Frank Shkreli: Korpusi i Paqes, një institucion Amerikan      

320
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Nga Frank Shkreli, ish-Drejtori i VOA-s, për EuroAzinë

Me rastin e 60-vjetorit të themelimit dhe të 30-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane

60-vite më parë, Senatori i atëhershëm, Xhon F. Kenedi, mbajti një fjalim historik gjatë fushatës së tij për president në Universitetin e Miçigenit, në Tetor të vitit 1960 e që një vit më vonë çoi në formimin e entit që sot njihet si Korpusi i Paqes. Me atë rast, Xhon F. Kenedi u bëri një thirrje emocionale studentëve universitarë amerikanë që të shkonin si vullnetarë, për një vit ose dy, në vendet në zhvillim e sipër anë e mbanë botës. Në shkallët e Universitetit Miçigen, Xhon Kenedi sfidoi studentët amerikanë që t’i shërbenin vendit të tyre në kauzën për paqe duke jetuar dhe duke punuar në vendet në zhvillim, anë e mbanë botës. Vetëm disa javë pas atij fjalimi, studentët filluan të mblidhnin firma në mbështetje të kësaj ideje dhe kështu lindi Korpusi i Paqes.  Kongresi amerikan, si rrjedhim, miratoi në vitin 1961, legjislacionin duke i dhënë Korpusit të Paqes mandatin, “për të promovuar paqen dhe miqësinë në botë”.

Ishte ky një ent i ri dhe mundësi e re për vullnetarët amerikanë të profesioneve të ndryshme që t’i shërbenin vendit të tyre dhe botës. Megjithëse kanë kaluar 60-vjet, kjo thirrje dëgjohet edhe sot ndërsa shumë të rinj e të reja amerikane i përgjigjen gjithnjë apelit të ish-Presidentit Kenedi për të shërbyer, vullnetarisht, anë e mbanë botës, në kauzë të paqes dhe të miqësisë midis popujve. Misioni i Korpusit Amerikan të Paqes, atëherë dhe sot, është që vullnetarët e këtij enti qeveritar amerikan të ndihmojnë vendet në zhvillim, me qëllim, që ato vetë të ndërmarrin programe dhe projekte zhvillimi; që të promovojnë  mirëkuptim më të madh ndaj amerikanëve nga të huajt dhe të kontribojnë, njëkohësisht, edhe për një mirëkuptim më të madh të popujve, anë e mbanë botës, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fillimisht, vullnetarët e parë punonin si mësues, por më vonë aktiviteti i tyre u zgjerua edhe në fushë të tjera, siç është zhvillimi ekonomik dhe programet në sektorët e mjedisit, teknologjisë, e tjera. Natyrisht, se para 15 Marsit të vitit 1991, datë kjo kur Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria lidhen marrëdhëniet diplomatike pas 45 vjetësh, nuk kishte prani të Korpusit të Paqes në Shqipëri.

Grupi i parë i vullnetarëve i përbërë prej 21 vetash, sipas Korpusit të Paqes, ka mbërritur në Shqipëri, Qershorin e vitit 1992 dhe menjëherë filluan veprimtarinë e tyre duke dhenë mësim në anglisht në shkolla të mesme dhe universitete. Ky grup u pasua nga 12 vullnetarë të tjerë që morën pjesë në një projekt të zhvillimit të biznesit të vogël. Programi për Shqipërinë u zgjerua përsëri në vitin 1995 me 15 vullnetarë që u aktivizuan në një projekt bujqësor. Që prej arritjes së grupit të parë të pjesëtarëve të Korpusit të Paqes në Shqipëri, më shumë se 800-vullnetarë kanë shërbyer gjatë këtyre 30-viteve të normalizimit të marrëdhënieve me vendin e shqiponjave, ndërkohë që Shqipëria ishte atdheu i dytë për ta, për aq kohë sa kaluan atje. Në vitin 1997, ishte në plan që programet e Korpusit të Paqes në Shqipëri të shtoheshin dhe të zgjeroheshin edhe më shumë, por tragjedia e vitit 1977 në Shqipëri çoi në evakuimin e të gjithë vullnetarëve të Korpusit Amerikan të Paqes, si dhe në mbylljen e misionit të tij në Shqipëri.

Pas një mungese prej gjashtë vjetësh, vullnetarët e Korpusit te Paqes ishin rikthyer në Shqipëri për të filluar trajnimet për një projekt në ndihmesë të bashkive dhe për zhvillimin e projekteve për mësimin e gjuhës anglisht, si edhe për projekte të tjera të shërbimit shëndetësor e të tjera. Sipas Korpusit të Paqes, vullnetarët e këtij enti amerikan në Shqipëri kanë punuar dhe kanë bashkërenduar gjithë aktivitetin e tyre me organizma dhe ente të qeverisë shqiptare, si dhe me USAID në Tiranë, me organizata jo qeveritare shqiptare, si dhe me universitete dhe me drejtorë shkollash, anë e mbanë Shqipërisë. Vullnetarët e Korpusit të Paqes në Shqipëri kanë marrë pjesë edhe në projekte siç janë planifikimi urban, zhvillimi ekonomik, zhvillimi turistik, planifikimi strategjik si edhe në promovimin e pjesëmarrjes së qytetarëve në jetën politike, ashtu që që ata të kenë një zë vendimarrës, në komunitetet  ku jetojnë. Veprimtaria e vullnetarëve të suksesshëm të Korpusit Amerikan të Paqes është një kontribut me vlerë për të dy palët, pasi ndihmon në njohjen dhe mirëkuptimin e përbashket midis popujve dhe shteteve. Le të shpresojmë që në këtë 30-vjetor të rivendosjes së marrëdhenieve midis Washingtonit dhe Tiranës, që po afrohet, vullnetarët e Korpusit të Paqes në Shqipëri, të krijojne lidhje dhe njohuri pozitive me shqiptarë e shqiptare, anë e mbanë vendit, te cilët rrallë herë kanë mundësi kontaktesh me amerikanë dhe që veprimtaria e këtyre vullnetarëve amerikanë në Shqipëri të kontribuojë edhe në përforcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy popujve tanë ne 30-vjetorin e ri-vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona.

Ambasadorja e Shteteve të bashkuara në Tiranë, Zonja Yuri Kim në një mesazh urimi në tëitter drejtuar vullnetarëve me rastin e 60-vjetorit të themelimit të Korpusit të Paqes, thotë se ata përfaqësojnë gjërat më të mirat të Shteteve të Bashkuara dhe anasjelltas. Duke i falenderuar vullnetarët e Korpusit të Paqes për shërbimin e tyre, Ambasadorja amerikane shkruan se mezi pret kthimin e tyre në Shqipëri, pas zhdukjes së Covid-19. Ndërsa, Sekretari Amerikan i Shtetit, Z. Antony J. Blinken, në mesazhin e tij me rastin e 60-vjetorit të Korpusit të Paqes shprehet se, “Jam i vetdijshëm se vullnetarët e Korpusit të Paqes mezi presin të këthehen në shërbimin e tyre sa më parë që të jetë e sigurt për të bërë një gjë të tillë. Dhe kur të kthehen”, në vendet e tyre të punës, shtoi kryediplomati amerikan, “ata do të jenë ambasadorët më të mirë të vlerave Amerikane”, në botë.