Eduart Bejko:“Socialistët do të sjellin zhvillimin e munguar në Berat”

816
Sigal

Mjeku Eduart Bejko, kandidati për deputet në Qarkun e Beratit, i katërti në listën e PS: “Do të gërshetoj politikën me mjekësinë”

Mjeku kirurg Eduart Bejko është kandidati për deputet i Partisë Socialiste, i katërti në listë për Qarkun e Beratit. Bejko, si një nga figurat më të spikatura të kësaj partie është mirëpritur gjerësisht nga qytetarët beratas, sepse tek ky njeri ata shohin ndryshimin e madh. Në një intervistë për “Telegraf”, Bejko duke falënderuar të gjitha ata që e kanë mbështetur flet sesi e ka mirëpritur kandidimin e tij, ka komentuar programin e PS dhe si do të ndikoj më 23 Qershor bashkimi i PS me LSI… dhe sigurisht pa anashkaluar edhe obligimin e tij si mjek, një profesion, të cilin e kryen me përkushtim prej shumë vitesh.

Z. Bejko si e keni pritur kandidimin për deputet?

Thjesht si një obligim tepër të madh në drejtim të përmbushjes së interesave dhe problematikave të bashkëqytetarëve të mi në Qarkun e Beratit. E gjitha kjo, nën drejtimin e programit për një Rilindje Shqiptare.

Si një ndër mjeket kirurg më të njohur në qarkun tuaj, mendoni se qytetarët do preferonin t’ju shihnin vetëm si mjek dhe jo si një përfaqësues i tyre në Parlament?

Pavarësisht që duket një pyetje provokuese, më duhet të sqaroj se edhe mjeku nuk është i privuar të kontribuojë në të gjitha fushat për komunitetin e vet qoftë dhe ajo politike. Besoj që kur ndërthuren tek individi profesionalizmi dhe përkushtimi për shërbimin ndaj qytetarëve atëherë mendoj që në sytë e komunitetit ti paraqitesh më i kompletuar.

E njihni programin e PS dhe sa i realizueshëm është ai?

Sigurisht që e njoh, pasi e kam studiuar programin për një Rilindje Shqiptare dhe jo vetëm kaq, por mundohem që të shoh dhe implementimin e tij në përmbushjen e interesave të komunitetit të Qarkut Berat. Realisht është një program tejet i kalkuluar më së miri dhe i mbështetur në një studim tepër racional dhe katërcipërisht i realizueshëm në të gjithë komponentët e tij.

Berati është një bastion i majtë, por ai është lënë pas dore qoftë në qeverisjen e PS, po ashtu edhe tani në qeverisjen e PD-së pasi problemet vazhdojnë të jenë të mëdha. Si e shihni përballien në këtë kontekst me elektoratin?

Dua të të siguroj që ne si PS asnjëherë nuk e kemi mbrojtur me fanatizëm atë çka nuk është bërë nga qeveria socialiste para 8 vjetësh pasi ka patur realisht linja indiference dhe për këtë ne u ndëshkuam në 2005. Por po t’i referohemi qeverisjes së PD-së në 8 vjetët që pasuan, ne shohim një përshpejtim të nivelit të varfërisë, një shtim galopant të papunësisë, një rrënim të bujqësisë në nivel të prodhimit dhe të tregtimit të produkteve, një ulje drastike e nivelit të investimeve, të cilat kanë ndikuar së tepërmi në xhepat e qytetarëve të “Tokës së Kuqe” siç e quan Berisha Qarkun tonë të Beratit. Pra shkurt, ne jemi denigruar totalisht si qark dhe gjithë ky komunitet mezi po pret 23 Qershorin për t’i shijuar fitoren e koalicionit të majtë të drejtuar nga PS.

PD ka publikuar listat. Si i shihni kandidatët kundërshtarë?

Personalisht asnjëherë nuk merrem me kundërshtarin, por gjithmonë shoh dhe godas alternativën që ai paraqet. Dhe në këtë kuadër dua të them që alternativa që ata mbështesin është e dështuar dhe aspak produktive për problemet dhe hallet e qytetareve tanë. Them kështu, se i pamë në pushtet këto 4 vjet që shkuan dhe asgjë nuk ka lëvizur për mirë në drejtim të premtimeve të tyre të bujshme. Shumë e shumë premtime, por thjesht vetëm njërin që mashtruan beratasit për t’u bërë  boshtin e jugut dhe ai figuron vetëm në letra. Besoj kaq mjafton si tregues …

Cilat janë sfidat sipas jush që do përballeni në këto zgjedhje?

Sfidat janë të shumta, por themelorja është punësimi i rinisë beratase për, ku ne kemi një program shumë të qartë dhe realist. Urgjentisht që në vitin e parë të qeverisjes sonë do të bëjmë rrugën Berat – Lushnje që është bërë një gangrene e banorëve, e cila ndikon ndjeshëm në uljen e prurjeve të turistëve, të cilët Berati i ka të panumërt për vlerat që ka si dhe në shkëmbimet tregtare në lidhjet me qytet e tjera. Sfida të tjera janë bujqësia ekonomia si dhe turizmi me trashëgiminë  e vet kulturore etj., etj..

Cilat janë premtimet tuaja për elektoratin?

Sapo e thashë më lart që premtimet janë zgjidhja e sfidave që i preka në pyetjen paraardhëse d.m.th  ulje e varfërisë nëpërmjet rritjes ekonomike në investimet, punësim, menaxhim i kujdesshëm i biznesit të çfarëdollojshëm, turizëm, bujqësi dhe infrastrukturë rrugore në qytet dhe komuna.

LSI ka baza të forta në këtë qark, ku një ndër deputetët e saj do të jetë sërish kandidat. Mendoni se kjo do ta ndajë elektoratin e majtë në dy pjesë?

Nuk besoj, pasi në thelb secila parti ka kandidatët e vet dhe në këtë kuadër do kërkohet vota për këto parti respektive. Më shkoqur, ne si PS do kërkojmë vota me programin tonë të Rilindjes, pra vetëm për PS pasi sa më shumë vota të marrim, aq më shumë deputetë do të kemi. Kështu që do të jemi më shumë në gjendje të përmbushim premtimet që po japim në qeverisjen e ardhshme të koalicionit të majtë.

Në rast se do të zgjidheni deputet si do ta bëni ndarjen mes politikës dhe mjekësisë?

Atëherë shumë thjesht. Do t’i gërshetoj të dyja, pasi në fund të fundit për qytetarin janë.

PS-LSI, koalicioni që do t’i sjellin humbjen mazhorancës së sotme

Pyetjes se marrëdhëniet e viteve të fundit midis PS dhe LSI kanë krijuar jo pak zemërim në radhët e socialistëve të bazës dhe a do ndikojë kjo në rezultatin e 23 Qershorit, Bejko i është përgjigjur: “Në momentet e para të jemi realist, u krijua një farë skepticizmi në një pjesë të elektoratit dhe opinionit, por të gjithë u kthjelluan dhe kuptuan që kjo ishe gjëja më e mirë për të mundur të keqen më të madhe që ne kemi përpara. Dhe pa dyshim kjo është qeveria më obskurantiste me emrin Berisha që në mënyrë permanente e denatyroi vendin tonë dhe qytetarin e tij në të gjitha fushat e jetës. Pra koalicioni PS – LSI të gjithë e kuptuan që dërgon në mënyrë të padiskutueshme në humbje mazhorancën e sotme”.