkitë Palazzo San Gervasio Itali, Teruel Spanjë dhe Olimpia e lashtë Greqi, është në fazën e zbatimit të projektit  IN.TO.EU (Inclusive towns in action for a shared European strategy of inclusion),  projekt ky i financuar nga programi komunitar i Bashkimit Europian “Europa për qytetarët 2014-2020”.  Ky projekt ka në fokus fenomenin e emigracionit në nivel europian dhe lokal duke synuar kështu përmirësimin e pjesëmarrjes demokratike në proceset vendim-marrëse të BE-së nëpërmjet promovimit të dialogut si dhe rritjes së shkallës së ndërgjegjësimit ndërmjet aktorëve privatë dhe publik në nivel lokal dhe evropian.  Për më tepër, ky projekt ka si qëllim dhënien e sugjerimeve dhe propozimeve të ndryshme lidhur me kapacitetet manaxhuese në nivel lokal për pritjen e parë të emigrantëve, aspektet ligjore si, mjetet dhe qasjet e duhura për integrimin e tyre në vendin pritës. Objektivat specifikë të projektit janë promovimi i një bashkëjetese në harmoni dhe tolerancë, me pranimin e diversitetit duke i dhënë frymë një bashkëjetese integruese, nxitja e qytetarisë në nivel lokal duke promovuar mundësitë për angazhimin shoqëror, ndërkulturor dhe vullnetarizmin, kontribuimi për ndërgjegjësimin  qytetar  në nivel  lokal mbi njohjen e kompleksitetit të çështjeve të emigracionit, të historisë dhe pranimit diversitetit në Bashkimin Evropian. Rezultatet e këtij projekti do të përmblidhen në një dokument i cili do të vihet në dispozicion të Komisionit Europian. Në kuadër të zbatimit të projektit IN.TO.EU, u organizua në Bashkinë e Durrësit një takim ndërkombëtar ku merrnin pjesë zv/kryetari i Bashkisë së Durrësit Zhuljen Varfaj, prefekti Roland Xhelilaj, drejtoresha e drejtorisë së azilimit në Ministrinë e Brendshme Alma Mele, përfaqësues të institucioneve vendore e qendrore, përfaqësues të bashkive italiane, spanjolle e greke partnerë në projekt, OJF si dhe qytetarë të Durrësit. Ky takim ndërkombëtar kishte për qëllim promovimin e bashkëpunimit midis realiteteve lokale të vendeve të ndryshme të Evropës. Në fjalën e tij zv/kryetari i Bashkisë së Durrësit Zhuljen Varfaj deklaroi: “Qyteti ynë ka qenë dëshmitar i menaxhimit me humanizëm dhe sukses të situatës së emergjencës në vitin 1999, kur Shqipëria hapi dyert për afro gjysmë milion njerëz të larguar nga Kosova si pasojë e gjenocidit serb. Sot, kriza e emigrantëve që ka prekur Europën, është  një  çështje që na prek të gjithëve dhe që kërkon marrjen e masave konkrete dhe ndihmesën financiare me qëllim rritjen e kapaciteteve menaxhuese dhe organizuese për përballimin e situatave të emergjencës. 
Kompleksiteti i emigracionit
Në të vërtetë, fenomeni i emigracionit është shumë kompleks, pasi detyrimisht përfshin edhe institucionet e pushtetit vendor duke qenë se këto të fundit janë në marrëdhënie të ngushtë dhe të drejtpërdrejtë me qytetarët. Duke pasur rolin e partnerit në këtë projekt dhe në vazhdim,  Bashkia Durrës do të jetë në koordinim të plotë me Qeverinë Shqiptare dhe Bashkimin Europian duke bashkëvepruar me solidaritet dhe humanizëm përballë kësaj krize. Duke gëzuar të drejtat dhe detyrimet e një shteti kandidat për t’u bërë pjesë e Europës së Bashkuar, Institucioni i Bashkisë  Durrës do të  kontribuojë me të  gjitha kapacitetet e saj me qëllim promovimin e një bashkëjetese harmonike, që pranon diversitetin dhe integrimin paqësor në  komunitet. Zbatimi i këtij projekti ka një  rëndësi të veçantë  sepse ka si qëllim ndarjen e praktikave më të mira midis vendit tonë dhe vendeve anëtare të BE-së, duke promovuar në të njëjtën kohë shkëmbimin e eksperiencave midis qytetit tonë edhe qyteteve të  tjera europiane. Jam besim plotë që masat që do të ndërmarrë qeveria shqiptare me ndihmën e Bashkimit Europian do të luajnë një rol të konsiderueshëm në përshpejtimin e hapave drejt anëtarësimit në BE, dhe me zbatimin e këtij projekti shpreh kënaqësinë time të plotë që Bashkia Durrës ka rolin e saj në  këtë proces”. Në këtë takim u bashkëbisedua mbi praktikat më të mira nga shtete me përvojë në këtë çështje si Greqia, Spanja dhe Italia për të kontribuar në ndërtimin e një procesi përfshirës dialogu midis institucioneve private/publike dhe shoqërinë civile në lidhje me pritjen e parë në rastin e një fluksi të mundshëm të emigrantëve. Për më tepër, gjatë këtij takimi u analizuan edhe aspektet ligjore, mjetet si dhe qasjet e përdorura gjatë procesit të bashkëveprimit dhe integrimit. Gjithashtu, u hodhën edhe sugjerime dhe propozime për të përmirësuar gjithnjë e më shumë menaxhimin e pritjes  së parë të emigrantëve si dhe integrimin sa më të mirë të tyre në vendin pritës. Bashkia Durrës, gjatë muajit korrik 2016, ka organizuar takimin e parë lokal në kuadër të projektit IN.TO.EU, me qëllim ndërtimin e një dialogu të përbashkët të orientuar në çështjen e emigracionit, veçanërisht e fokusuar në bashkëpunimin midis institucioneve publike/private në nivel lokal lidhur me pritjen e parë të emigrantëve. Temat kryesore që u diskutuan në takimin lokal ishin me një rëndësi të veçantë për sa i përket masave dhe planeve të veprimit për t’u ndërmarrë në raste të mundshme të fluksit të emigrantëve dhe në raste të një situate emergjente.
Sigal