Katër fakte, që tregojnë “faqen e zezë” të qëndrimit të “Rilindjes” ndaj komunitetit Rom

327
Përparim HALILI
Qindra raporte zyrtare false, që flasin për integrimin e romëve, por që fshehin shpërfilljen dhe “internimin” e tyre
Trajtimi i Komunitetit Rom në Shqipëri për t’i integruar në jetën publike është aq fals, diskriminues e barabar, sa prej romëve nuk quhet “integrim” por “internim”, për shkak se nuk gëzojnë asnjë të drejtë minimale si qenie njerëzore, përveç lirisë për të lypur e jetuar në baraka me konstruksion e kushte mesjetare, duke mbetur simbol të varfërisë ekstreme. Çfarë është bërë për këtë komunitet? Po përmendin 3 fakte: 

1. Në Shqipëri veprojnë 174 shoqata që përlajnë 3 milionë euro në vit, prej fondeve që akordojnë BE, PNUD, BB dhe Qeveria Shqiptare, për trajtimin e problemeve sociale të Komunitetit Rom. 
2. Komuniteti Rom, ka kërkuar që fondet për ta, të administrohen prej tyre e jo prej shoqatave hajdute që bëjnë projekte sociale e financiare false, të mbushura me firma, fotografi, filmime e incizime fëmijësh dhe familjesh rome, për të marrë fonde që nuk shkojnë tek romët, vlera e të cilëve në 20 vitet e fundit është 75 milionë euro. 
3. Raporti zyrtar i “Rilindjes”, i paraqitur 5 ditë më parë në KiE, lidhur me plotësimin e kushtit për respektimin dhe plotësimin e të drejtave të Komunitetit Rom në Shqipëri, kishte këtë deklarim: Qeveria shqiptare, në krahasim me vitin 2013 ka plotësuar gjithë detyrimet bazë të Komunitetit Rom në Shqipëri, lidhur me arsimimin, shërbimin shëndetësor, trajtimin me shërbim çerdhe kopshte fëmijësh, strehimin, punësimin, ushtrimin e të drejtave të plota për të qenë pjesë prioritare e pranimit në administratën publike… 
Dihet, që për trajtimin e romëve është folur shumë nga qeveria dhe shoqatat në këto 4 vite, por nuk është bërë asgjë për asnjë zgjidhje sociale-ekonomike të tyre, siç ka ndodhur në 25 vitet e fundit. Romët nuk janë ndihmuar dot as nga shoqatat e tyre, për shkak të shpërfilljes nga shteti dhe pushtetet e çdo qeverie, ndërkohë që janë lejuar të përfitojnë qindra Organizata Jofitimprurëse, të lidhura me shtetarë e familjarë të tyre. Kujtojmë, që kryeministri Rama ka shkuar tek romët dhe i ka rënë gërnetës bashkë me ta në kohë fushate elektorale, por pasi ata i kanë dhënë votat, kanë vazhduar t’i “bien daulles” së halleve të tyre të lëna pa u zgjidhur. Pa bërë komente, po publikojmë 4 fakte konkrete të shpërfilljes, talljes, diskriminimit dhe denigrimit që u bëhet romëve edhe prej “Rilindjes”…
Pogradec/ Policia u bllokon romëve karrocat e kanoçeve, u kërkon pajisjen me targa 
Katër ditë më parë, na erdhi një letër në redaksi, dërguar prej disa familjeve rome të cilat jetojnë në gërmadhat, barakat dhe tunelet e ish-Minierës së “Guri-Kuq” në Pogradec. Ata ankohen për policinë e shtetit në këtë qytet e cila i bllokon në përpjekjet e tyre për të siguruara bukën e përditshme, duke mbledhur kanoçet nëpër rrugë e kosha plehrash. Sipas letrës ë tyre, Policia Rrugore e Pogradecit, nuk i lejon romët të qarkullojnë me karroca, duke ua bllokuar. Veprimi i policisë nuk ka lidhje me “mjedisin”, por me një urdhër absurd të dhënë prej shefave, si shkak për t’u bllokuar karrocat. Policia u kërkon romëve, që karrocat e kanoçeve, letrave, hekurishteve e gjithçkaje që atyre u krijon të ardhura, të pajisen me… targa! Mos u çuditni, por bëhet fjalë për karrocat që vihen në lëvizje me biçikleta! Nuk d dimë, nëse është e përcaktuar apo jo në Kodin rrugor Shqiptar, që biçikletat e modifikuara në karroca të pajisen me targa, por dimë faktin që jo vetëm biçikletat, por edhe disa tip mjetesh motorike (motoçikleta), lejohet të mos pajisen me targa! Mirëpo, ja që romëve në Pogradec, u janë bllokuar dhe po u bllokohen karrocat e kanoçeve nga policia! 
Korçë/Fëmijëve rom, nxënës të shkollës “Naim Frashëri”, u jepet 76 lekë ushqim në ditë
Mos u çuditni, por “Rilindja” ka rilindur edhe trajtimin ekonomik të fëmijëve romë, të cilët ndjekin arsimin 9-vjeçar! Përveç racizimit të hapur e shtetëror, duke i shkëputur nga arsimi publik, duke i grupuar një një shkollë të veçantë, fëmijëve rom u jepet edhe një dietë ushqimore ditore tepër tallëse e diskriminuese, me vlerë 76 lekë të reja në ditë, duke u racionuar me tabelë të posaçme llojet dhe sasitë e produkteve me të cilët ata duhet të ushqehen gjatë ditës! Kujtojmë, që “bursa” ushqimore e fëmijëve rom në Shkollën 9-vjeçare “Naim Frashëri” të hapur vetëm për fëmijët romë e egjiptianë është vetëm 76 lekë të reja në ditë! Ja VKM nr. 132, datë 22. 02. 2017, firmosur nga kryeministri i “Rilindjes”: “Miratimin e projektit pilot, për dhënien e 350 (treqind e pesëdhjetë) bursave/ kuotave ushqimore për nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Naim Frashëri”-Korçë, për vitin shkollor 2016-2017. Vlera e bursës/kuotës ushqimore ditore është 76 (shtatëdhjetë e gjashtë) lekë në ditë për çdo nxënës, për mbulimin e kostos ushqimore ditore”. 
Fier/ Zyrat e punës u kërkojnë romëve “CV” për të aplikuar për punësim
Dje, më 1 maj, në redaksinë e gazetës “telegraf”, telefonoi një qytetar i Komunitetit Rom, i cili na tha: “Jam një 33 vjeçar rom, nga komuna e Levanit në Fier. Dëgjova kryeministrin që uroi shqiptarët për 1 Majin dhe që deklaroi në “FB”, se në Shqipëri ka punë, po shkoni në zyrat e punës të punësoheni! Kjo nuk është e vërtetë. Zyra pune ka, por punë nuk ka. Kam 3 vjet që shkoj në zyrat e punës, duke u lutur për një vend pune dhe nuk më punësojnë. Kam 3 zanate: hekur-kthyes, zhbllokues kanalesh të ujërave të zeza dhe bojaxhi. Mirëpo ato “gaxhiet” e zyrës së punës në Fier, më thonë: “Bëj një “CV” se është kriter kryesor, pa “CV” nuk futesh dot në punë. Ku kam “CV”, unë i shkreti, unë kam punuar rrugëve…?! 
Vlorë/Ish-ministri Beqja, ka hequr nga lista rimbursimin e recetave mjekësore të romëve
ndërsa në Pogradec, romëve u bllokojnë karrocat e kanoçeve për mungesë targash, ndërsa në Korçë fëmijët e Komunitetit Romë izolohen në një shkollë të veçantë dhe u jepet vetëm 76 lekë ushqim në ditë, në Vlorë ndodh skandali më i rëndë, që ka lidhje me shëndetin dhe jetën e fëmijëve të Komunitetit Rom. këta fëmijë, ashtu si prindërit e tyre nuk pranohen për vizita mjekësore, mbasi as ata dhe as prindërit e tyre nuk janë të siguruar. E jo vetëm kaq, por edhe kur ata arrijnë të sigurojnë ilaçet me receta mjekësh dashamirës, atyre nuk u rimbursohen ilaçet. Pse? Sipas denoncimit të bërë në “telegraf”, thuhet se ka një urdhër të ish-ministrit Ilir Beqja, që përjashton nga rimbursimi i ilaçeve, gjithë shtetasit shqiptarë të Komunitetit Rom…!
Romët në kërkim të këtyre 20 OJF-ve që kanë zhvatur fondet e tyre që ka
1. KBKTF, quhet-Koalicioni Bashkë për Kujdesin Tërësor të Fëmijëve
2. KBKTF, quhet-Save the Children
3. WV, quhet-World Vision 
4. TdH, quhet Terre des Hommes
5. ARSIS, quhet Association for the Social Support of Youth
6. RAA, quhet Roma Active Albania
7. FBSH , quhet-Fëmijët e Botës dhe të Shqipërisë
8. EIOT, quhet-European Institute of Tirana
9. NPF, quhet-Ndihmë për Fëmijët
10. NTGSH, quhet-Në dobi të Gruas Shqiptare
11. QSHPLI, quhet-Qendra e Shërbimeve Ligjore dhe Praktikave të Integruara 
12. QKZH, quhet-Qendra për Kërkim dhe Zhvillim 
13. SHKEJ, quhet-Shoqata Kombëtare Edukim për Jetën 
14. TLAS , quhet-Tirana Legal Aid Society 
15. TV, quhet-Tjetër Vizion
16. VIS , quhet-Volontariato Internazionale per Lo Sviluppo 
17. CIES, quhet Centro Informazione ed Educazione allo Sviluppo 
18. SOS, quhet Fshatrat e Fëmijëve Shqipëri
19. PPF, quhet-Partnerë për Fëmijët
20. YWCA, quhet-Shoqata Kristiane e Grave Shqiptare