‘Furnizonte’ Beratin me kokainë, si ra në pranga 36-vjeçari. Në makinë iu gjetën…

82
Sigal

Shiste doza të lëndës narkotike kokainë, arrestohet 36-vjeçari në Berat. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se pas hekurave ra shtetasi me inicialet A.B., banues në Kuçovë.

Mësohet se në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 140 000 lekë të rinj dhe 240 paund të përfituar nga kjo veprimtari kriminale, një sasi lënde narkotike kokainë (e ndarë në doza të gatshme për shitje), si dhe 2 celularë.

NJOFTIMI I POLICISE
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Berat, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme kundër veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, si dhe me mbështetjen e inteligjencës policore, për një rast të shitjes në doza të drogave të forta, kanë organizuar dhe finalizuar, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Berat, operacionin policor të koduar “Përfitimet”, si rezultat i të cilit u arrestua shtetasi A. B., 36 vjeç, banues në Kuçovë.

36-vjeçari u kap në flagrancë, në aksin rrugor “Dimal-Poshnje”, teksa mbante në automjetin me të cilin qarkullonte një sasi lënde narkotike kokainë, të ndarë në dhjetëra doza të gatshme për shitje. Dozat e lëndës narkotike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me 2 celularë dhe me shumat 140 000 lekë dhe 240 paund që dyshohet se janë përfituar nga shitja e dozave të lëndës narkotike kokainë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.