Festa e bektashinjve, mijëra qytetarë bëhen bashkë në vendin e shenjtë në Përmet

280
Sigal

Muaji maj bashkoi disa festa fetare në Shqipëri. Kaluam pashkët katolike dhe ortodokse. Më pas festa e Fitër Bajramit dhe sot këtu në jug të Shqipërisë kremtohet festa e teqesë bektashiane të Ali Postivanit. Me gjithë rrugën e amortizuar, mijëra besimtarë u drejtuan në skajin më të lartë të kësaj zone të Përmetit ku është ndërtuar ky objekt kulti.

Për ta kjo festë do të thotë më shumë shpresë dhe fat për të ardhmen. “Kemi ardhur nga Korça për të festuar tek ky vendi shenjtë. Kemi besim tek teqeja e Ali Postivanit”, u shpreh një besimtar. “I uroj gjithë besimtarëve gëzuar festën. Edhe Baba Hekuranit i uroj gëzuar këtë festë të bekuar”, tha një tjetër. “Urime për gjithë njerëzimin. Shëndet dhe mbarësi se është ditë e shënuar”, pohoi një tjetër besimtare.

Këtu në teqenë bektashiane të Ali Postivanit vijnë qytetarë të besimeve të ndryshme fetare. Këtu prezantohet më së miri harmonia që ka Shqipëria si një nga vendet e pakta në botë me bashkëjetesë të tilla. “Kanë ardhur nga të gjitha besimet, katolikë, ortodoksë, myslimanë . Unë kam qenë këtu bashkë me baba Hekuranin. Të gjithë janë të kënaqur nga kjo teqe e shenjtë, nga ky vend. Uroj gjithë besimtarët gëzuar mbarë jua bëftë të gjithëve”, tha Eqerem Ali Muhib. Mijëra besimtarë bektashianë dhe besimeve të tjera bashkohen në Teqenë e Ali Postivanit në Përmet.