Shqipëria: Deklarata përfundimtare e Misionit të Nenit IV, 2025
Uashington, DC – 20 Nëntor 2025: Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i udhëhequr nga Anke Weber dhe i përbërë nga David Bartolini, Stefan Kavan, Olti Mitre, Nora Neuteboom, Eyno Rots, Sebastian Sosa dhe Eugena Topi, vizitoi Tiranën gjatë periudhës 4– 14 Nëntor, për të zhvilluar diskutime mbi Konsultimin e Nenit IV për vitin 2025 me autoritetet shqiptare. Në përfundim të vizitës, misioni publikoi deklaratën e mëposhtme:
Shqipëria gëzon një nga normat më të larta të rritjes në Evropë, inflacion të ulët, borxh publik në rënie dhe rezerva të forta valutore. Duke u mbështetur mbi këto themele, Shqipëria ndodhet në një pikë kthese, me qeverinë që po avancon reforma të guximshme për të siguruar anëtarësimin në BE deri në vitin 2030. Ndërsa perspektiva afatshkurtër mbetet e favorshme, rruga drejt anëtarësimit shoqërohet me sfida strukturore. Ekzistojnë boshllëqe të rëndësishme në reforma ndaj standardeve të BE-së mes produktivitetit në stanjacion, ndërkohë që një mjedis global më i paqëndrueshëm, i shoqëruar me presione të brendshme mbi pagat dhe çmimet e aseteve, paraqet rreziqe për qëndrueshmërinë e rritjes së drejtuar nga turizmi. Reformat e brendshme të realizuara në kohë janë thelbësore për të ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe për të rritur produktivitin. Kyçe për këtë do të jenë: ruajtja e hapësirave fiskalë përmes mobilizimit të qëndrueshëm të të ardhurave me reforma jo deformuese në politikën tatimore së bashku me përmirësimin e cilësisë së shpenzimeve; ruajtja e stabilitetit të çmimeve dhe atij financiar përmes politikës monetare të zhdervjellët dhe përmirësimeve të mëtejshme të instrumenteve prudenciale; si dhe avancimi i reformave gjithëpërfshirëse në kapitalin njerëzor, tregun e punës dhe mireqeverisje.
Perspektiva ekonomike
Rritja e udhëhequr nga turizmi dhe perspektiva makroekonomike e Shqipërisë pritet të mbeten të forta. Pas një rritje mesatare prej rreth 4¼ për qind në periudhën pas pandemisë, PBB reale parashikohet të rritet me 3.5 për qind në 2025, kryesisht e nxitur nga konsumi privat, dhe 3.6 për qind në 2026, duke reflektuar një përshpejtim modest të rritjes në partnerët kryesorë tregtarë të eurozonës. Efektet e drejtpërdrejta nga tarifat e SHBA-së janë minimale, ndërsa efektet indirekte nga masat tregtare globale dhe pasiguria deri tani duken të kufizuara. Pavarësisht një moderimi, turizmi vijon të ofrojë mbështetje të qëndrueshme për prodhimin ekonomik. Inflacioni parashikohet të rritet gradualisht nga 2.2 për qind në 2025 në objektivin 3 për qind në gjysmën e dytë të 2026, në kushtet e një tregu pune të ngushtë dhe pagave në rritje. Deficiti i llogarisë korrente parashikohet në 2.8 për qind të PBB-së në 2025 dhe të zgjerohet gradualisht në rreth 3.5 për qind të PBB-së në afat të mesëm, teksa të ardhurat e disponueshme dhe shpenzimet kapitale publike rrisin importet.
Balanca e rreziqeve për perspektivën është zhvendosur drejt kahut të poshtëm, mes një mjedisi të jashtëm më të trazuar. Tensionet gjeopolitike, masat e përshkallëzuara tregtare, paqëndrueshmëria e çmimeve të lëndëve të para dhe pasiguria e zgjatur mund të prekin partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë dhe të dobësojnë kërkesën e jashtme. Paqëndrueshmëria e tregjeve financiare globale dhe korrigjimet e çmimeve të aseteve mund të ulin kërkesën për borxhin sovran shqiptar dhe të rrisin rreziqet e rifinancimit. Brenda vendit, një rënie më e theksuar nga sa pritej në popullsinë në moshë pune mund të thellojë mungesat e fuqisë punëtore, të nxisë inflacionin, të diktojë një qëndrim më të shtrënguar të politikës monetare dhe të zbehë perspektivat e rritjes. Në anën pozitive, zbatimi i qëndrueshëm i agjendës së reformave të BE-së mund të nxisë produktivitetin dhe rritjen.
Politika tatimore dhe reforma strukturore për të ruajtur hapësirat fiskale
Bazuar në politikat aktuale, stafi i FMN-së projekton një suficit të vogël primar në 2025 dhe 2026 dhe një balance primare zero më pas. Rritjet e planifikuara të pensioneve mesatare përmes bonuseve mujore (p.sh., nga €270 në €400 për pensionet urbane) duke nisur nga 2026 do të financohen pjesërisht nga pritshmëritë për të ardhura shtesë të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave (SAA), kursime në shpenzimet korrente dhe nën-ekzekutimi i shpenzimeve kapitale. Borxhi publik projektohet të bjerë nga 54 për qind e PBB-së në fund të 2025 në rreth 50 për qind të PBB-së deri në 2030. Ndërsa dinamika e borxhit është përmirësuar dukshëm vitet e fundit, nevojat ende relativisht të mëdha për financim bruto, mesatarisht 13 për qind e PBB-së për periudhën 2025–30, nënvizojnë rëndësinë e vazhdimit të reformave të menaxhimit të borxhit.
Si shumë vende të tjera evropiane, Shqipëria përballet me presione shpenzimesh publike të cilat, nëse nuk adresohen tani, mund të rrezikojnë qëndrueshmërinë fiskale në afat të mesëm. Tendencat demografike pritet të rrisin shpenzimet për pensione dhe shëndetësi, veçanërisht pas vitit 2030, ndërsa angazhimi në NATO për të alokuar 5 për qind te PBB-së për shpenzime mbrojtjeje dhe sigurie deri në 2035 do të ushtrojë presion shtesë mbi financat publike. Për të forcuar qëndrueshmërinë dhe produktivitetin, do të nevojiten gjithashtu investime më të mëdha në arsim, trajnim dhe përshtatje ndaj klimës. Për të adresuar këto sfida dhe ruajtur hapësirat fiskale, stafi rekomandon një paketë masash nxitëse për rritjen, të përqendruar te mobilizimi i qëndrueshëm i të ardhurave, reformat e politikave tatimore dhe përmirësimi i cilësisë së shpenzimeve publike.
Për rrjedhojë, reformat në të ardhura duhet të fokusohen në racionalizimin e shpenzimeve tatimore, modernizimin e taksave mbi pronën dhe forcimin e administratës tatimore. Shpenzimet tatimore të kushtueshme dhe regresive, si pragjet e larta të përjashtimit nga TVSH-ja, incentivat sektoriale dhe regjimet preferenciale për të vetëpunësuarit, duhet të hiqen gradualisht pasi efektiviteti i tyre është i pasigurt. Vendosja e një takse mbi pronën, të bazuar mbi vlerën, dhe përshpejtimi i zbatimit te saj do të mbështesin financat vendore. Zbatimi më i fortë i mbështetur në auditime të bazuara në risk dhe dixhitalizim mbetet thelbësor për realizimin e plotë të të ardhurave nga Stragjia Afatmesme e te Ardhurave. Këto masa së bashku kanë potencialin të rrisin të ardhurat deri në 2 për qind të PBB-së deri në 2030. Marrëveshja e propozuar e ‘Paqes Fiskale’, me elemente të tilla si marrëveshje vullnetare për përcaktimin paraprak të fitimeve të tatueshme dhe pezullim të auditimeve gjatë periudhës së marrëveshjes, fshirje të detyrimeve tatimore e doganore dhe rivlerësim të pasqyrave financiare të së kaluarës me një normë të ulët të njëtrajtshme, rrezikon të minojë pajtueshmërinë tatimore, të dobësojë besueshmërinë e auditimeve dhe të përmbysë arritjet e deritanishme në modernizimin e administratës tatimore.
Nevojiten masa plotësuese për të përmirësuar cilësinë e shpenzimeve dhe transparencën fiskale. Rishikimet periodike të shpenzimeve, të institucionalizuara si mjet kyç buxhetor dhe të mbështetura nga struktura të qarta qeverisjeje brenda ministrive të linjës dhe procesit të buxhetit qendror, do të ndihmojnë në identifikimin e programeve me prioritet të ulët dhe ridrejtimin e burimeve drejt fushave nxitëse të rritjes, si arsimi, shëndetësia dhe infrastruktura. Bonuset me bazë të gjerë për pensionet duhet të shmangen, pasi janë të vështira për t’u kthyer pas, dobësojnë lidhjen me kontributet dhe rrezikojnë qëndrueshmërinë fiskale. Në vend të tyre duhet të përdoren programet e asistencës sociale të targetuara mirë për të mbështetur grupet në nevojë. Monitorimi i rregullt i nën-huadhënies, PPP-ve dhe entiteteve jashtë bilancit mbetet kritik, së bashku me standarde më të forta të zbulimit dhe mireqeverisjes për fondet publike dhe mjetet me qëllim të veçantë (SPV). Përafrimi i publikimit të deklaratës së rreziqeve fiskale me ciklin buxhetor dhe përditësimet e saj do të forcojnë më tej transparencën.
Politikë monetare e zhdërvjellët dhe fleksibilitet i kursit të këmbimit për t’iu përgjigjur shpejt kushteve në ndryshim
Në një botë më të prirur ndaj goditjeve, Banka e Shqipërisë (BSH) duhet të jetë gati t’i përgjigjet shpejt kushteve të tregut. Me pritshmëritë inflacioniste dhe inflacionin bazë pranë objektivit, norma aktuale bazë prej 2.5 për qind dhe qëndrimi i politikës monetare pranë normës neutrale është i justifikuar. Megjithatë, BSH duhet të jetë e gatshme të përshtasë me shpejtësi qëndrimin e politikës monetare, përfshirë nëse efektet e raundit të dytë nga rritja e pagave rezultojnë më të forta se sa pritej. Linja e re e kreditimit të subvencionuar nga banka qendrore, edhe pse e vogël, rreth 1 për qind e PBB-së, mund të çojë në një alokim joefikas të burimeve. Objektivat e këtij programi mund të arrihen më mirë përmes politikave të targetuara fiskale dhe duke adresuar çështjet strukturore themelore.
Kursi i këmbimit duhet të veprojë si amortizator goditjesh me fleksibilitet më të madh, dhe akumulimi i mëtejshëm i rezervave duhet të udhëhiqet nga një analizë kosto-përfitim. Analiza e stafit të FMN-së sugjeron se vlerësimi i kursit real të lekut drejtohet kryesisht nga faktorët themelorë, me flukse spekulative financiare që luajnë vetëm një rol modest. Për rrjedhojë, BSH duhet të lejojë fleksibilitet më të madh të kursit të këmbimit dhe të mbështetet te normat e interesit për stabilitetin e çmimeve, ndërsa ndërhyrjet në tregun valutor duhet të rezervohen për raste të rralla të goditjeve jo-themelore. Përfitimet nga akumulimi i rezervave duhet të peshohen ndaj kostove oportune në rritje, rreziqeve të normave të interesit dhe humbjeve të mundshme nga rivlerësimi valutor.
Instrumente të përmirësuara prudenciale për të menaxhuar rreziqet e sektorit financiar
Rreziqet sistemike në sektorin financiar duken gjerësisht të përmbajtura. Sistemi bankar në përgjithësi mbetet i mirëkapitalizuar, likuid dhe fitimprurës. Megjithatë, ka disa dobësi, që rrjedhin nga ekspozimet e bankave ndaj huamarrësve të mëdhenj, kredia e pambrojtur në valutë (17 përqind e aseteve bankare) dhe zotërimet e titujve të borxhit të qeverisë (28 përqind e aseteve të bankave). Së bashku me rritjen e shpejtë të huadhënies për pasuri të paluajtshme, efekti i tyre në rreziqet sistemike do të kërkojë monitorim të kujdesshëm.
Mbajtja e standardeve të forta mbikëqyrëse është çelësi për ruajtjen e stabilitetit financiar. Përpjekjet mbikëqyrëse duhet t’i japin përparësi respektimit të rreptë të kërkesave për kapital të bankave dhe, kur është e nevojshme, të përfshijnë pezullimin e përkohshëm të shpërndarjes së dividentëve dhe përgatitjen e planeve të ruajtjes së kapitalit. Lehtësimet e fundit në nivelet e rrezikut në kuadër të mjaftueshmërisë së kapitalit dhe ekspozimeve të mëdha të bankave për kreditë që mbështesin infrastrukturën strategjike të transportit nuk janë plotësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe duhet të rishqyrtohen, pasi rregullimet prudenciale duhet të bazohen në rrezik dhe të mos përdoren për të inkurajuar huadhënien në sektorë specifikë. Sigurimi i stafit dhe burimeve të mjaftueshme do të jetë çelësi për një kalim të qetë në standardet ndërkombëtare të raportimit financiar (SNRF 9).
Ndërkohë që Banka e Shqipërisë ka bërë hapa të rëndësishëm në përmirësimin e kuadrit të saj makroprudencial, zhvillime të mëtejshme do të forconin qëndrueshmërinë. Aktivizimi së fundmi i masave ndaj kredimarrësit për kreditë e reja për pasuri të paluajtshme rezidenciale mbush një boshllëk të mëparshëm dhe duhet të bëhet një mjet i përhershëm. Stafi gjithashtu mirëpret rritjen e planifikuar të shtesës kundërciklike të kapitalit në 0.5 përqind (nga 0.25 përqind) në dhjetor 2025 dhe sheh merita në kalimin në një regjim pozitiv-neutral të kësaj shtese, së bashku me finalizimin e kuadrit të shtesës së kapitalit të rrezikut sistemik. Vendosja e një shtese sektoriale të kapitalit për rrezikun sistemik, pesha më të larta rreziku ose masa që shënjestrojnë kredimarrësit mund të jenë mjete shtesë për të adresuar rreziqet në rritje nga huadhënia për pasuri të paluajtshme për qëllime tregtare.
Ndërsa sektori financiar i Shqipërisë bëhet gjithnjë e më kompleks, mbikëqyrja e kujdesshme, bashkëpunimi efektiv institucional dhe forcimi i masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit janë thelbësore. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare duhet të përmirësojë mbledhjen e të dhënave dhe monitorimin e riskut për subjektet jobankare dhe të sigurojë që mekanizmat për bashkëpunim ndërinstitucional, siç është Grupi Këshillimor i Stabilitetit Financiar, të shfrytëzohen plotësisht. Zbatimi në kohë i Vlerësimit Kombëtar të Rrezikut për të zbutur rreziqet e identifikuara në kuadër të luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit është i rëndësishëm. Themelimi i Bankës Shqiptare të Zhvillimit do të shtojë kompleksitet të mëtejshëm, duke bërë që dispozitat rigoroze të qeverisjes dhe operacioneve të jenë thelbësore për të parandaluar rreziqet e stabilitetit fiskal dhe financiar. Aktivitetet e kësaj banke duhet të jenë të kufizuara në kohë dhe të synojnë dështimet e tregut për të shmangur pengimin e investimeve private.
Politikat për nxitjen e produktivitetit për të rritur përfitimet nga integrimi në BE
Një sërë reformash gjithëpërfshirëse, që rrisin produktivitetin, do të jenë çelësi për një rritje të qëndrueshme. Prodhimi për orë pune në Shqipëri është nën mesataren e BE-së, me pak përmirësim gjatë dekadës së fundit. Pa një përgjigje vendimtare politike, perspektiva duket sfiduese. Emigrimi, që mund të rritet më tej me anëtarësimin në BE, rrezikon të thellojë mungesat e fuqisë punëtore. Ndërsa shkalla e papunësisë ka arritur në një nivel historik të ulët, shkalla e të rinjve që nuk janë në punësim, arsim ose trajnim (NEET) mbetet e lartë, e nxitur nga informaliteti dhe pengesat për hyrjen në tregun e punës. Boshllëqet e vazhdueshme në arsim dhe trajnim, investimet e kufizuara në kërkim dhe zhvillim, sfidat e qeverisjes dhe një fushë loje jo e barabartë mund të dekurajojnë investimet e huaja të nevojshme për diversifikim dhe zhvillim industrial.
- Përmirësimi i aftësive përmes një mbulimi më të gjerë të trajnimeve dhe cilësisë në arsim. Forcimi i mjeteve digjitale dhe zhvillimi i mësuesve do të përmirësonte rezultatet e të nxënit. Zgjerimi i kurrikulave STEM, ndërkohë që përshpejtohet trajnimi profesional dhe skema e Garancisë Rinore, do të sillte rritje të aftësive dhe punësimin. Masat plotësuese për të ulur informalitetin, për të rritur zbatueshmërinë e legjislacionit të punës, për të siguruar mbulim më të gjerë të politikave aktive të tregut të punës dhe për të përmirësuar aksesin në kujdesin ndaj fëmijëve, do të rrisin pjesëmarrjen dhe do të krijojnë punësim formal. Zbatimi i këtyre programeve do të kërkojë burime të mjaftueshme financiare dhe përmirësime të qëndrueshme në kapacitetet administrative.
- Rritja e produktivitetit të firmave dhe krijimi i vendeve cilësore të punës. Reformat duhet të synojnë përmirësimin e klimës së biznesit, uljen e burokracisë, sigurimin e një fushë loje të barabartë përmes një autoriteti konkurrence të pajisur me burime dhe të fuqizuar në mënyrë të përshtatshme, promovimin e investimeve në kërkim dhe zhvillim dhe adoptimin e teknologjive të reja. Kjo është edhe më e rëndësishme në kushtet e një vlerësimi të qëndrueshëm të kursit të këmbimit dhe rritjes së pagave, duke përfshirë edhe rritjet e pagës minimale, të cilat pa rritje të produktivitetit do të dëmtojnë konkurrueshmërinë.
- Përmirësimi i mjedisit të biznesit përmes reformave të mëtejshme të qeverisjes. Autoritetet duhet t’i japin përparësi emërimeve në kohë, të bazuara në meritë dhe të paanshme në organet e pavarura mbikëqyrëse, të përshpejtojnë digjitalizimin e proçedurave gjyqësore dhe të zgjerojnë aksesin publik në informacionin gjyqësor. Një legjislacion më i fortë parandalues dhe një monitorim i shtuar i administratës publike do të ishte në përfitim të përpjekjeve kundër korrupsionit. Ruajtja e pavarësisë operacionale të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe sigurimi i burimeve të mjaftueshme mbeten kritike për të ruajtur progresin në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë.
Misioni falënderon autoritetet shqiptare dhe bashkëpunëtorët e tjerë në Shqipëri për bashkëpunimin produktiv, dialogun konstruktiv dhe mikpritjen e ngrohtë.



















