7 milionë euro do t’iu kushtojë qytetarëve shqiptarë një kilometër rrugë i këtij aksi, ose 2 herë më shtrenjtë se autostrada, që do të ndërtohet në Greqi, që një kilometër i saj do të kushtojë 4.5 milionë euro.
Janinë-Kakavijë është autostrada e re që do të lidhë Greqinë me Shqipërinë. Tenderi është shpallur në 2 shkurt në Greqi dhe sipas projektit, autostrada 70 kilometra e gjatë do të shtrihet në një terren fushor dhe do të kushtojë 310 milionë euro.
Sipas një përllogaritjeje të thjeshtë, një kilometër i saj do të kushtojë 4.5 milionë euro. Kjo autostradë pjesë e Korridorit Blu lidh Greqinë-Shqipërinë-Malin e Zi dhe Kroacinë.
Në Shqipëri vazhdimi i këtij korridori do të nisë me ndërtimin e aksit rrugor Lekaj-Fier pjesë e autostradës Milot-Fier, e cila është një rrugë ekzistuese me 4 korsi me një gjatësi 46 kilometra.
3.2 kilometra të saj do të ndërtohen tërësisht të reja, ndërsa pjesa tjetër prej 42.4 kilometrash kalon në aks ekzistues. 7 milionë euro do t’iu kushtojë qytetarëve shqiptarë një kilometër rrugë i këtij aksi, ose 2 herë më shtrenjtë se autostrada që do të ndërtohet në Greqi.
Pjesë e koncesionit të autostradës Milot-Fier është edhe rruga Thumanë-Kashar me një gjatësi 20.8 kilometra dhe me një vlerë rreth 300 milionë euro. Një kilometër i saj do të kushtojë 13 milionë euro pra 3 herë më e lartë se partneritetet europiane.
Autostrada Milot-Fier ka pjesë të saj edhe Milot-Thumanë me një gjatësi 13.5 kilometra dhe me një kosto 44.6 milion euro dhe Kashar-Lekaj me një gjatësi 26.2 kilometra me një kosto prej 476,8 milionë euro për të cilat gara është hapur, por ende nuk ka dalë fituesi i garës.
Kush janë kompanitë fituese të tenderit?
Autostrada Milot-Fier, pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian, do të ndërtohet nga bashkimi i disa kompanive i kryesuar nga “FUSHA” SH.P.K. Vlera e parashikuar e këtij projekti, sipas parashikimeve, do të jetë 320.000.000 Euro (pa TVSH).
Kohëzgjatja e këtij koncesioni do të jetë plot 35 vite dhe bashkimi i kompanive (konsorciumi) që do e ndërtojë dhe mirëmbajë, përbëhet nga:
“Fusha” sh.p.k. &“Agbes &Construksion” sh.p.k. & “Albavia” sh.p.k. & “Kupa” sh.p.k & “Ante-Group” sh.p.k.& “Klodioda” sh.p.k. & “A.L.T.E.A. & Geostudio 2000” & “Sphaera” sh.p.k.
Gjurma e kësaj rruge fillon pranë zonës së Luzit të Vogël, fshati Lekaj, me mbarimin e aksit Kashar-Lekaj dhe përfundon në fillimin e Bypassit të Fierit, pranë zonës së Mbrostarit. Kompanitë që kanë fituar koncesionin kanë si detyrim të bëjnë: Projektim, ndërtim, operim, mirëmbajtje, rehabilitim dhe transferim të segmentit rrugor Lekaj-Konjat-Fier.
Në kushtet kur nuk ka pasur as ankesa nga operatorët e tjerë, afati i negocimit të Kontratës do të jetë 60 ditë nga marrja e njoftimit të fituesit, pra nga sot, 14 nëntor.
10 milionë euro për kilometër
Kompanitë që kanë fituar koncesionet e ndërtimit të segmenteve rrugore nga Miloti deri në Fier përllogarisin se kostoja për një kilometër do të variojë nga 3 deri në 17 milionë euro.
Shifra del nga përllogaritjet që ka bërë Open Data të ofertave fituese të dy koncesioneve, që janë dhënë deri më tani, atij; Thumanë-Kashar, të fituar nga Gener 2 dhe Lekaj-Fier të fituar nga një bashkim i tetë kompanive shqiptare.
Gjatësia totale e projektit është 106 kilometra. Nga këto 66 kilometra janë dy koncesionet e dhëna, Thumanë-Kashar me gjatësi prej 20 kilometrash dhe Lekaj-Fier me gjatësi 46 kilometra.
Dy lotet e tjera të Milot-Thumanë dhe të Kashar-Lekaj janë ende pa fitues. Kashar-Lekaj, me gjatësi rreth 27 kilometra, sipas vlerësimit të Ministrisë së Infrastrukturës do të kushtojë rreth 475 milionë euro, ose 17.6 milionë euro për kilometër.
Mesatarisht, kur të përfundojë i gjithë segmenti Milot-Fier, kostoja për një kilometër rrugë do të jetë 10 milionë euro, shifër e fryrë nëse kihet parasysh se nga 75 për qind e aksit kalon në gjurmë të rrugëve ekzistuese.
Pjesë e aksit edhe Thumanë-Kashar
Por autostrada Milot-Fier ka edhe segmentin Kashar-Thumanë që është pjesë e një koncesioni tjetër fillimisht të anuluar dhe më pas të aktivizuar përsëri nga qeveria pas vendimeve të gjykatës.
Kosto e tij është llogaritur në 400 milionë euro. Kështu e gjithë autostrada Milot-Fier do të kushtojë 1,23 miliardë euro, pa llogaritur kostot për lidhjet me rrugët ekzistuese, që do të kërkojnë miliona euro të tjera.
Historia e rrugës
Aksi Thumanë-Kashar ishte pjesë e projektit “one billion” dhe iu nënshtrua procedurave të prokurimit pas një oferte të pakërkuar të bërë nga Gener 2, e cila në fund rezultoi edhe si kompania fituese. Në korrik të vitit 2018 Ministria për Infrastrukturën dhe Energjinë njoftoi se Gener 2 kishte fituar procedurën me një ofertë 225.8 milionë euro. Në procedurë morën pjesë katër kompani.
Qeveria u tërhoq nga projekti në vitin 2019 duke deklaruar se këto para të dedikuara për projektin do t’i dedikoheshin angazhimit tjetër të qeverisë për “Paktin me Universitetin”.
Gjithsesi Balluku tha se nga projekti i rrugës nuk do të hiqet dorë, pasi është një aks i rëndësishëm kombëtar. Më pas situata përfundoi në gjykatë, e cila kjo e fundit i dha të drejtë kompanive private dhe duket se palët u kthyen në tryezë duke dalë në këtë produkt final ku rruga do të ndërtohet nga vetë kompania dhe kjo e fundit do të mbledhë tarifën.