Sherr PS-LSI, dështon zgjedhja e sekretares së Këshillit Bashkiak

485
Sigal

SARANDË/Është dështimi i dytë radhas. Dështon dhe zëvendësimi i dy këshilltarëve të djathtë në Këshillin e Qarkut.

Janë rishfaqur në horizontin politik të qeverisjes vendore konfliktet brenda koalicionit PS-LSI në qytetin jugor të Sarandës, mjaft të përfolura këto gjashtë muajt e fundit, pas zgjedhjeve të 23 Qershorit, ku LSI për shkak të maxhorancës së koalicionit të ri, prishi ekuilibrat në këshillin bashkiak të Sarandës. Por nga ajo kohë, ky këshill nuk ka mundur të miratojë vendime me interes të përbashkët të këtij koalicioni. Ka qenë pikërisht paraditja e së premtes që ka regjistruar krisjen më të fundit në këtë koalicion. Pra, është mbledhur me kërkesën e 1/3 së këshilltarëve , mes së cilëve firmëtarë edhe të LSI, një mbledhje jashtë radhe e këtij këshilli, ku në rend të ditës ka qenë zgjedhja e sekretares së këshillit dhe rizgjedhje e përfaqësimit të këshillit bashkiak të Sarandës në këshillin e qarkut të Vlorës, ç’ka do të prishte maxhorancën e këtij të fundit e përfaqësuar nga PD-ja.

MBLEDHJA

Pasi është siguruar kuorumi për zhvillimin e mbledhjes, kryekëshilltari Krenar Islami ka paraqitur rendin e ditës dhe sqarimet e nevojshme të zhvillimit të mbledhjes. Pas kësaj dy përfaqësuesit e djathtë Dhimitraq Lapa dhe Ilir Nikolla e kanë kontestuar zhvillimin e mbledhjes duke e quajtur të jashtëligjshme dhe si e tillë edhe vendimet do të jenë të jashtëligjshme, madje këshilltari Lapa ka paraqitur edhe me shkrim ankimimin si dhe i ka kërkuar disa herë sekretarit të bashkisë, i cili në mungesë të sekretarit të këshillit kryen këtë detyrë, që të shkruaj gjithçka  farë flitet dhe në ligjëratë të drejtë. Pas kësaj dy këshilltarët e djathtë, Lapa e Nikolla janë larguar nga mbledhja. Por pavarësisht këtij veprimi, mbledhja ka vijuar me shumicën pjesëmarrëse, në zhvillimin e proceduarës dhe rendit të ditës. Është kryer votimi i këshillit për sekretaren, nga ku ka rezultuar se nga 14 votues kanë qenë 12 vota pro emrit të paraqitur, një kundër dhe një abstenim. Si e tillë kjo kandidaturë nuk ka mundur të marrë shumicën e votave në një këshill me 25 anëtarë. Pikërisht këtu ka nisur pikiata e marrëveshjes LSI-PS, pasi kandidatura  e sekretares qe ofruar nga LSI, por edhe për herë të dytë kjo kandidaturë përballet me dështim.

REAGIMI

LSI-ja nuk e ka toleruar këtë rezultat, dhe nëpërmjet nënkryetarit të këshillit bashkiak, Luftar Hasanllari, ka dalë në një deklaratë se mos korrektësia e PS në marrëveshjen e një dite më parë, sjell si zhvillim të ri largimin e grupit të LSI-së nga mbledhja, të cilët pas kësaj janë larguar në grup, duke bërë të pamundur zhvillimin e mbledhjes tek pika më kryesore që i ka interesuar PS-së, votëbesimi i përfaqësisë së këtij këshilli në qarkun e Vlorës për dy këshilltarë të djathtë dhe zëvendësimin e tyre me dy këshilltar të majtë, dhe tendenca e marrjes së drejtimit të qarkut nga PS-ja, e cila aktualisht mbahet nga PD-ja. Por nuk ka mundur PS-ja ta finalizojë qëllimin e sajë edhe në mbledhjen e sotme të këshillit bashkiak të Sarandës.