FOTO/ Vijojnë zjarret në Peqin, deri më tani janë djegur gjashtë hektarë me ullishte

320
Sigal

Vijojnë të jenë ende aktive disa vatra zjarri në Peqin. Deri më tani nga zjarret janë shkrumbuar gjashtë hektarë me ullishte dhe masive me shkurre.

Megjithë mobilizimin e shërbimit zjarrfikës të Bashkisë së Peqinit dhe bashkive fqinje të Rrogozhinës, Belshit, Elbasanit, Cërrikut e Gramshit, situata mbetet problematike, pasi në pjesën më të madhe terreni është i vështirë për t’u ndërhyrë.

Zjarret në zonën e Peqinit kanë nisur që prej ditës së djeshme. Fillimisht flakët nisën në vendin quajtur “Kurora e Peqinit”, ku aty janë djegur katër mijë rrënjë ullinj dhe zjarri u afrua pranë banesave.

Menjëherë ndërhyri edhe OSHEE-ja, e cila ndërpreu energjinë elektrike për këtë zonë. Aktualisht zjarret janë një kërcënim edhe për banorët e fshatit Devan në Fushë-Krujë, ku aty janë djegur shkurre dhe pemë të ndryshme.

Po kështu, gjatë dy muajve të fundit nga jugu në veri të vendit janë krijuar dhjetëra vatra zjarri.

Më problematike situata ka qenë në zonën midis Lezhës dhe Mirditës por dhe në Elbasan.

Megjithatë deri më tani për vatrat e aktivizuara nuk ka asnjë ndihmë nga Emergjencat Civile.

Edhe pak javë më parë, kur disa vatra ishin aktivizuar nga jugu në veri, u desh ndërhyrja e natyrës për fikjen e tyre. Shirat e rrëmbyeshëm ndihmuan për fikjen e flakëve.