Frroku: Arrestimi befasi, Doshi: Llalla ka tejkaluar kompetencat

530
TIRANE – Një ditë pas arrestimit, prokurorët morën në pyetje në cilësinë e personave nën hetim deputetin Tom Doshi e Mark Frroku, të cilët akuzohen se inskenuan atentatin që Doshi pretendon se Meta kishte urdhëruar ndaj tij dhe demokratit Mhill Fufi. 
Dhe pse jo zyrtarisht, burime nga organi i Akuzës thanë se Doshi e Frroku vazhdojnë të jenë në pozita mohuese duke mos pranuar asnjë nga tre akuzat që rëndojnë ndaj tyre, atë të kallëzimit të rremë, deklarimit të rremë para prokurorit dhe kanosjen e Durim Bamit. Të njëjtat burime thanë se deputeti Doshi i qëndron versionit se ndaj tij atentati ishte i vërtetë e gjithçka e mësoi nga deputeti Mark Frroku. Ndërsa sa i përket deklarimeve të deputetit kristiandemokrat burimet sqaruan se ai ka qenë i rezervuar në deklarimet e tij, por ka mohuar sërish të ketë njohje me Durim Bamin apo të ketë vënë në dijeni Doshin për atentatin.
Pak para deklarimeve të Doshit, avokati i tij Vladimir Meçi depozitoi në Gjykatën e Lartë kërkesën për lirim të menjëhershëm të deputetit, duke e cilësuar urdhër-ndalimin tejkalim të kompetencave nga ana e kryeprokurorit Adriatik Llalla. Ndërsa avokatët e Frrokut, Genci Gjokutaj e Saimir Vishaj deklaruan se lirimin do e kërkojnë në seancën gjyqësore.
Të izoluar dhe larg njëri-tjetrit në dy dhoma të konsideruara “VIP”, Doshi e Frroku kaluan natën e parë në qelitë e paraburgimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Urdhër arresti ndaj tyre është firmosur nga vetë kreu i Prokurorisë së Përgjithshme Adriatik Llalla, një orë pasi Parlamenti vendosi me shumicë votash t’i japë autorizimin Prokurorisë për arrestimin duke i hequr imunitetin dy deputetëve. 
Sigal

Ora 15:25 Përfundon marrja në pyetje e deputetit të arrestuar, Tom Doshi

Për rreth 3 orë, deputeti Tom Doshi është marrë në pyetje nga Prokurorët në ambientet e drejtorisë së Policisë Tiranë. Ende nuk ka detaje rreth dëshmisë apo pyetjeve që i jan bërë Doshit, por mësohet se gjatë marrjes në pyetje të deputetit të arrestuar është bërë në prani të avokatëve.
Ora 12:50 Avokatët: Frroku i befasuar nga arrestimi. Nuk ka pasur asnjë dijeni për atentatin
Kreu demokristian Mark Frroku ende është i befasuar nga arrestimi i tij dhe nga fakti që është implikuar në historinë e atentatin që Doshi pretendon se kryeparlamentari Meta kishte urdhëruar ndaj tij. Qëndrimin që Frroku ka mbajtur para prokurorëve dhe oficerëve gjyqësorë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, u bë publik nga dy avokatët e tij Saimir Vishaj dhe Genc Gjokutaj. Në një prononcim për mediat pas marrjes në pyetje të deputetit Frroku, avokatët thanë se prangosja e klientit të tyre është e jashtëligjshme dhe se në seancën gjyqësore për masën e sigurisë do të kërkojnë lirimin e tij. Saimi Visha përsëriti disa herë qëndrimin e klientit të tij, duke thënë se Mark Frroku nuk ka pasur asnjë dijeni për atentatin që Doshi pretendon se do të bëhej ndaj tij gjashtë muaj më parë.
“Mark Frroku është i befasuar se si persona të tjerë kanë sajuar vrasje të porositur gjoja nga kryetari i Kuvendit. Nuk kemi asnjë lidhje me akuzat fantazmë në lidhje me ndonjë vrasje nga kreu i Kuvendit. Klienti ynë përjashtohet në mënyrë kategorike nga ndonjë dijeni për porositje të ndonjë vepre të tillë, nuk e di kush i sajon këto gjëra, akuza të fabrikuara nga njerëz të papërgjegjshëm”, u shpreh Vishaj.

Ai tha se është i bindur në paligjshmërinë e arrestimit por shtoi se nuk do të dorëzojë kërkesë në Gjykatën e Lartë për lirimin e Frrokut, por se do t’i shprehë argumentet në seancën gjyqësore që pritet të mbahet të shtunën. 


Ora 11:45 Avokati Meçi kërkon në Gjykatën e Lartë lirimin e Doshit
Avokati Vladimir Meci ka dorëzuar në Gjykatën e Lartë kërkesën për lirimin e deputetit Tom Doshi, duke e konsideruar të paligjshëm arrestimin e tij. 

Ora 11:30 Bami thihet nga Krimet e Rënda, do merret në pyetje

36-vjeçari nga Fushë-Kruja për të cilin Tom Doshi pretendon se ishte paguar nga Ilir Meta për vrasjen e tij dhe të demokratit Mhill Fufi, pritet të mbërrijë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për tu marrë në pyetje s ii pandehur në lidhje me akuzën e re që rëndon ndaj tij, atë të kallëzimit të rremë. Bami do të gjykohet në të njëjtën dosje me deputetët Tom Doshi dhe Mark Frroku në Gjykatën e Lartë. 
Ora 11:35 Avokatët mbërrijnë në Drejtori për pyetjen e Doshit dhe Frrokut
Avokatët e Tom Doshit e Mark Frrokut mbërritën në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. 
Ora 11:20 Prokurorët mbërrijnë në Drejtorinë e Policisë
Prokurori i Krimeve të Rënda Adnand Xholi dhe prokurori tjetër Altin Binaj kanë mbërritur në ambientet e drejtorisë së krimeve të Rënda ku pritet të bëhet marrja në pyetje e dy deputetëve.
Ora 11:15 Oficerët do të pyesin Doshin dhe Frrokun
Oficerët e policisë gjyqësore do të marrin sot në pyetje deputetët Tom Doshi dhe Mark Frroku. Pas marrjes në pyetje dy deputetëve do t’u komunikohen akuzat.
Ora 11:10 Gjykata e Lartë në pritje të dy kërkesave
Në Gjykatën e Lartë pritet të mbërrijë avokati i deputetit Tom Doshi, Vladimir Meci për të kërkuar lirimin e klientit të tij. Katër avokatët mbrojtës të deputetëve Mark Frroku dhe Tom Doshi kanë deklaruar se arrestimet janë bërë me vendim politik, dhe se në Gjykatën e Lartë do kërkojnë shpalljen e paligjshëm të tyre.
Po ashtu në Gjykatën e Lartë pritet të mbërrijë edhe kërkesa e Prokurorisë, për t’i hapur rrugë seancës së të shtunës ku Gjykata do të caktojë masën e sigurisë ndaj dy deputetëve. Seanca gjyqësore do jetë me debate të forta juridike, pasi avokatët e dy deputetëve të arrestuar e kanë quajtur arrestimin si të paligjshëm dhe të motivuar politikisht.
“Thika” me dy presa
Prokurori i Krimeve të Rënda Adnand Xholi dhe prokurori tjetër Altin Binaj, përgjatë natës së djeshme kanë përpiluar kërkesën për caktimin e masës së sigurisë në Gjykatën e Lartë ndaj dy deputetëve të parlamentit Mark Frroku dhe Tom Doshi.
Në përpilimin e kërkesës mësohet të ketë asistuar dhe vetë kryeprokurori Adriatik Llalla,ku së bashku me dy prokurorët e tjerë kanë renditur një sërë provash, si përgjime, tabulate telefonike dhe dëshmi, të cilat sipas akuzës vërtetojnë se deputetët kanë mashtruar por njëherësh kanë kanosur me jetë dhe shtetasin Durim Bami, edhe ky tashmë i arrestuar.
Urdhri i ndalimit i Prokurorisë së Përgjithshme për arrestimin e dy deputetëve, duket se do shërbejë si “thikë” me dy presa në Gjykatën e Lartë. Kjo pasi nëse Gjykata e Lartë do pranojë këtë urdhër si të ligjshëm, i cili motivohet në kushtet e rrezikshmërisë për ikje të deputetëve, do çojë Doshin dhe Frrokun të pandehur disa ditë më vonë në gjykatë.
Por nëse Gjykata e Lartë vendos të pranojë kërkesën e avokatëve për nxjerrjen e paligjshëm të urdhër-ndalimit dhe kontrollit të banesave, atëherë çështja ndaj dy deputetëve del “nul” dhe se çdo veprim i kryer pas këtij vendimi është i paligjshëm dhe dosja pushohet nga ana e organit procedues. Duket se prokuroria është nxituar me marrjen e një vendimi kaq të shpejtë për arrestimin e deputetëve, në një kohë kur Frroku dhe Doshi nuk i janë fshehur asnjë ditë hetimit të zhvilluar pak kohë më parë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Tjetër gjë që është e diskutueshme juridikisht janë dhe akuzat e ngritura nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme pasi flitet për një akuzë si kallëzimi i rreme, ndërkohë që qoftë Frroku por edhe Toma nuk kanë bërë kallëzim. Ndërsa për sa i përket akuzës së dëshmisë së rreme para prokurorit, juristët shprehen se edhe një vepër penale e tillë nuk qëndron, pasi deputetët janë pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen dhe jo në cilësinë e dëshmitarit në gjykatë.
Sekuestro kompjuter e USB
Kontrolli i banesave, gjenden dy orë me kamera tek Doshi dhe Frroku
Policia teksa ka vënë në pranga deputetin Tom Doshi ka kryer dhe një kontroll në banesën e tij ku ka sekuestruar aty një orë dore me kamera të fshehtë, USB dhe një kompjuter. Mësohet se një veprim i tillë hetimor është kryer dhe në banesën e deputetit Mark Frroku, nga ku mësohet se edhe në këtë banesë është sekuestruar një orë dore me kamera të fshehtë si dhe një USB.
Kontrolli i banesave është kundërshtuar nga avokatët, duke e quajtur atë të paligjshëm njëherësh me arrestimin e dy deputetëve. Por pavarësisht kësaj, policia është justifikuar duke pohuar se kishte një urdhër të tillë nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme.
Të gjitha këto prova janë administruar nga policia gjyqësore në zarfe konkrete dhe më pas i janë referuar për ekzaminime më të detajuara Prokurorisë së Përgjithshme. Pritet që gjatë fazës së hetimit, Prokuroria e Përgjithshme t’i drejtohet me një kërkesë zyrtare laboratorit të policisë shkencore, ku të kërkojë ekspertimin e kompjuterit, dhe dy orave me kamera të fshehta.
Arrestimi i dy deputeteve
Gati 20 efektivë të patrullës “Shqiponja” të ndarë në dy grupe kanë kryer arrestimin e dy deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë Tom Doshi dhe Mark Frroku. Të dy ish-shokë për kokë, tashmë kthyer në armiq me njëri-tjetrin, kanë rënë në prangat e uniformave blu pasi Prokuroria e Përgjithme ka urdhëruar ndalimit e tyre. Ky vendim është marrë një orë pasi Parlamenti ka vendosur me shumicë votash për dhënien e autorizimit për arrestimin e dy deputetëve.
Doshi ka qëndruar i qetë në banesën e tij në Tiranë, ku efektivë policie janë shfaqur në oborrin e banesës së tij. Ndërkohë që disa minuta para se të mbërrinte policia ai kishte shkruar në “Facebook” se nuk do të largohej nga vendi por priste efektivët e policisë në ambientet e shtëpisë. Doshi ka qenë mjaft i qetë me policët, ku mësohet se ka shkëmbyer dhe batuta me ta duke i pohuar se: “…sa shpejt me gjetët, do vija vetë nëse do më kishit telefonuar…”. Mjaft i qetë ka qenë dhe deputeti tjetër i Partisë Kristian Demokrate Mark Frroku,i cili i ka pritur efektivët e policisë në ambientet e biznesit të tij në Kombinat, ku ka qenë nën shoqërinë e dy avokatëve Ardian Vishaj dhe Genc Gjokutaj. Të dy deputetët nuk kanë bërë asnjë rezistencë ndaj uniformave blu.
Vizitohen nga Çipa
Sapo janë arrestuar nga policia e Tiranës, të dy deputetët janë shoqëruar me automjetet e patrullës “Shqiponja” në drejtim të ambienteve të Drejtorisë së Policisë Qarkut Tiranë. Tom Doshi dhe Mark Frroku janë vizituar nga drejtori Ardian Çipa, i cili është interesuar për gjendjen shëndetësore të tyre, ushqimin dhe veshëmbathjet për të kaluar natën.
Vizita e avokatëve
Teksa janë mbyllur në dhomat e shoqërimit, avokatët mbrojtës të Tom Doshit dhe ata të Mark Frrokut kanë kryer vizita tek të arrestuarit. Ata deklaruan se janë njohur nga afër me rregullat e shoqërimit dhe trajtimit të të ndaluarve në polici, ku gjithmonë sipas tyre gjithçka ka qenë konform rregulloreve