Flet Dr.Vladimir Mici: Me tatimin 50% askush nuk pajtohet, as profesion i lirë, as biznes privat

128
Sigal

Situata faktike e çdo biznesi, përballja me riskun e pagesës, pasiguria për të ardhmen dhe  taksa e profesioneve të lira që solli mbyllien e 11 mijë biznese të vogla, ende pa hyrë mirë  në fuqi.  Shqipëria nuk ka dhe nuk mban dot peshën e standarteve europiane në fushën e pagave, ndaj duhen parë në radhë të parë efektet  negative dhe jo thjesht përafrimi i legjislacionit me BE. Taksat po falimentojnë studiot ligjore, kontabile, studio inxhnierike, studio IT, studio arti shkollë duke detyruar `trurin`të emigrojë

Flet Dr. Vladimir Mici: Situata faktike e çdo biznesi, përballja me riskun e pagesës dhe pasiguria për të ardhmen do të sjellë si pasojë edhe  mbylljen e një sasie biznesesh

– Shqipëria nuk ka dhe nuk mban dot peshën e standarteve europiane në fushën e pagave dhe transparencës se organeve shtetërore të bizneseve dhe personave fizikë

– Me tatimin 50% askush nuk pajtohet, as profesion i lirë, as biznes privat

– Shqipëria nuk është një rregjim, por një demokraci e brishtë

-Taksat po falimentojnë studiot ligjore, kontabile, studio inxhnierike, studio IT, studio arti shkollë etj..

– Tashmë jemi 35 vjet larg viteve 90 dhe s’mund të flasim për bizneset sikur të kenë çelur dje ndaj qeveria të ruaj ekilibrat

– Qeveria të ndalojë pak më shumë tek efektet dhe jo përafrimi i legjislacionit pa efekte ose me efekte negative

Intervistoi : Albert Z. ZHOLI

Ka ditë që flitet për taksimin e profesioneve të lira. Eshtë e vërtetë që nga zbatimi i sistemit të taksave shumë kanë abuzuar dhe me personin fizik, shumë persona mund të jenë regjistruar si persona fizikë edhe në mënyrë abusive. Por ajo që shtrohet si problem sot është se profesionet e lira nuk i përballojnë dot taksat e larta. Ja si përgjigjet Dr Mici për këto taksa që mbyllën 11 000 biznese të vogla të profesioneve të lira. ..

Taksa e profesioneve të lira mbylli 11 mijë biznese të vogla ende pa hyrë në fuqi, në vlerësimin tuaj çfarë efektesh pritet të shkaktojë tek bizneset zbatimi i këtij ligji nëse Kushtetuesja nuk vendos pezullimin? Çfarë efekti financiar sjell kjo marrëzi?

Ligji nr 29/2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”  është një ligj  që prek profesionet e lira, sepse kërkon aplikimin e tatimit mbi të ardhurat kur ato kalojnë pragun deri 14 milion me një normë fitimi 15%  dhe mbi këtë prag shkon 23% (15% tatim fitim +8% dividente). Mbi 30 milion lekë ato janë detyruar të ndërojnë statusin e tyre si person fizik. Sigurisht kjo nuk prek te gjithë biznesin e vogël, por ka ndikim mbi profesionet e lira si studiot ligjore, kontabile, studio inxhnierike, studio IT, arti shkollë etj. Ligji që në fillim thotë se ky akt është bërë në përputhje me Direktivën e Këshillit (BE) 2016/1164, datë 12 korrik 2016 “Mbi përcaktimin e rregullave kundër praktikave të shmangies së tatimeve që ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e tregut të brendshëm”, e ndryshuar. Numri CELEX 32016L1164, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Evropian, seria L, nr. 193, datë 19.7.2016, f. 1–14. Biznesi i vogël shqiptar sidomos ai i prodhimit dhe tregëtisë është përjashtuar nga pagimi i tatimit duke ruajtur tatimin zero. Kjo masë që deri dje ishte e pataksuar tashmë për profesione të lira detyrohet të paguajë tatim. Duhet të bëhen edhe disa sqarime për ta parë sigurisht problemin më qartë; Së pari ky tatim nuk llogaritet mbi të gjitha të ardhurat, por vetëm mbi një pjesë pasi njihet një sasi e të ardhurave si shpenzim. Për profesionet e lira, që nuk kanë mbajtur ose deklaruar shpenzimet sipas nenit 14 të këtij ligji llogaritja e mundëson, apo u njeh si shpenzime pikën 1 të nenit ku thuhet:

“Personat fizikë, individ tregtar apo individ i vetëpunësuar, me qarkullim vjetor deri në 10 000 000 lekë, për qëllime të njohjes së shpenzimeve të zbritshme kanë të drejtë të zgjedhin një nga metodat e mëposhtme:

  1. a) Pranimin e një regjimi të veçantë, përmes të cilit shpenzimet e supozuara zbriten apriori sipas shumave të specifikuara në këtë shkronjë dhe pa iu nënshtruar kontrollit të regjistrimeve kontabël lidhur me to nga administrata tatimore.

i ). 60% të të ardhurave për veprimtaritë prodhuese. ii). 90% të të ardhurave për veprimtaritë e tregtimit me shumicë. iii). 70% të të ardhurave për veprimtaritë e tregtimit me pakicë të mallrave dhe transportit individual. iv). 60% të të ardhurave për veprimtaritë bare, restorante, disko etj., të kësaj natyre. v.) 50% të të ardhurave për veprimtaritë e shërbimeve, veprimtaritë artizanale dhe atyre zejtare. vi). 30% të të ardhurave për individët e vetëpunësuar. b) përllogaritjen e shpenzimeve të zbritshme bazuar në dokumentacionin dhe faturat respektive për çdo shpenzim.” Kështu  tatimi do të llogaritet vetëm për pjesën e mbetur, që do të jetë pika V dhe VI 30-50%, që nënkupton për 50-70% të shumës. Elementi i dytë është përllogaritja e tij paraprake dhe pagimi paraprakisht pa u vërtetuar faktet, sepse përjashtimi i tij i mëparshëm haset me një pagesë të paprtiur dhe një angazhim financiar, i cili për mjaft subjekte, apo persona fizik i gjen të papërgatitur dhe ndoshta me një mal me borxhe. Kjo do të thotë shtim i mëtejshëm i detyrimeve. Elementi i tretë është shtimi i kontrollit, sepse tash subjektet detyrohen të raportojnë për të shmangur tatimin e tepërt, apo apriori. Në këtë valë detyrimi për të deklaruar, situata faktike e çdo biznesi, përballja me riskun e pagesës dhe pasiguria për të ardhmen do të sjellë si pasojë edhe  mbylljen e një sasie biznesesh të tilla. Ajo  që është shqetësuese është se sa delikate janë këto biznese të vogla. Por kjo mund të matet me totalin e bizneseve të shërbimeve në total që mbyllen, sepse pas saj një tjetër formë do të ristrukturohet për të mos qënë si biznes i thyeshëm. Tashmë jemi 35 vjet larg viteve 90 dhe s’mund të flasim për bizneset sikur të kenë çelur dje.

Elementi i katërt është që ne bëjmë krahasime, si pakuptim. P.sh e lidhim  tatimin  mbi të ardhurat e biznesit me tatimin mbi pagat apo tatimin mbi fitimin e kompanive. Në fakt ato paraqesin gjëra krejt të  ndryshme dhe filozofi të ndryshme. Tatimet asnjëherë s’janë të njëjta dhe asnjëherë s’mund të jenë të tilla. Kompleksi i tatimeve përveçse përjashton tjetrin mund të jetë edhe komplementar, apo mund të përfshijë edhe një tatim tjetër. Prandaj ne flasim për sistem tatimor’ i cili duhet të jetë, i drejtë, i barabartë, apo proporcional. Në të gjitha  format  tatimi paraqet një formë “vjedhje” nga shteti, por do të quhet vjedhje, apo rrjepje e mirë ajo që dhemb më pak. Elementi i pestë është efekti i kësaj takse. Sigurisht që kjo taksë ka investime në pajisje, sisteme kompjuterike, softe dhe njerëz dhe mbyllje të bizneseve për të cilat i duhet të paguajë vetë shteti. Do të duhet të ketë shpenzime në kohë për deklaruesit, pagesat e tyre. Nga ana tjetër përfitimet tatimore. Qeveria duhet të llogarisë balancën e këtij shpenzimi. Kam përshtypjen se përfitimi qeveritar është më i ulët sesa kostot shtesë. Pra qeveria të ndalojë pak më shumë tek efektet dhe jo përafrimi i legjislacionit pa efekte ose me efekte negative.

Sa alarmante janë faktet se profesionet e lira janë në risk dhe po u merren paratë e djersës dhe mundit me vendimin e qeverisë për t’i tatuar deri  në 50% të fitimit të tyre?

Situata që i referoheni më duket virtual, sepse të deklarosh 50% e fitimit, kjo më duket e egzagjeruar, sepse me tatimin 50% askush nuk pajtohet. Por që ky tatim në ndonjë rast shkon mbi 30% edhe mund të hajë diskutim. Sepse të deklarosh të ardhura me pagë minimale një profesion të lirë zor se pranohet, se askush nuk hap një biznes dhe të marrë risk të investojë për një kthim zero. Po e marr me shembull për ta kuptuar më thjeshtë. Po deklaroj një rast me të ardhura totale sipas deklaratës së thjeshtuar të tatimit 10 milion lekë. Deklarimi minimal  mujor 40 mijë lekë i pagës. Zotëria ka vetëm një të punësuar përveç vetes. Pra 80 mijë lekë në muaj. Të ardhurat e pagës përfaqësojnë 80,000×12 =960,000 lekë. Qera zyre 30 mijë lek në muaj ose 360,000 lekë në vit. Ujë, drita, kancelari 5000 lekë muaj ose 60 mijë lek në vit. Më minimal s’ka. Të gjitha këto bëjnë 1,38 milion lekë. Fitimi neto 8,62 milion lekë. Tatimi 15% =1,293 milion lekë. Kjo sikur t’i mbante llogaritë. Pra % është 12.9% dhe jo 50%. Në rastin e ligjit tatimi do të ishte 10,000,000*0.7*0.15=1,050,000 lekë, Pra tatimi do të ishte 10.5%.

Edhe sikur të supozojmë të ardhura mbi 20 milion pra 25 milionë lekë tatimi do të llogaritej mbi bazë mujore. Që do të thotë për çdo muaj të ardhurat do të jenë 2,083,333 dhe kostot 30%-50% ( ne e zemë 30%) 625,000. Fitimi është 1,458,333 lekë dhe tatimi = 335417 lekë, ose 16.1%. ( 1458333* 0.23). Nuk e kuptoj ku u gjet 50%. Alarmante është fakti se përse ngrihet gjithë kjo zhurmë. Ajo që duhet të diskutohet dhe është e drejtë se përse këto fasha dhe jo fasha të tjera? A është i drejtë ky nivel tatimi dhe sa duhet të jetë? Apo nisemi nga fakti se ata investojnë në të. Të gjithë ne investojmë, diku si pronar dhe diku si të punësuar. Fakti që jemi pronar të aftësisë sonë për punë, dhe jo menaxherë të përdorimit të aftësisë për punë, apo edhe vetes në mënyrë më riskoze lidhet pikërisht se ai merr riskun dhe që të fitojë më shumë, por jo të deklarojë më pak. Pyetja që shtrohet është a duhet të paguajë për tepricën e të ardhurave prej 8.62 milion lekë, sepse edhe ato nga puna erdhën apo Jo ?

A janë këto akte, rruga drejt një rregjimi tatimor, që i bashkangjitet një rregjimi me demokraci të dobët?

Më duhet të të korigjoj se Shqipëria nuk është një rregjim, por një demokraci e brishtë. Po mund të ketë nuancë edhe të ndonjë rregjimi, për shkak të brishtësisë së demokracisë, por kjo nuk zbeh faktin se politika në Shqipëri nuk evoluon dhe mund të shkojë edhe prapa. Sistemi tatimor shqiptar nuk është i përkryer, bile mjaft problematik. Shkalla e përjashtimeve dhe mungesa e sistemit tatimor të balancuar është mjaft evidente duke rënduar mjaft shtresën e mesme dhe të varfër dhe duke lehtësuar ata me të ardhura të larta. Po kështu edhe ndryshimet e shpeshta tatimore. Po kështu evident është edhe përjashtimi apo lirimi nga tatimet i mjaft koncesioneve dhe veprimtarive me ligj për të përkrahur biznese apo biznesmenë të caktuar që qeveria i përdor apo që m’i bëjnë presione qeverisë. Futja e ligjeve apo përafrimi i ligjeve shqiptare në fushën e financave me BE, ku ne duam të shkojmë është një e mirë, por edhe një e keqe. E mira, sepse largon emrat dhe fushat e këtyre bizneseve  dhe sjell një pamje europiane. Por ana e keqe është që Shqipëria nuk ka dhe nuk mban dot peshën e standarteve europiane në fushën e pagave dhe transparencës se organeve shtetërore dhe vetë bizneset dhe personat fizikë po ashtu. Së fundmi nuk ka rëndësi tatimi si shumë: ka rëndësi ku shkon ky tatim? A e rrit mirqënien dhe ul varfërinë? Pra sa efiçente është ky grumbullim tatimor. Përdorimi i parave për rrush e kumbulla nga qeveria nuk është sinjal i mirë i vendosjes apo rritjes së taksave shtesë. Qeveria duhet të dëshmojë me prova dhe fakte se sa ka ndryshuar jeta e shqiptareve me taksat egzistuese dhe se ku do të shkojë me taksat e reja. Fakti më domethës largimi i Shqiptarëve është oguri më i keq, që nuk justifikon qeverinë të aplikojë taksa shtesë, por që t’ i tërheqë vëmëndjen t’i investojë ato me eficensë maksimale.

  1. Personat që janë të dy punësuar ku puna e dytë është me kohë të pjesshme përveç se paguajnë tatime dhe sigurime dhe taksa që ka ligji shqiptar janë të detyruar të paguajnë afërsisht një pagë vjetore shtesë pasi kështu është bërë ligji. Përse nuk merren parasysh në zbritjen e taksave pagesat për shkollimin tek privati, kopshtet çerdhet si dhe detyrimet e tjera të shpenzimeve për punësimet si karburanti, interneti etj?

Ligji përcakton se të ardhurat mujore nga punësëmi deri 176416 lekë si i punësuar për efekt të sigurimeve shoqërore paguhen nga i punësuari 9.5%. Mbi këtë shumë nuk paguan sigurime shoqërore. Kjo shume mund të jetë, ose nga vetëm një punësim ose nga dy punësime. Pra nqs të ardhurat bruto nga këto dy punësime nuk tejkalojnë këtë shumë. Shuma e të dy punësimeve deklarohet sipas punësimit ku ai merr të ardhurat në mënyrë të veçantë. Sigurimet shëndetësore paguhen mbi tërë shumën dhe nuk kanë kufizim nga shuma maksimale dhe as minimale. Elementi i tretë i tatimit është TAP (tatimi mbi të ardhurat nga puna). Ky tatim llogaritet sipas sistemit veçmas dhe duke qënë tatim progresiv ai llogaritet nqs je në një firmë i punësuar totalisht mbi shumën bruto që të jepet. Në rast se je i punësuar në dy firma, tatimi llogaritet për çdo shumë të marrë veçmas sipas çdo firme. Firma e parë dhe e dytë bën llogaritjen e tatimit sipas të ardhurave, që fiton në çdo firmë dhe tatohet për këto shuma. Pra nqs në firmën A me kohë të plotë ke pagë 140 mijë lekë dhe në firmën B me kohë të pjeshme ke 50 mijë lekë atëhere deklarimi nga sejcila firmë në muaj do të jetë:

Firma A    TAP= 15.600 lekë

Firma  B  TAP=  850 leke

Totali  TAP = 16450 lekë

Nëse do të ishte se këto të ardhura do i merrte në një Firmë pra 190,000 lek =140,000+50,000 atëhere TAP = 20,800 lekë. Pra çdo muaj do të krijoje një diferencë prej 4,350 lekë çdo muaj. Sistemi aktual të kërkon ta ndreqësh gabimin me një deklaratë tatimore në fund të muajit prill ku do të paguash diferencën. Ai s’mund të bëhet i përmuajshëm, sepse roli i firmave është vetëm roli i agjentit dhe të drejtës që ka agjenti tatimor. Nqs ke punuar ta zemë për një periudhë tatimore në dy punësim ta zemë për 8 muaj me të njëjtat kushte page atëhere do të duhet të paguash diferencën 4350*8=34,800 lekë. Zakonisht punësimi i dytë paguhet me pagë minimale gjë që rrit mjaft tatimin. Në shembullin e mësipërm me page minimale 400 mijë lekë kjo shumë është akoma më e madhe. Në këtë rast nuk ka padrejtësi, sepse dy persona që marrin të ardhura të barabarta duhet të tatohen në mënyrë të barabartë. Biles i dyti është përfitues, pra ai që punon në dy firma, sepse i jepet e drejta të përdorë këto para derisa të vijë detyrimi për të paguar.

Përsa i përket zbritjeve tatimore për efekt shkollimi, blerje shtëpie( kredi) ligji i tatimit mbi të ardhurat ka parashikime, por procedurat dhe kriteret kufizuese ka. E thënë pak më shqip, kjo artifice është bërë me qëllim që kjo klauzolë të mos zbatohet. Për ta konkretizuar neni 22 i ligjit të tatimit mbi të ardhurat thotë:-Tatimpaguesi i të ardhurave personale me të ardhura nga punësimi dhe/ose biznesi mund të zbresë nga baza tatimore për periudhën tatimore: a) një shumë prej 600 000 lekësh nëse të ardhurat vjetore janë deri 600 000 lekë, ose një shumë prej 50.000 lekësh në muaj nëse të ardhurat mujore janë deri në 50.000 lekë; b) një shumë prej 420 000 lekësh nëse të ardhurat vjetore janë mbi 600 000 lekë deri në 720 000 lekë, ose një shumë prej 35.000 lekësh në muaj nëse të ardhurat mujore janë mbi 50.000 lekë deri në 60.000 lekë; c) një shumë prej 360 000 lekësh nëse të ardhurat vjetore janë mbi 720 000 lekë, ose një shumë prej 30.000 lekësh në muaj nëse të ardhurat mujore janë mbi 60.000 lekë; ç) një shumë kompensimi për çdo fëmijë në ngarkim të tij më pak se 18 vjeç prej 48 000 lekësh. 2. Tatimpaguesi i tatimit mbi të ardhurat personale me të ardhura vjetore të tatueshme nga punësimi dhe/ose të ardhura vjetore të tatueshme nga biznesi më pak se 1 200 000 lekë mund të zbresë, përveç shumave individuale sipas pikës 1 të këtij neni, shpenzimet korrente për arsimin e fëmijëve në ngarkim të tij, në vlerën maksimale 100 000 lekë. Me bazë tatimore përfshihen:

  1. a) të ardhurat vjetore të tatueshme të punësimit; e identifikuar si paga.
  2. b) të ardhurat vjetore të tatueshme të biznesit; të ardhura nga fitimi , qeraja etj
  3. c) të ardhurat vjetore të tatueshme të investimeve nga interesat, dividenti.
  4. Baza tatimore vjetore zvogëlohet me kompensimet dhe zbritjet e përcaktuara sipas këtij ligji. Nëse diferenca midis të ardhurave vjetore të tatueshme dhe shumës totale të kompensimeve dhe zbritjeve është negative, baza tatimore vjetore konsiderohet të jetë zero.
  5. Shuma e tatimit mbi të ardhurat e pagueshme nga një person për një vit tatimor është totali i shumave të pagueshme për secilën deklaratë tatimore.

Për ta zbërthyer të gjitha të ardhurat e deklaruara vjetore janë  1,200,000 lekë në vit për efekt të zbritjeve do të merren përfitimet. ta zemë 100,000 lekë në muaj përfitimi mujor për efekt tatimi është 30 mijë x 12 muaj = 360,000 lekë. Nqs ke fëmijë shtesë i shtohet shuma 48,000 lek dhe nqs janë të dy fëmijët në shkollë edhe 100,000 lekë pra në total 508,000 lekë. Kështu paga jote përfundon 57667 dhe kompensimi tatimor (9100-3597)x12= 66,036 lekë. Ky është kompensimi që merr në fund pas deklaratës.