Emigrantët në Serbi, fëmijët vuajnë të ftohtin, temperaturat deri -20 gradë

454
Janë fëmijët ata që po vuajnë pasojat më të mëdha të krizës së klandestinëve.
Nuk bëhet fjalë më për dëme psikologjike apo trauma që do ti shoqërojnë në një pjesë të madhe të jetës së tyre, por për jetë a vdekje.
Qindra fëmijë udhëtojnë në det e tokë nën temperatura që kanë shënuar maksimumin e tyre në rrugën drejt vendeve të sigurta.
Këto imazhe vijnë nga Serbia, ku fëmijët arrijnë në qendrat e pritjes thuajse të ngrirë nga i ftohti.
Organizata Save the Children ka paralajmëruar për përkeqësim të gjendjes teksa termometri pritet të shënojë -20 gradë Celsius në kufirin mes Maqedonisë dhe Serbisë.
Stafi i Agjensisë së Ndihmave në Beograd ka raportuar për rritje të rasteve me hipotermi në mesin e klandestinëve, por veçanërisht tek ata që vijnë nga vendet e nxehta.
Rreth 1.000 njerëz kalojnë nga Maqedonia në Serbi çdo ditë, pavarësisht dimrit.
“Në Siri nuk mendoja shumë për motin, por këtu fëmijët kanë shumë probleme me të ftohtin. Ne vijmë nga Siria dhe është një rrugë shumë e gjatë dhe e lodhshme, por s’kemi alternativë tjetër, kjo është e vetmja shpresë”, thotë një refugjat sirian.
Nëse deri tani rruga detare qoftë nga Mesdheu, qoftë nga deti Egje konsiderohej më e rrezikshmja për klandestinët, sot ajo tokësore mbart të njëjtin rrezik si pasojë e temperaturave të ulëta.
Sipas UNHCR, rreth 3.700 emigrantë kanë humbur jetën ose rezultojnë të humbur përgjatë 2015.
Sigal