Engjëll Musai: Guvernatori i Bankës certifikon ‘mafjen’ e bankave për sigurimin e kredisë

801
Sigal

Guvernatori i Bankës  certifikon, “mafien” e bankave për sigurimin e kolateralit të kredisë

 Engjëll Musai

Drejtor i Gazetës Telegraf

Qeveria shqiptare po përballet me një situatë të rëndë, pas tragjedisë së tërmeteve të 21 shtatorit dhe sidomos atij të 26 nëntorit. Dhe në raste të tilla, e para që nevojitet është solidariteti mbarëkombëtar pa dallime partiake, krahine, besimesh dhe race. Në këtë situatë të rëndë për ekonominë e vendit  qeveria është dashur të përballohet me dëmet njerzore, të plagosurit, spitalet, shkollat, sistemimin e banorve që kanë mbetur pa strehë dhe ushqimin e tyre. Ndoshta në pamje të parë situate duket e stabilizuar, por problematikat në qytete dhe sidomos në zonat rurale është mëse serioze. Banesat e qytetarve, pallate të tëra të dëmtuara, institucione shtetërore të dëmtuara,  kërkojnë financa për t’u  riparuar dhe kthyer normalitetin. Por në një situatë akoma edhe më të rëndë gjenden qindra familje, të cilat kanë marrë kredi bankare për banesat e tyre dhe tashmë një pjesë e mirë e tyre janë të dëmtuara, apo dalë jashtë funksionit dhe duhen prishur. Pikërisht këtu fillon maskarada e bankave të nivelit të dytë, të cilat kanë bërë sigurimin e banesave  dhe sot nuk i dalin për zot siguracionit, madje kanë filluar të sorollasin kredimarrësit e tyre. Qytetarët, që kanë marrë kredinë, nuk dinë se kush është kompania ku janë siguruar, pasi sigurimin e saj e ka bërë banka, por me paratë e kredimarrësve. Kjo është një superskandal, ku paratë i paguan ai që ka marë kredinë, por sigurimin, kushtet, kriteret dhe çfarë sigurohet  është pjesë e pazareve të bankës me kompaninë e gjetur si “qokë” nga vetë banka. Por çfarë ndodh? Banka ka mbajtur paratë qytetarit dhe i ka siguruar vetëm pjesët e parave që janë pa likujduar. Një gjë të tillë ajo nuk ia ka bërë prezent qytetarit dhe tashmë bankat po përballen me faktin se kredimarrësi i kërkon kompesim e plotë për banesën dhe jo për një pjesë qesharake, të cilën përsëri e  merr banka. Kjo është një maskaradë, që është lejuar nga Banka e Shqipërisë, e cila ka për detyrë të mbrojë klientin dhe jo të heshtë.

Guvernatori Sejko duhet të kalojë në sitë kontratat dhe, sipas ligjit, kur sheh se ato janë të njëanshme dhe të kryera në mungesë të dijes qytetare, t’i bllokojë dhe  të kthehet në avokate të qytetarëve shqiptarë. Qytetarët kanë  votuar Parlamentin dhe ky zgjedh Guvernatorin dhe anëtarët e Bordit të Bankës së Shqipërisë si garant të situatës fianciare dhe mbrojtës të interesave të qytetarëve dhe jo të bëhet palë me abuzuesit, hajdutët dhe grabitqarët e klientëve të bankave. Po japim një shembull, se si proçedonkan bankat dhe që e kanë mbajtur të fshehtë, duke u kamufluar me kontratat.  Nëse një qytetar ka marrë si kredi 40 mijë euro dhe ka qënë i siguruar çdo vit, pas 10 vitesh qytetarit i ka mbetur të paguajë edhe 10 mijë euro. Banka i mban lekët, por nuk siguron 40 mijë euro, por vetëm paratë e veta që janë 10 mijë  euro. Për pjesën e qytetarit nuk ndihet dhe nuk e ka venë në dijeni qytetarin, që unë po të bëj sigurimin vetëm të pjesës sime. Madje, sigurimin e bën banka pa dieninë e klientit, ndërkohë, që lekët ja mban po klientit. Ky mekanizëm kërkon hetim ndaj bankave në mënyrë urgjente, pasi qytetari nuk ka kontakt me kompaninë e sigurimeve, por vetëm me bankën. Në këto kushte, qytetari mbetet në rrugë të madhe dhe kusuret për  strehimin i mbeten qeverisë. Nëse bankat do ishin treguar të sinqerta, do kishin bërë sigurim të plotë dhe jo në mënyrë mafioze fshihen pas mekanizmave dhe klauzolave në ato kontratat me dhjetra faqe. E, nëse Banka e Shqipërisë do  të ndërhynte urgjentisht,  sot këta klientë do ishin jashtë listës së qeverisë shqiptare, duke lehtësuar edhe borxhin publik të qeverisë, pasi asnjë qeveri nuk ka mundësi ta përballojë e vetme këtë situatë posttërmet. Ndaj kërkohet urgjentisht që veprimeve, apo mosveprimeve të tipit mafioz të batakçinjve të bankave, qeveria  dhe Banka e Shqipërisë duhet t’i përgjigjet me ndërhyrje energjike, dëmshpërblimin e klientëve dhe  heqje të licencave  për ato banka  që nuk marrin përsipër të rikuperojnë lojën e pistë në kurriz të klientëve. E nëse Guvernatori Sejko nuk ndërhyn, atëhere ai, ose është pjësë e kësaj loje, ose duhet të shkojë  para drejtësisë për lejimin e kontratave tip, që godasin dhe fundosin ekonominë e kredimarrësve dhe qeverisë.