Engjëll ZERDELIA:Lushnja mban mbi supe dy kongrese historike, atë të Arsimit dhe atë Kombëtar

591
Sigal

INTERVISTA/  Flet shkrimtari dhe mësuesi Engjëll ZERDELIA

Ai ka botuar një libër interesant Kongresi arsimor i Lushnjës” dhe po përgatit të dytin. Mësues me mbi 30 vjet përvojë, ai tregon  arritjet, por dhe dobësitë e sistemit arsimor shqiptar. Problem kryesor në shkolla për të mbeten tekstet arsimore, por edhe disiplina në shkolla. Lushnja sipas tij është e lidhur shumë me librin. Arritjet në shkollën ku ai jep mësim janë impresionuese.

 Këto ditë më ka tërhequr vëmendjen libri publicistiko-historik “Kongresi arsimor i Lushnjës”. Ky është libri juaj i parë?

Po. Është libri im i parë dhe e ndjeja si detyrim ndaj bashkëqytetarëve të mi, ndaj historisë së këtij qyteti të veçantë që ta botoja këtë libër. Kjo, sepse unë jam nga Lushnja dhe jam krenar për qytetin tim me shumë histori. Për më tej, duke pasur parasysh se realizova një detyrim të parë, e ndjej si detyrim të dytë të botoj dhe librin “Kongresin Kombëtar të Lushnjës.”  të cilin e kam në proces botimi

-Çfarë përmban  libri “Kongresi arsimor i Lushnjës”?

 Në këtë libër flitet për Kongresin e Arsimit të Lushnjës që u mbajt në vitin 1920 nga 15 gushti deri më 24 gusht. Nga data 24 dhe deri në datën 29 ata vazhduan punimet në  qytetin e Elbasanit. Pra ishte një Kongres shumë interesant që ka lënë gjurmë në historinë shqiptare, për vetë specifikën e vet.

-Nga cilat krahina ishin delegatë në këtë Kongres dhe cilat ishin detyrat themelore që u vendosën për arsimin?

Në Kongresin e Lushnjës pjesëmarrja e  delegatëve ka qenë nga të gjithë krahinat shqiptare duke filluar që nga Kosova heroike deri tek Çamëria martire. Nga Veriu ishin delegatët e qytetit të Shkodrës konkretisht Kol Margjini, Anton Përluca, Gaspër Mikeli Nga zona e Elbasanit ka qenë Aleksandër Xhuvani dhe Ahmet Gashi (ishte edhe përfaqësues i Prishtinës bashkë me Kol Margjinin).

Pjesa e prefekturës së Korçës ka pasur Dhimitër Gurin, Aleko Kondilin dhe Mihal Bellkameni.

Nga pjesa e jugut ka qenë Ilia Dilo Sheperi, Thanas Papapano dhe Pertef Pergoni ( që përfaqësonte edhe Çamërinë martire)..

–          Cilat janë vendimet më kryesore të këtij Kongresi, pasi aty u morën shumë vendime…

Vendimet janë shumë. Një nga vendimet është hartimi i teksteve shkollore. U sistemua programi analitik, sintetik. U trajtuan lëndët shkencore dhe  shoqërore me përvojën e të gjithë delegatëve. Delegatët ishin shkolluar të gjithë jashtë. Ishin intelektualë të mirëfilltë. Ata vinin nga universiteti i Stambollit, i Austrisë, nga shkolla e mesme e Janinës, nga Parisi, Firence, Roma.

Hartimi i programeve mësimore ishte në lartësinë e duhur. U  hartuan ditët e festës kombëtare dhe fetare, figurat historike të kombit që nga prejardhja e kombit. U trajtuan amzat, sistemi 3 dhe 5 vjet i shkollës fillore. U caktuan mësuesit e ekspeditës të cilët qarkullonin  me mjetet  e kohës, u trajtua rroga, dhe të drejtat e nxënësve dhe të mësuesve. Duhet të themi  që arsimi i sotëm shqiptar është si vazhdimësi e atyre rregulloreve dhe atyre  vendimeve të arsimit ku ata më vonë morën edhe poste drejtuese si Aleksandër Xhuvani, Anton Paluca etj.

–          Ju jeni mësues në Lushnje,  në çfarë shkollash jepni mësim?

Unë kam dhënë mësim në shkollat e mesme, në gjimnaze dhe kam dhënë lëndën e Gjuhë-Letërsisë. Aktualisht jap mësim në shkollën e mesme të përgjithshme “Jani Nushi” ku  kam 2 vjet,  ndërsa në  gjimnazet e Lushnjës kam shumë vite që jap mësim. Ky gjimnaz është nga më të mirët në Shqipëri dhe ka rezultate shumë të mira. Ka një kolektiv me mësues shumë të kualifikuar dhe mbi të gjitha që kanë harmoni me njeri-tjetrin. Ambientet përmirësohen për çdo vit.

Si ka qenë  sistemi arsimor në regjimin  komunist në Lushnje?

Problemi i diskutimit se si ka qenë dikur dhe si është tani  ka shumë për  të  diskutuar. Por tashmë janë hapësirat më të gjera, e drejta për të mësuar dhe studiuar, është  shumë  herë më e madhe. Sot janë perfeksionuar  laboratorët, mjetet didaktike dhe marrja e informacionit. Një nxënës sot ka shumë herë më shumë informacion se një nxënënës i së njëjtës klasë para 23 vjetëve. Sot është interneti në çdo shkollë ku nxënësit çdo të re në lënë të ndryshme e marrin vesh menjëherë.

-Tekstet shkollore sot mbi ç’bazë janë ndërtuar në raport  me kërkesat e Bashkimit Evropian, apo ende ruajnë atë formatim si tekstet e mësimdhënies  të regjimit komunist?

Për lëndët që jap si Letërsia Shqipe dhe atë Botërore apo  Gjuhën Shqipe janë me disa përmirësime. Janë bërë hapa të mirë në drejtim të problematikës të lëndës së letërsisë apo të gjuhës shqipe. Hapësirat janë më të mëdha  dhe figurat e letërsisë  janë të kudondodhura. Nuk ka më shkrimtarë të ndaluar, apo shkrimtarë disidentë, të gjithë ata që kanë vlera janë përfshirë në tekstet e letërsisë.

 -Sa shkolla të mesme ka sot Lushnja?

Qyteti i Lushnjës ka 4 shkolla të mesme shtetërore dhe 4 shkolla të mesme private. Mundësia gjeografike e qytetit është e përballueshme. Edhe komuniteti  lushnjar këtë gjë e ka primare. Pra me 8 shkolla të mesme besoj se realizohen kërkesat e nxënësve për t’u ulur në bankat e shkollave të mesme. Numri i shkollave ka ardhur duke u rritur, por besoj po ashtu dhe kërkesa e llogarisë dhe niveli i përfundimit të shkollave nga nxënësit.

-Kujt i vihet prioritet sot në Lushnje gjimnazit privat apo atij shtetëror?

Me thikë nuk mund të presim asgjë, por duhet diskutuar se arsimi drejt arsimimit shtetëror është e përligjshme. Programet mësimore të shtetit janë edhe programe mësimore të privatit. Secili ka rëndësi të vet. Gjithmonë është në garë sistemi shtetëror me sistemin privat.

-Kush janë problemet e  arsimit shqiptar sot?

 Problemi është përmirësimi i teksteve. Përgatitja e mësuesve duhet të jetë e lartë, sepse ne jemi një sistem parauniversitar. Dhe disiplina në shkollë deri diku mbetet problem. Pra duke përgatitur nxënës për të shkuar në shkollat e larta, problemet e sipërme duhet të reduktohen në maksimum. Sa më i fortë të dalë nxënësi nga shkollat e mesme, aq më të lehtë do ta ketë ai Universitetin.

-Kjo disiplinë ku insiston më shumë tek nxënësit apo tek mësuesit?

Këto janë qëndrime të njëanshme, por raportet mësues-nxënës duhet të jenë të drejta që të mos krijojnë probleme të panevojshme që të dalin të  dorës së parë.

-A mendoni se sot ka analfabetë në Shqipëri?

 Analfabetizmi në Lushnje është i ndërvarur me atë kombëtar, por sensibilizimi është i madh dhe nuk mendoj se është një shumë e madhe e paarsimuar.

Qyteti i Lushnjës a mbahet si një qytet i lidhur shumë me librin?

Natyrisht  mbahet. Ne diskutuam për dy kongreset si ai arsimor dhe kongresi kombëtar. Lushnja krenohet me dy kongreset në të njëjtin vit.

Në Lushnje ka një interes të madh për shkollën dhe kjo vihet re në shkollat e sistemit nëntë vjeçar, por edhe në ato të sistemit të gjimnazit qofshin këto shtetërore apo private. Leximi i librit me futjen e teknologjisë së përparuar qëndron pak larg, por duhet bërë një punë e madhe jo vetëm e mësuesve, por dhe e gjithë shoqërisë, se  libri duhet të ushqejë mendjen dhe zemrat e fëmijëve .