Flet djali i biznesmenit të zhdukur: Nuk kishte borxhe dhe as konflikte

193
Sigal

Prej 2 javësh, biznesmeni nga Kamza, Ruzhdi Hoxha 43-vjeç rezulton i zhdukur. Familjarët kanë bërë denoncim në komisariatin nr.5, pasi nuk kanë asnjë gjurmë të tij. Djali i Ruzhdi Hoxhës, tha për Klan News se ai ka dalë me shoqërinë, me të cilët njihej prej vitesh.

“Me datë 21 nga ora 12 e natës. Ka folur vëllai. Normalisht si çdo herë. Ashtu largohej normalisht pas punëve të veta. Më pas dilte i fikur. Pas 3 ditësh është bërë denoncimi në polici. Nga dita mbrapa shkova te policia. Personi i fundit? Atë e di policia, i ka policia të gjitha. Përderisa unë ia kam lënë policisë në dorë i ka policia të gjitha. Edhe sqarimin ua ka dhënë. I ka policia dyshimet të gjitha. Vetë personalisht nuk kam” – tha i biri.

Njëri prej shokëve të biznesmenit është edhe Fredi Rrushi, i cili është tashmë i arrestuar nga policia për shkak se kërkohet nga Italia për tu ekstraduar për trafik të lëndëve narkotike.

“Për personin konkret e di policia, i fundit që është parë, është parë me një shok të vetin. Se ai vetëm me shokë rrinte. Po normalisht e njoh. E ka shok prej vitesh” – tha i biri i biznesmenit.

Policia ka ngritur dyshime se ngjarja ka të bëjë me çështje borxhi, të cilat familjarët i mohojnë kategorikisht.

“S’ka lidhje çështje borxhesh. Se unë po shoh edhe disa media që po shkruajnë për çështje borxhesh e materiale ndërtimi. Me vëllanë kemi 2 biznese, 3 me gjithë karburantin. Kemi 3 biznese, unë me babin. Nuk kanë lidhje fare. Bizneset ne i kemi në zgjerim, jo në falimentim. Ne nuk kemi asnjë biznes në falimentim.

I kemi të gjithë në zgjerim e sipër. Nuk ka lidhje, nuk ka pasur borxhe, po të ketë pasur unë do ia dija. Nuk ka pasur as borxhe, asnjë lloj gjëje. Thjesht disa gënjeshtra që i bëjnë mediat kot më kot. Nga mendja e vet sepse mua nuk më ka pyetur njeri. I pari që vjen e më pyet je ti. Nuk është se më ka pyetur njeri. I thonë nga mendja vet nga aludimet e veta” – tha Saimir Hoxha.

“Jo. Kurrë konflikte. Nuk kemi pasur konflikte pune. Disa gjëra të tjera i di drejtoria, ato ju japin shpjegime” – shtoi ai.

Dy javë pas ngjarjes policia ka shoqëruar më shumë se 10 persona, por ende nuk ka të dhëna konkrete për gjetjen e biznesmenit. Nga grupi hetimor janë këqyrur disa kamera sigurie, ku dyshimet janë ngritur mbi disa automjete. Destinacioni i fundit i policisë është zona e Dajtit në kryeqytet, për të cilin po kryhen kërkime intensive.