Freedom House jep alarmin: Korrupsioni më i lartë i 10 viteve të fundit

576
Korrupsioni mbetet më i lartë se periudha 2007-2012 dhe se mesatarja e rajonit. Përkeqësohet pavarësia e medias, ndërsa përmirësohet vlerësimi i procesit zgjedhor…Shqipëria rezultoi me një pikësim prej 4.14 për progresin demokratik në vitin 2016, duke mos shënuar ndryshim në raport me vitin e mëparshëm dhe duke qenë më ulët se në periudhën 2007-2011, kur ky tregues ishte poshtë nivelit 4. Treguesi është publikuar nga Freedom House dhe renditja bazohet në një shkallë nga 1 në 7, ku 1 përfaqëson nivelin më të lartë të progresit demokratik dhe 7 më të ulëtin. Për Shqipërinë raporti është përgatitur nga Besfort Lamallari.
Në krahasim me vendet e tjera, Shqipëria pozicionohet më mirë se Kosova (5.07), Maqedonia (4.29) dhe Bosnja (4.5) dhe më dobët se Mali i Zi (3.93), Serbia (3.75), Bullgaria (3.25) dhe Rumania (3.46). Progresi demokratik matet përmes ecurisë së nën-treguesve të qeverisjes kombëtare e lokale demokratike, procesit elektoral, shoqërisë civile, pavarësisë së medias, kuadrit ligjor e zbatimit të pavarur të tij dhe korrupsionit.
Vlerësimi i Procesit zgjedhor është përmirësuar nga 4.00 në 3.75 për shkak të uljes së toneve të fushatës, një dite të qetë e zgjedhjeve, si dhe të zgjidhjes së shpejtë të ankesave për parregullsi gjatë zgjedhjeve lokale të qershorit, thuhet në raport. Vlerësimi për pavarësinë e medias ka rënë nga 4.00 në 4.25 për shkak të kufizimeve editoriale dhe shkarkimin e gazetarëve hetues. Interesat private dhe politike vazhdojnë të dominojnë mediat, vlerëson raporti. Treguesit e tjerë nuk kanë pësuar ndryshime në raport me vitin e mëparshëm (shih tabelën ).
Korrupsioni vijon të mbetet i lartë në nivelin e 5.25 (për periudhën 2013-2016) dhe më i madh se periudha 2007-2012, kur kishte pikësimin 5. Ky tregues është gjithashtu më i lartë se mesatarja e rajonit, prej 4.89 . Në rajon, korrupsioni më i ulët është në Serbi (4.25), ndërsa më i larti në Kosovë (6). Shqipëria renditet e dyta në rajon pas Kosovës për nivelin e korrupsionit.
Raporti thekson se gjatë vitit 2015, “Shqipëria ka kaluar nëpër një sërë reformash dhe operacione të zbatimit të ligjit që kanë për qëllim forcimin e sundimit të ligjit dhe sjelljen e vendit më pranë Bashkimit Evropian (BE). Ndërsa reforma e vazhdueshme e drejtësisë dhe zbatimi rregullator konsiderohen me rëndësi kritike, disa politika fiskale dhe veprimet e lidhura me to kanë ngritur shqetësime në lidhje me ashpërsinë e tyre, efikasitetin dhe qëndrueshmërinë. Vendi aspiron për të filluar bisedimet e pranimit me BE-në shumë shpejt, por procesi i integrimit do të ecë përpara, vetëm nëse Shqipëria bën përparim të prekshëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.
Sigal