“Është ndër tre më të rrezikshmet në Europë”, prokurori italian: Mafia shqiptare është pasuruar falë korrupsionit

132
Sigal

Nicola Gratteri, një nga prokurorët më të shquar italiane në luftën ndaj mafies dhe krimit të organizuar e ka cilësuar mafien shqiptare si ndër tre më të rrezikshmet në Europë.

Në një intervistë dhënë për emisionin “Mushka e egër” i cili ka më shumë se 1 milion ndjekës në YuoTube, prokurori Nicola Gratteri, deklaroi se mafia shqiptare është pasuruar shumë në Shqipëri falë edhe korrupsionit të lartë që ekziston.

“Sot ka tre mafie, është Ndragheta, është mafia shqiptare, e cila nuk është më ajo e grabitjeve të vilave, mafia shqiptare është mjaft e strukturuar, që është pasuruar në vendin e saj falë një korrupsioni të frikshëm, dhe më pas është mafia e brezit të tretë të afrikano-veriorëve”, tha ai.

Edhe më parë prokurori italian Nicola Gratteri, kishte ngritur alarmin për shpërthimin e mafies shqiptare në Europë duke kontrolluar trafiqe të rëndësishme, si ai i kokainës nga vendet e Amerikës Latine.

Gratteri ka nënvizuar faktin e korrupsionin gjigant në Shqipëri ku është e lehtë të komprometosh funksionarë publikë. Sipas tij, nëse del me pushtet ekonomik falë korrupsionit nga Shqipëria, arrin të forcohesh si mafie ndërkombëtare.