Flet mjeku që kontrolloi vrasësin e 18-vjeçares: Ishte në depresion nga përdorimi i drogës

212
Sigal

Dardan Krivaqa, i dyshuari kryesor për vrasjen e 18 vjeçares nga Ferizaj u paraqit sot para trupit gjykues. Seanca në të cilën atij iu caktuan 30 ditë paraburgim ishte ndërprerë pasi Krivaqa kishte kërkuar ndihmë mjekësore.

Mjeku që e kontrolloi atë tha se Krivaqa ka shfaqur simptome të depresionit. “Gjendja e pacientit ishte stabile, parametrat vital ishin në normë, pacienti dukej pak në gjendje depresive dhe kjo dyshohet se është pasojë e përdorimit të substancave narkotike që ai dje vet e ka pohuar”, Astrit Hoxha.

Gjykata Themelore e Ferizajt pas disa orësh, konfirmoi kërkesën e prokurorisë themelore që ndaj të dyshuarit të merret masa e paraburgimit për një muaj meqë, ka dëshmi të bazuara se i pandehuri  në bashkëkryerje ka kryer veprën penale vrasje e rëndë.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda – Ibrahim Idrizi, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 22 gusht 2021, në Ferizaj, në banesën e tij, me dashje, në mënyrë mizore për motive të ulëta, një natë përpara, ka ushtruar fillimisht dhunën psikike, pastaj edhe dhunë fizike, e cila ka vazhduar edhe ditën kritike, derisa e ndjera ka vdekur.