EMRAT/ Si u kapën 8 personat që mashtronin në “Call Center-in” në Shkodër

204
Sigal

Në kuadër të operacionit policor të koduar “North Forex” për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e mashtrimeve kompjuterike u arrestuan shtetasit: Elisa Kolndreu, Olda Shpendi, Aishe Baci, Senada Alija, Sonila Alija, Ervin Osja, Nikolin Toma dhe Ysniela Dalipi.

Gjithashtu u be shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasve, Pawel Wziontek, (shtetas polak), Alma Sokoli, (bashkëjetuesja e tij) si dhe Klodian Memo.

Këta persona prej një periudhe 1-vjeçare kishin krijuar një skemë që kryesohej nga polaku Pawek Wziontek, i cili kishte rekrutuar si menaxherë shqiptarët Ysniela Dalipi, Klodian Memo dhe Nikolin Toma.

Kjo skemë ushtrohej në lokacione të ndryshme dhe konsistonte në mashtrimin kompjuterik nëpërmjet programeve dhe platformave të ndryshme si Vicidial, Forex dhe Exchange, në dëm të shtetasve të huaj, kryesisht atyre gjermanë dhe spanjollë.

Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se polaku me qëllim shmangien e hetimit pas operacionit kombëtar kundër mashtrimeve kompjuterike, kishte bërë çregjistrimin e të gjithë punonjësve dhe kishte vijuar ta ushtronte aktivitetin në fjalë në mënyrë të fshehtë.

Të arrestuari e lartpërmendur, do të përballen me veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Mashtrimi kompjuterik”, “Fshehja e të ardhurave”, “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Punësimi i paligjshëm”.