Faktet që vërtetojnë dështimin e 300 ditëve të Saimir Tahirit

518
Sigal

Në 300 ditshin e analizave të nisura nga Institucionet Qendrore, një vend të rëndësishëm padyshim që zë edhe rendi dhe siguria. Nuk ka ka asnjë gjë më të shtrenjtë se sa jeta e njeriut. Me këtë do të kuptojmë se respektimi, parandalimi dhe zbulimi i një ngjarje të rëndë dhe kriminale është dhe duhet të jetë motivi i çdo punonjësi të policisë së shtetit që nga momenti që merr shërbimin dhe detyrën e ngarkuar në bazë dhe zbatim të Ligjit për Policinë e Shtetit. Në Shqipëri gjërat thuhet se harrohen shpejt dhe se më e shumta “zgjat tre ditë”. Politikanët tanë kur janë në opozitë flasin të përbetuar dhe me zemër në dorë për drejtësi, rend dhe siguri, ndërsa kur janë në pushtet harrojnë premtimet, meritën se kush i uli në atë karrige, duke u kthyer në mëkatarë. Politikanët, do të thoshte një shkrimtarë i shquar do të vlerësohen për punët e tyre nga ajo se si kanë udhëhequr, kur janë në krye të shtetit dhe jo se si kanë sunduar kur hipën në pushtet. Ata do të vlerësohen nëse kanë ndërtuar apo rrënuar… aq më keq, kur bëhet fjalë për fantazira të sëmura si ajo e tritolit. Qytetarët do i duan politikanët, nëse ata kanë shërbyer dhe do i urrejnë nëse ata kanë rrëmbyer, do t’i shikojnë si çlirimtarë ose në të kundërtën si tradhtarë. Në fund nuk ka nevojë për analiza formale, sepse peshorja e analizave të tipit 300 ditësh apo 1200 ditësh do kalojë nëpërmjet votës qytetare. Ndaj analizat duhet të jenë jo politike, por profesionale të njihen meritat, por të ndëshkohen dhe riparohen mëkatet. Në këtë kuadër, ndoqëm me vëmendje edhe analizën 300 ditore të ministrit Saimir Tahiri. Kjo jo për ndonjë arsye të veçantë, por për vetë faktin se rendi dhe siguria e jetës është në situatën me të rëndë dhe pasiguria është evidente. Këtu kemi parasysh, vrasjet, aksidentet, vjedhjet, korrupsionin, krimin, drogën, trafiqet etj.. Menduam se bindjet e Saimir Tahirit nuk mund të rezistonin përpara arsyes dhe fakteve të rrepta. Por zhgënjimi ishte maksimalë dhe i paimagjinueshëm. Filozofi i madh grek, Aristoteli ka lënë pas postulatin, filozofinë e lashtësisë, e cila është më aktuale se kurrë: “E kam mik Platonin, po më shumë dua të vërtetën” . Sa e vërtetë ishte analiza e Ministrisë së Brendshme? Sigurisht, që ne mund t’i marrim faktet dhe ngjarjet dhe t’i analizojmë një e nga një, jo për të urryer të tërën punë të bërë në atë institucion. Ka punë të mira dhe profesionale, sikurse ishte aksioni antidrogë i Lazaratit, por ka edhe marrëzira të cilat nuk duhet të bëhen shkak për të urryer të tërën sikurse është atentati mafioz ndaj Artan Santos në mes të Tiranës dhe agjentëve me dhe pa uniformë të shtetit, të cilët u strukën si minjtë përballë një mburracaku që i dridhej dora dhe madje iu fik edhe motori. Po cila është detyra e policisë së shtetit e cila mbahet, ushqehet, vishet dhe paguhet nga taksapaguesit dhe nga ai qytetari Artan Santo dhe dhjetëra të tjerë që do i përmendim më poshtë? Detyra e këtyre punonjësve është e përcaktuar në Ligjin për Policinë e Shtetit, ku Neni 4, përcakton përgjegjësitë e Policisë, të cilat janë:

Neni 4

Përgjegjësitë e Policisë

1. Përgjegjësitë e Policisë janë si më poshtë:

a) të mbrojë jetën e njerëzve, sigurinë dhe pronën e tyre personale;

b) të parandalojë, të zbulojë dhe të hetojë, në përputhje me ligjin penal dhe me ligjin procedural penal,

veprat penale dhe autorët e kryerjes së tyre;

c) të mbrojë rendin dhe sigurinë publike;

ç) të mbikëqyrë dhe të drejtojë trafikun rrugor në rrugë për përdorim publik, në përputhje me legjislacionin rrugor;

d) të mbikëqyrë dhe të kontrollojë kufijtë shtetërorë të Republikës së Shqipërisë;

dh) të mbrojë individë, mjedise dhe objekte të caktuara nga rreziqe të mundshme;

e) të administrojë dhe të mbrojë informacionin e klasifikuar, me përjashtim të rasteve kur përcaktohet

ndryshe në legjislacion;

ë) të kryejë detyrat e parashtruara në këtë ligj, në ligje të tjera, si dhe në aktet nënligjore, të cilat parashikojnë detyra për Policinë.

Këtej duhej ta fillonte analizën Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe ai duhej të orientonte vartësit e vetë dhe Policinë e Shtetit që me përgjegjësi qytetare dhe profesionalizëm të vinin gishtin mbi plagë. Ai duhej ta fillonte nga stafi më i ngushtë që ka përzgjedhur, drejtuesit e policisë në qendër dhe bazë, deri tek polici më i thjeshtë. Në fund të fundit, Saimir Tahiri nuk është as agjent i krimeve, as polic i patrullës së rendit. Ai është një drejtues politik dhe duhej t’u kërkonte llogari për këtë situatë të rëndë kriminale të “besuarve të marrë rishtas”, apo atyre që ka gjetur në këtë dikaster. Rilindja Shqiptare dhe Kryeministri Rama, nëpërmjet të deleguarit të tij Tahiri, kishte premtuar që në krye të 300 ditëshit do të vendoste rendin dhe sigurinë në vend. Pikërisht për këtë, qytetarët votuan masivisht duke ndëshkuar me 1 milion shpulla të djathtët shqiptarë. Përse duhej ta fillonte me fotot dhe pamjet filmike të deputetëve të djathtë ministri Tahiri dhe nuk e filloi me fotot e vrasësve të Artan Santos? Nga ana profesionale qëndrimi, ikja dhe fshehja në skuta e policisë së shtetit dhe policisë private përbëjnë turpin më të madh për Ministrinë e Brendshme. Nuk po merremi me masat ndëshkuese, sepse ato duhen marrë dhe çdo ditë që vonohet përbën një skandal më vete. Policia e shtetit, patrullat, grupet e gatshme, salla operative dhe kamerat duhet të venë në bankën e të akuzuarve për shpërdorim detyre dhe shkelje të betimit të tyre ushtarak. Policët private duhet të largohen dhe t’u hiqet menjëherë licenca dhe bashkë me të edhe ndëshkimi ligjor. Vetëm kështu të gjithë do ndjejnë detyrimin ndaj shtetit dhe shtetasve si dhe do të bëjnë që ata vetë ( të ndëshkuarit ), familjarët dhe farefisi do hapin veshë e sy për të marrë veshë, pse jo dhe informuar, të dhëna të cilat mund të çojnë në zbulimin e krimit, pasi indirekt rehabilitojnë edhe veten. Ndaj Ministri dhe analiza 300 ditore duhej të fillonte nga pamjet filmike të vrasjes së Santos dhe jo me ato të debateve politike me deputetët, pasi deputetët aty janë dhe me ta merresh edhe sot që ka kaluar 1 muaj nga vrasja mafioze e bankierit Santo. Ministri Saimir Tahiri duhet t’u kërkojë llogari vartësve të vetë se çfarë është bërë me zbulueshmërinë e ngjarjeve për të cilat ai premtoi kur ishte në opozitë dhe mbi bazën e këtyre premtimeve mori votat e qytetarëve. Zoti Tahiri! Shqiptarët dhe europianët prisnin në analizën tuaj 300 ditore se çfarë është bërë për zbulimin e ngjarjeve të mëposhtme të premtuara para votuesve:

 1- Vrasja e Xhindit ende pa u zbardhur …

2- Zbardhja e vrasjes së Gjyqtarit Konomi në Vlorë …

3-Zbardhja e vrasjes së Oficerit të SHISH në Durrës dhe djegia e makinës …

4-Vrasja e Kryetarit të Komunës në Kukës …

5- Vrasja e Shefit të Policisë së Kombinatit …

6-Djegia e makinës së Shpëtim Gjikës dhe disa tritolevënie në Vlorë të makinave të emigrantëve…

7- Vrasja me silenciator e ish biznesmenit të Lojërave të Fatit …

8-Vrasja e ish-magazinierit të KQZ-së …

9- Tritoli i Prefektit të Vlorës Besnik Dervishi…

10- Grabitja e Babagjyshave të vitit të Ri tek TEG dhe djegia e makinës …

11- Grabitja e Kambistëve në Durrës dhe makina tip foristradë Land-Rover me targa Angleze gjendet në Laç, por autorët ende jo…

12- Grabitja Vrasja e të Burgosurve në Rrogozhinë pas pritës ku u vra i dënuari ..dhe kunati i vet. Vrasësit djegin makinën midis Lushnjës dhe Fierit…

Ja këto donin dhe duan të dinë taksapaguesit që ju paguajnë Ju dhe gjithë stafin që ju përzgjodhët, nëpërmjet vetos personale dhe kolaboracionistëve të Rilindjes. Në këtë 300 ditësh zoti Ministër ju duhej të kishit në duart tuaja materialet voluminoze të përgatitura nga agjentët e hetimit dhe zbulimit dhe ti kishit bërë gati dosjet për në prokurori. Por ju jo vetëm dosjet që nuk keni gati, por edhe prova janë zhdukur nga agjentët tuaj bërë pazare me kriminelët në këmbim të ndarjes së ryshfetit. Sigurisht, që pjesën dërrmuese ju e gjetët në ato vende, por kjo nuk ju përjashton nga përgjegjësia se përse vazhdoni të mbani të inkriminuar në radhët e policisë. Akoma më keq, kur janë larguar një pjesë e njerëzve profesionistë dhe ata janë zëvendësuar me persona me precedent penalë dhe të skeduar brenda dhe jashtë vendit për trafiqe, drogë etj.

13- Ende dhe sot e kësaj dite nuk ka asnjë të dhënë për ngjarjen e datës 20 janar 2014, ku është hedhur në erë me telekomandë makina e kreut të komunës Qendër Vlorë, Fredo Berberi 54 vjeç. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të Poliklinikës së qytetit, ose e thënë ndryshe në mesë të Vlorës. Ende pa autorë.

14- Në datë 21 Janar 2014 një sasi tritoli ka shpërthyer në banesën e shefit të policisë së burgjeve në Kampin e Riedukimit në Fushë-Krujë, Lulzim Haxhia. Ende pa autorë.

15- Në datë 22 Janar 2014 në Orikum të Vlorës, maskat grabisin BKT-ne dhe djegin makinën. Ende pa autorë.

16- Në datë 23 Janar 2014 në Durrës është vendosur tritol makinës së biznesmenit të ndërtimeve, 48 vjeçarit Xhemal Çela. Shpërthimi ndodhi në zonën e plazhit të bllokmenëve të rinj dhe në datë 24 Janar, personi në fjalë vdes në spitalin Ushtarak në orën 13 .40 minuta. Ende pa autorë.

17 – Në datën 25 Janar 2014, rreth orës 01.10’ kapet i arratisuri nga burgjet Greke Ilir (Albert) Kupa, 27 vjeç, ndërkohë që dy bashkëpunëtorët e tij të akuzuar edhe si Babagjyshat e TEG-ut i ikin policisë e cila kishte 48 orë që i mbante nën survejim ( sipas njoftimit të vetë policisë). Bashkëpunëtorët ende nuk janë kapur.

18 –Më 26 Janar 2014, fugonit të pasagjerëve të policisë më 25 Janar në Lezhë i vendoset tritol. Ende nuk ka autorë.

19- Më datë 27 Janar 2014, shpërthim ne Fushë-Krujë në një mobilieri me tritol. Autorët djegin makinën ne Kamëz.

20- Më datën 27.01.2014, rreth orës 01.20 minuta të mëngjesit, në aksin rrugor Tepelenë- Mallakastër, në vendin e quajtur Mogila, qëllohet me armë në drejtim të faqes anësore të autobusit me targa AA 578 GC, të linjës ndërkombëtare Athinë -Tiranë .Fillimisht plagoset dhe më vonë humb jetën L.T 25 vjeç nga Elbasani.

 Ja për këto donin të dinin qytetarët, zoti Ministër i Brendshëm! Dhe Ju në vend të saj, vazhdoni të silleni me arrogancë, a thua se ua kanë lënë me trashëgimni pushtetin dhe jetën e taksapaguesve (votuesve ) shqiptarë. Por le të vazhdojmë me rastin më skandaloz.

 21- Një person i trembur dhe i penduar për disa bashkëpunime në vrasje, vete dhe denoncon më datë 29 Janar 2014 tek Prefekti i Fierit. Ky e përzë dhe e dërgon në Komisariatin e Durrësit. Komisariati nuk i merr denoncimin, se në komisariat kishte njerëz të implikuar me ata që porositën vrasjen. Në momentin kur i penduari shkon tek TV News 24 për ta bërë publike, policia vihet në lëvizje dhe dërgon nga Durrësi makinën për ta marrë dhe që më vonë u propagandua si arritje e policisë dhe sektorit të krimeve. Edhe për këtë rast asnjë masë, asnjë ndëshkim. Kjo është më shumë se të jesh bashkëpunëtor me kriminelin dhe tritolvënësin.

 22- Me 4 Shkurt 2014: Një person që për policinë është i sëmurë mendor ka qëlluar me armë zjarri dhe ka vrarë dy vëllezër në Laç.

   23- Datë 08 shkurt 2013, ditën, kur bëhej ceremonia e lamtumirës së Vaçe Zelës. Ndodhën:

– Aksident në rrugën Kukës-Shishtavec në orën 6 e 40 të mëngjesit. 6 të vdekur, 7 të plagosur, (4 në gjendje të rëndë). Shoferi nuk kishte patentë për drejtimin e fugonit me pasagjerë.(datë 14 vdiq i shtati i Kukësit )…

– Në mesditë, rreth orës 15.30 në rrugën Sarandë Konispol, aksidentohen 2 makina, si pasojë mbetën të vdekur 5 persona. Sipas policisë, drejtuesi kishte përdorur alkool…

– Po atë ditë gjendet i vrarë në Dajt një i ri…

– Në datën 9 shkurt, aksident në Peshkopi, 5 të plagosur rëndë

– Më datë 13 Shkurt ; Vetëdorëzohet një nga porositësit në Komisariatin e Vlorës… Andon (Erion) Ismet Mëhillaj, 39 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, i pa dënuar më parë dhe që ju nuk e kapët dot dhe që nuk raportuat se ku dhe kush e kishte strehuar?

Më 19 Shkurt

Dy të vdekur dhe një i plagosur është bilanci i një atentati, që ndodhi në orët e mbrëmjes së të mërkurës, tek Ura e Milotit, në rrugën e vjetër Lezhë-Laç. Ngjarja ende pa autorë…

 Më 25 shkurt një nga shoqëruesit e pranishëm në fushatën dhe takimet e Saimir Tahirit, i veshur policë kapet me 2 ton drogë…

– Më 26 shkurt, tritol tek Instituti i Higjienës. Për pasojë 3 të plagosur rëndë. Njëri ka humbur 2 këmbë, tjetri 1 dhe tjetri i plagosur. Nuk dihen autorët…

Më datë 26 shkurt në Sauk një makinë shtyp babë e bir. Babai vdes në vend, i biri 10 vjeçar me datë 2 Mars…

Më datë 27 Shkurt në Vorë makina e B.Xhabfti, të sapokthyer nga Gjermania është hedhur në erë me tritol. Ngjarja pa autorë…

Më 28 Shkurt tritol makinës së policit të burgut në Fushë –Krujë. Ngjarja pa autorë…

 Po më 28 shkurt qëllohen me kallashnikov tre të rinj që udhëtonin në Milot me një mjet “Golf 5”. Autorët e atentatit ende nuk janë identifikuar

  Datë 9 Mars , gjendet i pajetë në rrugë një i ri i njohur me epitetin ‘bosi” i drogës në Lazarat. Policia e Gjirokastrës ka bërë me dije se Shpendi Basha, 25 vjeç është vrarë në rrugë me armë zjarri. Nuk ka autorë…

Datë 10 Mars 2014

Tritol në katin e dytë tek pallatet tek zona e stadiumit Dinamo. Plagoset një familjar dhe ende nuk ka autorë…

Datë 11 Mars 2014, tek Xhamlliku është qëlluar për vdekje një person. Autoret e vrasjes janë dy persona me motorr me skafandra, sipas policisë, por emrat nuk dihen.

Datë 20 Mars, tritol Bashkisë së Fushë-Krujës

Më 22 Mars, ditën e Demokracisë dhe të Sulltan Novruzit, një tjetër shpërthim me tritol ka ndodhur orën e vonë të mbrëmjes në kryeqytet në rrugën ‘Muhamet Butka’, te ‘Komuna e Parisit’ . Pa autorë…

Datë 24 Mars 2014, tritol shtëpisë së një qytetari në Librazhd…

Datë 24 Mars, atentat këshilltarit ligjor të Gjykatës së Lartë në mes të Bllokut…

Datë 25 Mars, tritol shtëpisë së Kryetarit të Komunës Farkë, Fatbardh Plaku.

Datë 25 Mars, tritol makinës së portierit të Tiranës.

Më 1 Prill, qëllohet me armë dhe plagoset biznesmeni nga Shijaku Ilir Hoxha, tek 4 Rrugët.

Më 3 prill, ekzekutohen në Fushë-Krujë duke udhëtuar me motor 2 persona, njëri njihej si biznesmen dhe kërcënues i biznesmenëve të kromit në Bulqizë…

Datë 16 Prill, aksident, 3 të vdekur në rrugën Levan-Tepelenë dhe 5 të plagosur…

Datë 17 Prill 2014, ne Durrës i vihet tritol makinës së një biznesmeni. Autori nuk dihet…

Më 18 Prill, i vihet tritoli banesës së biznesmenit tek unaza e re dhe fillimisht policia tha se ka shpërthyer bombul gazi dhe më vonë doli se ishte tritol. Asnjë autor, megjithëse kamerat e kanë evidentuar…

Më datë 19 Prill, tritol Komisariatit të Fushë-Krujës dhe më datë 21 Prill fugonit taksi në mes të qytetit të Fushë-Krujës…

Më 21 Prill 2014, dy të vdekur nga aksidentet dhe 4 të plagosur në Rrugën Fier –Levan si dhe 2 motra 4 dhe 7 vjeç aksidentohen në Maminas, ku 7- vjeçarja humbet jetën duke shkuar në shkollë.

Datë 25 Prill, dy të vrarë, një biznesmen në Patos dhe një tek Lloto Sporti tek Lagja “Ali Demi”.

Datë 28 Prill, qëllohet me shotgan djali i Kreut të Komunës Fatbardh Plaku. Pa autorë…

Datë 8 Maj, i vendoset tritol makinës së Arkitektes Çano e cila përfshihet nga flakët në mbikalimin e Sukthit, kur kthehej nga Kavaja. Autorët nuk dihen.

Më datë 8 Maj, ora 22.00: Vrasje me armë në Berat. Atentat biznesmenit 52-vjeçar Adriatik Mustafaraj. Policia në kërkim të autorëve.

Më datë 10 Maj, ditën e shtunë, një avion i vogël rrëzohet në Divjakë dhe kapet një fuoristradë me hashash dhe 27 mijë euro shoferit.

Më datë 12 Maj, ora 18.51 minuta, aksident në hyrje të tunelit në Kërrabë. Regjistrohen 1 i vdekur dhe 1 i plagosur…

Më datëq 26 Maj, vritet nga vrasës me pagesë Arben Tolia në Xhafzotaj të Durrësit pak metra larg banesës së tij. Nuk ka autorë.

– Ditët e para të Qershorit vritet në Shkodër një biznesmen. Autori nuk dihet.

Datë 11 Qershor, dështon operacioni për kapjen e autorit kryesor trafikut të kokainës ( Gëzim Çela) në Fushë-Kuqe…

Datë 14 Qershor, vritet nga tre njerëz me maska pas një atentati mafioz biznesmeni i ndërtimeve nga Cërriku dhe ortak i biznesmenit të vrarë me tritol në rrugën e plazhit. Makina me gjithë armët u gjet nën tunelin e Shënavlashit e braktisur, kurse autorët në drejtim të paditur…

Më datë 15 Qershor, nis operacioni i suksesshëm në Lazarat…

Datë 26 Qershor 2014

Ekzekutohet Artan Santo në orën 9.30 të mëngjesit para zyrave të Bankës. 2 autorët me motorr ikën nga Blloku tek Liqeni, ne Laprakë dhe drejt Rinasit. Ndalohen dy persona të cilët u liruan para një jave për mungesë provash, duke lënë edhe këtë ngjarje pa autorë.

Ja, këto, zoti ministër donin të dëgjonin shqiptarët! Pse nuk janë zbuluar ngjarjet dhe përse ka një indiferencë të organeve përgjegjëse për luftën kundër krimit, kriminalitetit dhe shkeljeve të rendit dhe qetësisë. Ka edhe trafiqe ndërkufitare, drogë e kapur në Itali dhe në Evropë, me destinacion nga Shqipëria. Ka klandestinë nga vendet aziatike dhe afrikane që kalojnë kufirin, duke lënë jetën gjatë kalimit të lumenjve. Ka shumë e shumë të tjera, por që sot po të kujtojmë këto që publiku i ka të regjistruara fort në memorien e tij. Të gjitha këto ngjarje, zoti Tahiri, po flen në errësirë dhe Ju nuk jepni asnjë shpjegim dhe asnjë zgjidhje. Puna bëhet me njerëz të ndershëm, profesionistë dhe jo batakçinj që e kanë mendjen tek thasët e parave, apo të lidhur më njerëz të implikuar në krime. Po e mbyllim, sikurse e filluam, zoti Saimir, me një thënie të Shekspirit: “Nuk ka errësirë më të madhe se padituria”. Dhe Ju Saimir Tahiri jeni errësira, ku vegjeton krimi dhe kriminaliteti të cilat BE-ja i ka renditur si dy pikat e para të 5 kushteve të fillimit të negociatave për pranimin në Evropë.