Fillimi i Lëvizjes Demokratike në Vlorë, në vitin 1990

989
Nga Enver MEMISHAJ

Në kuadër të dhjetorit ’90 që solli ndryshimet epokale

“Detyra ndaj popullit dhe atdheut na futi në këtë udhë… “
Afrim JUPI
Këto shënime nuk përbëjnë historinë e pa kritikueshme të fillimit të Lëvizjes Demokratike në Vlorë dhe as të themelimit të Partisë Demokratike të Vlorës, por ato janë shënime, kujtime, për ç`farë kam jetuar unë me emocione të pa përsëritshme, ç`farë kam parë dhe ç`farë kam dëgjuar për ato ditë të paharruara, ku edhe kam marrë pjesë. Vlora u zgjua në saje të lajmeve që vinin nga Tirana nëpërmjet radios, televizionit por sidomos nëpërmjet studentëve vlonjatë dhe qytetarëve që shkonin e vinin atje. Një rol të rëndësishëm luajtën edhe radiot dhe televizionet e huaja që flisnin në gjuhë shqipe apo edhe në gjuhë të huaj. Vuajtja dhe mjerimi që kishte pllakosur qytetin e Vlorës, si gjithë Shqipërinë, ishte një tokë e begatshme ku mbiu guximi dhe trimëria për tu ngritur kundër diktaturës. Studentët vlonjatë morën pjesë masivisht në Lëvizjen Demokratike, përfshi edhe vajzat, ndër të cilët përmendim: Mimoza Ferra, Herkole Sava, Yzeir Muço, Enela Pici, Ardi Stefa, Arjan Nika, Adrian Kollozi, P. Zeqiri, D. Shtylla etj. Janë shumë ata që sillnin lajme nga Tirana, dhe që ushtronin propagandë për të ngritur njerëzit kundër regjimit diktatorial, ashtu siç po bënin studentet në Tiranë të përkrahur nga qytetarët atje. Pas themelimit të Partisë Demokratike në Tiranë, më 12 dhjetor 1990, vlonjat me ndjenjën e atdhetarizmit dhe intuitën e lirisë, si gjithmonë në historinë e Shqipërisë vrapuan në Tiranë që të mos mbeteshin pas nga shtetasit e tjerë. E ndienin se po afronte ndryshimi i madh se Partia e re po hapte për vendin një epokë të re. Atje shkuan shumë individë. Alfred Ziaji, i cili duke përfituar nga miqësia me profesor Gramoz Pashkon lozi një rol aktiv në përhapjen e ideve demokratike dhe themelimin e Partisë Demokratike, në Vlorë. 
Bilal Çela tregon se: Në dhjetor të vitit 1990, unë isha shef i financës së Kooperativës Bujqësore të Nartës. Këtë muaj, atje u hodhën trakte kundër diktaturës komuniste… Kjo ngjarje më nxiti që më 20 dhjetor 1990, të shkoja në Tiranë dhe të takoja Arben Imamin, Gramoz Pashkon dhe Azem Hajdarin. Ata më pyetën në se e njihja Alfred Ziajin, futbollistin e famshëm të “Flamurtarit“ ? U përgjigja se jo vetëm e njihja por e kisha edhe fqinj, atëherë më dhanë një autorizim dhe më thanë të krijoja seksionin e PD-së dhe të prisja se ata do të vinin në Vlorë për të themeluar Partinë Demokratike. Atje shkoi edhe Aleks Tahiri zootekniku i Kooperativës Bujqësore të Mesaplikut, pasi kishte formuar seksionin e Partisë Demokratike në krahinën e Smokthinës. Në Tiranë ka shkuar edhe Ajeti, djali i Ventigjar Hamzarajt i dërguar për informacion nga i ati dhe Roland Tafili. Më 21 dhjetor 1990, kanë shkuar në Tiranë edhe dy inxhinierë të Fabrikës së Çimentos, Fatos Veipi dhe Mario Sota, të cilët kanë marrë autorizim prej Azem Hajdarit për formimin e seksioneve të Partisë Demokratike në Vlorë. Të dy këta inxhinierë sapo u kthyen nga Tirana bashkëpunuan ngushtë me shokët e tyre Alfred Ziajin dhe Ferdinand Sulën, duke u bërë kështu eksponent të themelimit të Partisë Demokratike. Ferdinand Sula më pas do të dilte në krye të Sindikatave të Pavarura të qytetit të Vlorës. Atje shkuan edhe shumë qytetarë të tjerë vlonjat. Më 21 dhjetor 1990 një grup i Ndërmarrjes së Shpim Kërkimit për Naftë e Gaz i përbërë prej drejtorit Afrim Jupit, shefit të planit Manol Bono, përgjegjësit të ofiçinës Maksim Hitaj, mekanikut Asllan Shakaj, me makinën që drejtohej nga shoferi Koço Ninia shkuan në Tiranë dhe në kushtet e vështira të kohës mundën të takohen me udhëheqësit e Partisë Demokratikë Azem Hajdarin e Sali Berishën, i cili ishte shprehur: Ne Vlorën kemi pritur! Kështu, në Vlorë, fillojnë të lëvizin, të bisedojnë, të komentojnë dhe në fund të organizohen pothuajse në të gjitha ndërmarrjet e qytetit. Por edhe Komiteti Partisë së Punës nuk flinte, ai organizonte mbledhje me punonjësit e ndërmarrjeve të ndryshme, për të sqaruar “drejtësinë” e vijës politike të Partisë së Punës dhe për të qenë vigjilent ndaj “propagandës armiqësore”, kundër sistemit socialist!?Si shembull po tregojmë mbledhjen në Ndërmarrjen e Shpim Kërkimit për Naftë e Gaz: Kjo ndërmarrje e drejtuar nga inxhinieri Afrim Jupi ishte e para dhe që u përfshi tërësisht në Lëvizjen Demokratike. Afrim Jupi ishte drejtori parë dhe i vetmi në Vlorë, që u nda prej ideologjisë komuniste dhe u vu në udhëheqje të Lëvizjes Demokratike dhe më vonë të Partisë Demokratike, së bashku me: Manol Bono, Irma Halili Nexhat Veipi, Asllan Shakaj, Maksim Hitaj, Vjeni Aliaj etj. Zëri i Ndërmarrjes së Shpim Kërkimit për Nafte dhe Gaz po ndihej e dëgjohej gjithnjë e më shumë në qytetin e Vlorës, prandaj në këtë ndërmarrje shkuan autoritetet më ta larta të Partisë dhe Pushtetit të Rrethit: Sekretari i parë sh. Halil Hasko nga Dukati, Kryetari Komitetit sh. Luan Muhameti nga Mazhari, me dy instruktorë Kujtim Sulçe dhe Spiro Lula. Në tribunë me ta ishte drejtori ndërmarrjes Afrim Jupi dhe sekretari partisë Bashkim Seiti, i cili merrte informacion prej të vëllait tij ambasador dhe ua transmetonte shokëve të ndërmarrjes, duke kaluar edhe ky në përkrahje të Lëvizjes Demokratike. Të gjithë kishin dhe shprehën të njëjtin mendim se politika duhej ndryshuar sa më parë. Të shprehje në atë kohë një mendim të tillë kur mungonte absolutisht liria e fjalës ishte një heroizëm që duhet vlerësuar dhe duhen kujtuar me respekt ata nëpunës të asaj administrate. Mbi të gjithë ushtonte zëri i të ndierës Irma Halili, bijë e një komunisti nga Gumenica e Vlorës dhe bashkëshorte e një oficeri. Ishte krijuar për të rënë në sy. Zoti e kishte lindur këtë femër me të gjitha cilësitë që i duhen njeriut për të „mbretëruar“ E kisha takuar pak herë këtë grua të zjarrtë nëpërmjet mikut tim Manol Bono. E aftë nga ana profesionale, po punonte për të marrë doktoraturën në ekonomi, e respektuar, e gjallë, shoqe e klasit të parë, e bukur si ajo, ajo që në takimin e parë të linte mbresa të thella. Pse ishte e tille Zoti e mori shumë shpejt pranë vetes, në një moshe fare të re, duke lënë në pikëllim dy fëmijët e sajë, burrin, prindërit dhe motrat. Tek shokët dhe shoqet e sajë që e njohën dhe patën fatin të punonin me të ajo la mbresa të pa shlyera. Ajo e para dhe me guxim pyeti komunistët Halil Hasko dhe Kujtim Sulçe:- Ç`të keqe ka që të futemi në ekonominë e tregut si gjithë Evropa?
Halil Hasko i ktheu përgjigjen standarde: “Kjo ndërmarrje paska rënë në dorë të armikut dhe kjo vajzë kërkon përmbysjen e pushtetit popullor”!- Po, tha trimëresha shqiptare, veçse atë nuk e kërkoj vetëm unë, por i gjithë populli shqiptar. Pas Irmës, u ngrit komunisti Thanas Vëngu, fytyrat e Halil Haskos dhe Kujtim Sulçes u gjallëruan, por u gënjyen, sepse Thanasi ua “plasi në dorë bombën” udhëheqësve të partisë. Thanasi ishte demokrat i lindur. Thanasi, siç thotë populli, “e vuri përpara” udhëheqjen e Partisë dhe u bë promotori asaj mbledhjeje të paharruar. Pas tij u ngrit Manol Bono, ekonomist i njohur, që dinte të bisedonte shtruar me popullin duke u ulur në nivelin e tij dhe duke u bërë kështu një figurë shumë e dashur dhe nderuar nga të gjithë. Manolin e kisha mik ia njihja mençurinë dhe guximin. Bashkë kishim kryer studimet pasuniversitare dhe bisedonim vazhdimisht për varfërinë dhe mjerimin që kishte pllakosur vendin. Inxhinieri Selim Kondi me atë gjuhën e tij prej Ezopi. Me të njëjtën gjuhë trimërore folën: Maksim Hitaj, Asllan Shakaj, Agron Delia, Vjeni Aliaj, Nexhat Veipi etj. Kështu pra shumë punonjës të kësaj ndërmarrje ju futën udhës së demokracisë me guxim dhe nuk u tërhoqën asnjëherë, pavarësisht dallgëve të jetës. 
Afrim Jupi me guxim e shndërroi ndërmarrjen që drejtonte në një qendër të zjarrtë për përmbysjen e diktaturës komuniste. Ai nuk u tërhoq përpara kërcënimeve dhe shantazheve, me guximin e tij, me mençurinë e tij, me autoritetin e tij, ai shumë shpejt u bë figurë qendrore e demokratëve të Vlorës dhe ata i besuan atij udhëheqjen e Partisë Demokratikë, detyrë të cilën e kreu me nder duke mbetur në historinë e qytetit të Vlorës përgjithmonë. Para se të hipte në tribunën e e mitingut madhështor të 6 janarit 1991, që organizonte Partia Demokratike, atë e kishte thirrur Lavdosh Ahmetaj, Ministër i Energjetikës dhe i kishte thënë:- Afrim nuk të shoh dot në atë tribunë, tërhiqu!
– Edhe unë – i tha Afrimi – nuk të shihja dot ty për 50 vjet rresht në tribunat e Enver Hoxhës. Kështu ishte mbyllur kjo bisedë. Në Uzinën e Sodës një burrë trim, Dashamir Frakulla, në atë kohë përgjegjës i Repartit të Elektrolizës, në gusht të vitit 1990, kishte udhëhequr të gjithë punëtorët e këtij reparti për të bërë një peticion qeverisë, me kërkesa ekonomike për rritje pagash, leje vjetore, përmirësimin e kushteve të punës etj. Për kohën, kjo ishte një ngjarje e jashtëzakonshme, s`kishte ndodhur më parë, prandaj Policia Sekrete e quajti punë armiqësore, sepse drejtohej kundër politikës së Partisë së Punës. Për këtë arsye, shteti komunist u alarmua. Në Uzinën e Sodës dhe PVC erdhi vetë anëtari Byrosë Politike të Partisë së Punës Besnik Bekteshi, për të zbuluar “aktivitetin armiqësor” që po mundohej të zhvillonte armiku i klasës!?Sigurimi i Shtetit u angazhua të gjente se kush ishte ideatori dhe organizatori këtij peticioni. Pas hetimeve dhe informacioneve të bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, që sot njihen, por mendojmë t`i bëjmë të ditur në një material tjetër, rezultoi se ai që kishte organizuar nënshkrimin e këtij peticioni “armiqësor” ishte Dashamir Frakulla, për të cilin hapën një proces hetimor. Dashamiri u thirr në hetuesi nga Lulo Imeri dhe iu bë presion mizor që të tregonte se kush fshihej pas tij dhe cilat ishin qëllimet e vërteta të peticionit. Ai shpëtoi për mrekulli, sepse një grua mençur, Gjenovefa Gaba, në atë kohë prokurore, refuzoi firmosjen e arrestimit të tij. Edhe ndërmarrjet e tjera, vlonin nga idetë e reja. 
Vijon …
Sigal