Familjarët e militantëve në zyrat e shtetit, fëmijët e qytetarëve të thjesht në azil

112
Sigal

Lidhjet nepotike kthejnë administratën shtetërore në ‘depo’ të punësimeve partiake, duke fryrë administratën, ku 60% e vendeve zihen me “mik”. Reforma Administrative kishte si qëllim uljen e shpenzimeve në pushtetin lokal, por administrate e saj i ka dyfishuar të punësuarit, duke rritur shpenzimet me 210 mln. USD më shumë. Shërbimet dhe financimet në ish-komuna mungojnë,  duke detyruar qytetarët të marrin rrugët e botës

Ja si janë punësuar të afërmit dhe militantët e partisë në zyrat e shtetit, ndërkohë që fëmijët e qytetarëve të thjeshtë kërkojnë azil drejt vendeve të botës

Numri i të punësuarve në ujësjellës është rritur me 2500 persona, administrata mbi 185 mijë nga 85 mijë që duhet të jetë. Në 6 vetë vetëm një punon dhe pesë të tjerë bëjnë sehir dhe ai që punon, do neglizhojë, duke ulur cilësinë e shërbimit

Reforma Territoriale për pushtetarët u miratua në 2014 me preferencat e mazhorancës dhe me bojkotimin në Kuvend nga opozita asokohe. Është komentuar shumë se me 61 bashki u krijua si një përpjekje nga e majta në qeveri për të marrë zgjedhjet në tavolinë.

Shkrirja e komunave dhe caktimi i një administratori për secilën u bë nën argumentin e maxhorancës për uljen e kostove, që kishin 373 njësitë e vjetra vendore, por faktet tregojnë se buxheti i shtetit po paguan më shumë sot.

Në atë kohë, sipas shifrave zyrtare, numri i punonjësve ishte 19,625 persona. Ndërkohë, 7 vite më vonë, numri i punonjësve ka arritur mbi 31,000 persona flitet rreth 37 mijë në 61 bashkitë e vendit. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave nga 4.6 miliardë lekë që ishin shpenzimet për paga në gjashtëmujorin e parë të vitit 2015, ato arritën në 6.3 miliardë lekë në janar-qershor 2016. Dhe sipas analizës së Co PLAN në vitin 2018, bashkitë shpenzuan rreth 21.2 miliardë lekë për personelin, në rritje me rreth 7.2% në terma vjetorë.

Është konsideruar edhe sfidë në atë kohë nga Kryeministri Edi Rama se do shkurtohej personel dhe ata që sipas tij merrnin rrogën sot. Sakaq me fryrjen e administratës shpenzimet e personelit nga rreth 18.5% u rritën në 23.6% dhe u shtuan kostot për qytetarët.

Falë reformës territoriale përfaqësuesit e administratës nga 19 mijë punonjës, që ishin në implementimin e reformës, janë rritur në 37 mijë punonjës. Në një vit shpenzimet për pagat arritën 21.2 miliardë lekë

Strapacime për qytetarët

Një qytetari në Lurë i duhen 6 orë të mbërrijë në qendrën në Peshkopi. Leskoviku do 50 km të shkojë e 50 të vijë në Kolonjë. Janë strapacime të një qytetari, që paguan taksë njëlloj dhe nuk aksesohet njëlloj shërbimi publik dhe i duhet të shtojë kostot nga xhepi i vetë qoftë edhe për të marrë një cerfikatë martesore, ose për të bërë vërtetim pagesën.

Reforma në 2014 synonte bashki të pavarura vetëm nga pushteti qendror. Kemi bashki totalisht të varura buxheti, taksa, pasuritë natyrore, kontrolli i territorit etj. Decentralizim e autonomi nuk ka. Synohej bashkimi i zonave rurale me ato urbane, por  Rilindja urbane është e fokusuar vetëm në qendrat e qyteteve. Janë derdhur mln euro në qendra të qyteteve, por nuk është përmirësuar jeta e zonave rurale.

Ujësjellësit kanë 71% më shumë të punësuar se 7 vite më parë

Që nga viti 2015 kur ujësjellësit u bënë pronë e bashkive, numri i punësimeve është rritur me plot 71%. Vetë Enti Rregullator i Ujit iu kërkon bashkive t’iu japin fund punësimeve nepotike apo partiake në këtë sektor. Ndërkohë që bëhet thirrje për uljen e shpenzimeve të kota, punësimet partiake nuk kanë fund.

Kostot e larta nuk i kanë penguar shoqëritë e ujësjellësve ta fryjnë administratën. Nga viti 2015 numri i të punësuarve në ujësjellës është rritur me 2500 persona, krahasuar me tetë vite më parë.

Në raportin e fundit, ERRU, që mat performancën e 58 shoqërive të ujësjellësve në vend, vë në dukje se sektori vijoi të mbingarkohej me staf edhe gjatë vitit 2021, duke u shtuar me 191 punonjës. Ekspertët, por edhe vetë institucionet, pranojnë se shpesh herë punësimet janë bërë pa arsimin përkatës dhe të bazuara në kritere partiake.

Në këtë drejtim kërkohet një angazhim më i madh nga shoqëritë dhe bashkitë përkatëse, për të eliminuar punësimet nepotike apo të karakterit politik”, -thekson ERRU.

Fryrja e administratës së Ujësjellësve u konsiderua një praktikë “kriminale”, që duhet të marrë fund, edhe nga vetë kryeministri Rama. Gjatë një takimi me kryebashkiakët në Pogradec, gjatë korrikut 2022, ai tha se kemi 6 herë më shumë punonjës në Ujësjellës sesa na duhen.

“Në 6 vetë vetëm një punon dhe pesë të tjerë bëjnë sehir dhe ai që punon, do neglizhojë, duke ulur cilësinë e shërbimit”, shprehet Bardhyl Samarxhiu, një ish-punonjës i Ujësjellësit, Elbasan. Në krye të listës së shoqërive të ujësjellësit, që kanë rritur ndjeshëm numrin e punonjësve, qëndron ai i Tiranës me 69 punonjës për shkak të ristrukturimit të shoqërisë.

Ujësjellësi i Elbasanit e shtoi administratën përgjatë vitit 2021 me 93 punonjës, nga të cilët, 50 punonjës në pozicionin Task-Force dhe juristë dhe 43 punonjës të nënkontraktuar për shërbimin e rojeve. Edhe Ujësjellësi Kamëz e shtoi numrin e punonjësve me 51 persona për shkak të zgjerimit të zonës së shërbimit me 5,000 abonentë të rinj.

Një qytetari në Lurë i duhen 6 orë të mbërrijë në qendrën: në Peshkopi. Leskoviku do 50 km të shkojë e 50 të vijë në Kolonjë. Janë strapacime të një qytetari, që paguan taksë i duhet të shtojë kostot nga xhepi i vetë qoftë edhe për të marrë një cerfikatë martesore, ose për të bërë vërtetim pagesën.

Taksat e qytetarëve si qoka për vota

Situata ekonomike në Shqipëri është më e rënda që nga viti 1991, por kjo nuk e ka penguar qeverinë Rama të shtojë në mënyrë marramendëse numrin e punonjësve provizor në administratën shtetërore duke arritur shifrat më të larta që nga viti 2005. Punësimet në administratë bëhen në bazë të numrit të popullsisë dhe nivelit ekonomik të vendit. Dhe sipas këshillave të organizmave europian, por edhe sugjerimeve të FMN, Shqipëria për numrin e popullsisë nuk duhet të ketë më shumë se 85 mijë të punësuar në Administratën Qëndrore dhe atë Lokale dhe jo 182 mijë e 500 të punësuar. Sipas të dhënave zyrtare çdo i punësuar i ri kushton shtetit 580 mijë lekë në muaj.

Shpeshherë kemi dëgjuar se nderet që i bëjnë njëri tjetrit “baballarët” tanë të kombit është punësimi i të afërmeve në konsullata dhe ambasada, ministri e drejtori. Larg Shqipërisë, por edhe larg kontrollit shtetëror. Diplomatë janë djemtë, vajzat, nënat, baballarët, motrat, vëllezërit, kunatat, kunetërit, kushërinjtë, etj, etj të krerëve dhe ish-krerëve të shtetit. Gjithsecili e ka rregulluar me mik, pasi përveç pagës së vendit ku dhe është emëruar, përfiton bonuse. Kjo situatë në Shqipëri është kthyer në një praktikë të zakonshme dhe nuk mungojnë rastet në ente si tatimet, hipotekat, ujësjëllësit, madje dhe në Qytetin Studenti, kjo diktuar lehtësisht nga shifrat që evidenton fryrja e adiministratës. Ndërkohë që fryrja e këtyre insitucioneve nuk ka asnjë impakt tek shërbimet dhe se punësimi i tyre bëhet vetëm për karriget dhe votat e atyre në pushtet.

Raporti: 60 % e vendeve të punës në Shqipëri zihen me “mik”

Tregu shqiptar funksionon ende me “mik” kur bëhet fjalë për fjalë për punësimin në sektorin privat apo atë publik. Strategjia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive 2023-2030, e hedhur për konsultim publik, nxjerr në pah se mekanizmi i tregut të punës në Shqipëri ka ende nevojë për përmirësim, përsa i përket ndërmjetësimit efikas dhe gjithpërshirëses, si dhe përputhjes më të mirë të ofertës dhe kërkesës për punë, krahasuar me nivelin mesatar në vendet e BE-së.

Sipas dokumentit, kanalet joformale siç janë kontaktet personale apo rekomandimet nga të tjerët, janë – deri tani – kanali më i rëndësishëm dhe më i përdorur për rekrutimin e punonjësve. Në dokument thuhet se kompanitë dinamike, kompanitë e mëdha dhe ato me pronësi të huaj janë më të prirura të shfytëzojnë kanalet joformale për rektrutimin e stafit.

Strategjia vë në dukje se dominimi i kanaleve joformale në rreth 60% dhe ofrimi i vendeve të punës për ata, që tashmë janë të punësuar në biznese të tjera rreth 10%, janë indikatorë të vështirësive që kanë punëdhënësit në identifikimin e punonjësve me aftësitë e duhura, si dhe në identifikimin e punonjësve nëpërmjet kanaleve formale dhe shërbimeve profesionale.