Floriri dhe misteret e tij në tokën shqiptare

2586
Agron MEMA

Toka shqiptare, mbi dhe nën të, është shumë e pasur jo vetëm me pasuri minerare dhe burimore, por krahas shumë mistereve të saj ka fshehur dhe fsheh shumë ar, flori në gjuhën popullore. Kjo ka bërë që ta lakmojnë hapësirën gjeografike të vendit tonë, jo vetëm nga ajo çka është folur, por edhe për grabitjen e arit. Kjo është bërë, jo vetëm nga pushtuesit e shumtë të vendit tonë, por edhe nga të gjitha qeveritë dhe sundimtarët e vet vendit, duke përligjur kështu edhe barbaritë, terrorin, vrasjet, burgosjet, gjenocidin dhe pushtimin e këtij vendi dhe populli. Kjo ka bërë që edhe shumë fakte tronditëse të deformohen jashtë realitetit dhe të vërtetës. Konfiskimi më i madh i arit ndodhi gjatë sistemit komunist. Strategjia e shndërrimit të pronës private në pronë shtetërore u krye sipas një programi ekonomik që erdhi pas Luftës. Prona shtetërore ishte një entuziazëm, i cili fshihte faktin që prona kontrollohej totalisht nga një grup i ngushtë në krye të PKSH-së, i cili mbeti thuajse i pandryshuar nga fillimi deri në fund të diktaturës. Ata ishin të vetëdijshëm që një zaptim i tillë i pronës ishte një nismë, e cila nuk mund të gjente mbështetje te publiku shqiptar dhe për këtë arsye përdorën mashtrimin. Gjatë Luftës Këshilli Nacional-Çlirimtar, si organ i vetëshpallur ligjvënës, organi më i lartë i FNÇ-së, pas së cilit fshihej PKSH-ja, shpalli se nuk do të prekte pronën private kur të vinin në pushtet… Konfiskimi solli si pasojë eliminimin e tregtarëve, biznesmenëve, industrialistëve dhe sipërmarrësve të mëdhenj dhe të mesëm në vitet 1946-1948 dhe u drejtua si ndaj të arratisurve e të dënuarve politikë, që përbënin klasën e të konfiskuarve, edhe pas kësaj date, ashtu edhe ndaj tregtarëve që iu sekuestrua ari disa vite para shpalljes së ligjit të vitit 1960, që i dha një armëpushim formal me anë të një amnistie tatimore dhe ndaloi përkohësisht kërkimin e arit të fshehur të tregtarëve edhe pse ky proces mund të konsiderohej se kishte avancuar përtej qëllimeve të tij. Thithja përfundimtare në sektorin shtetëror e pronës së vogël dhe punimeve të artizanatit privat u krye plotësisht në vitin 1969 dhe i gjithë ky poçes u krye me ligje që ndalonin çdo formë prone private, që mund të jepte fitim dhe shkëmbimit tregtar privat, me dënime të ashpra si gjoba dhe heqje lirie për këdo që i ushtronte…(cituar nga Konfiskimi i pronës dhe grabitja e arit 1944-1955 të Alvin Saraçit)”. Pra siç shihet vetëm sistemi komunist e ligjëroi grabitjen e arit dhe futjen e tij në arkën e shtetit, ndryshe nga të gjitha sistemet e tjera para dhe pas demokracisë së pas 1990-ës. Shkak për këtë shkrim reflektiv u bë rrëfimi i një nëne 85 vjeçare, Ismihan Braja, lindur në fshatin Kardhiq dhe martuar në qytetin e Gjirokastrës. Rrëfimi i saj të bën të mendosh edhe për ngjarjen terroriste ndaj banorëve të këtij fshati që u ndërmor nga veziri i Janinës, Ali Pashë Tepelena. A është ashtu e vërteta reale e arsyes së ndërmarrjes së këtij akti terrorist mbi popullsinë e këtij fshati? Mundet që edhe po, por ky rrëfim të bën të mendosh ndryshe: ndoshta ka qenë një mënyrë për të treguar floririn e fshehur në malin e këtij fshati. Por gjithsesi një mendim të vjen nga ky rrëfim i nënë Ismihan Braja. Ja rrëfimi i saj: “Demir Dosti nga fshati i Kardhiqit ngarkoi shtatë barrë mushka me flori në kohën e pushtimit turk, shumë vite para se të lindja unë. Dhe kjo histori tregohej e tregohet akoma në Kardhiq dhe gjithë zonën brez pas brezi. Tregonin se bëri një tunel të madh në krye të fshatit nga pas fshatit të Fushë-Bardhës. Këtë tunel e hapi me ustallarë nga Korça. Nuk i mori ustallarët vendas për mos të treguar vendin më pas, ndaj mbeti sekret edhe sot vendi i fshehjes së kësaj pasurie të madhe. Turqia e mori vesh, e kapi me gjithë të birin dhe i burgosi. U kërkonin paratë dhe floririn. Demiri u tha, që po nuk e vratë djalin të parin, nuk jua jap lekët dhe nuk ju a tregoj floririn. Vrajeni djalin dhe ua tregoj të gjitha. Demiri këtë e bëri nga frika se mos djali pas torturave nuk mund të duronte më e tregonte vendin e floririt të fshehur. Turqit besuan dhe e vranë djalin. Demiri u thotë se tani që e vratë djalin, tani i merrni të keqen thesarit. Unë dhe ai e dinim vendin e fshehjes së thesarit. Me mua tani bëni si të doni, nuk merrni gjë. Më mirë të kalben në tokën shqiptare se janë djersa ime, se sa t’i merrni ju. Turqit e vranë edhe Demirin pasi e torturuan çnjerëzisht. Turqit kërkuan në të gjithë vendin për shumë kohë, paguan dhe spiunë, po nuk gjetën e nuk mësuan gjë. Demiri, kur fshehu thesarin, edhe mushkave u kish veshur çorape për mos të diktuar vendin nga gjurmët që mund të ngeleshin. Demiri kish punuar shumë vite në Turqi. Kish investuar pas kthimit në fshat. Kish prona gjysmën e fushës së Drinos dhe qe aga. Në mes të fshatit Kardhiq kish vendosur një sahat të madh, që kur binte dëgjohej deri në kullotat dhe lëndinat e Çajupit duke orientuar dhe barinjtë në këtë mal e më tej. Turqia e mori këtë orë të madhe në mes të fshatit. Pas kësaj Demir agai u tremb dhe fshehu thesarin, se dhe atë do t’ia merrnin dhe atë vetë do ta vrisnin. Të paktën mos të merrnin thesarin, pa fati i tij qe paravendosur. Më pas e kërkoi dhe Ali Pasha, po nuk gjeti gjë për shumë vite. Kërkoi dhe Enver Hoxha, por nuk gjetën gjë. Ende enigmë është vendndodhja e thesarit të Demir agait”. Këtu përfundon rrëfimin e saj nënë Ismihani dhe mes një brenge që i del nga gjoksi shton dhe një fakt që menduam ta shkruajmë këtu për respekt të saj, pavarësisht se ka apo jo lidhje me rrëfimin. Le të mbetet e shkruar: “Kur iku Ahmet Zogu më 7 prill 1939-ën, mori dhe një klasë nxënësish me vete, me të cilët qe edhe djali i tezes së mamasë sime, Kalem Golemi e quanin, nga Fushë-Bardha. Vite më vonë u tha se u gjend diku në një vend të botës, po nuk mund të komunikoje dot me të. Tezja e mamasë thoshte gjithmonë, se mirë që një djalë m’u vra në luftë si partizan, po ky tjetri ku do të jetë që humbi pa nam e pa nishan? Ku ta qaj?”