FMN: Qeveria të mbështes të varfrit, ekzistojnë mundësitë

194
Sigal

 

Fondi Monetar Ndërkombëtar, institucioni strikt financiar që kërkon rritje taksash dhe shkurtim të shpenzimeve në çdo vend të botës që këshillon, i kërkon qeverisë shqiptarë të rrisë mbështetjen për të varfrit.

Në listën e rreziqeve që i kanosen ekonomisë tonë, çmimet e lëndëve të para dhe ushqimeve shihen si kërcënimi më i madh. Kërkesa në ulje dhe rritja e çmimeve të ushqimeve mund të godasë shtëpitë më të varfra dhe të shkaktojë paqëndrueshmëri ekonomike dhe sociale. Kjo mund të çojë deri në paqëndrueshmëri politike, sipas analistëve të këtij institucioni.

Tensionet sociale mund të rishfaqen në sipërfaqe, për shkak të shtrenjtimit të ushqimeve dhe çmimeve të energjisë. Reagimi me politika të papërshtatshme mund të shkaktojë vështirësi të vazhdueshme ekonomike dhe të përkeqësojë pabarazitë socioekonomike ekzistuese

Për këtë arsye, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, qeveria duhet të bëjë një rishpërndarje të fondeve për t’i dhënë më shumë prioritet dhe mbështetje të përkohshme grupeve të rrezikuara.

Eksperienca e viteve të fundit ka theksuar rolin e rëndësishëm të mbrojtjes sociale, si mburojë nga goditjet për më të rrezikuarit. Në afatshkurtër ka hapësirë për të shfrytëzuar programet ekzistuese dhe për të përfshirë përtej përfituesve aktualë, duke siguruar akses për ata që kanë më shumë nevojë.

Ndërsa në afatmesëm FMN sugjeron përditësimin e skemës së ndihmës ekonomike, duke rritur edhe mbështetjen në para që i kalon këtyre familjeve. Kjo ndihmë do të ishte jetike në rastin kur emigrantët do të kenë më pak mundësi të dërgojnë para në shtëpi, si pasojë e shtrenjtimit të jetesës dhe një recesioni të mundshëm në Europë.

FMN ndërkohë vlerëson mosrritjen e çmimeve të energjisë elektrike për abonentët familjarë dhe biznesin e vogël. Por në rast se çmimet do të vazhdojnë të jenë të rritur edhe vitin e ardhshëm, këshillohet nisja e rritjes graduale të tarifave, duke mbrojtur vetëm ata më në nevojë.