Emigrantët me gomone në Britani/ The Guardian: Mos i bëni shqiptarët dele të zeza!

242
Sigal

Në Mbretërinë e Bashkuar kanë shpërthyer debatet në lidhje me emigracionin e paligjshëm dhe shqiptarët janë vendosur në qendër të vëmendjes, pas publikimit të një “raporti sekret” të inteligjencës ushtarake, nga një tabloid, ku thuhej se nga 1 Qershori deri në 12 Korrik, rreth 1,075 persona nga Shqipëria u trafikuan nga grupet kriminale drejte MB-së.

Që prej publikimit të këtij lajmi, vëmendja është shtuar ndaj shqiptarëve dhe ka thirrje të vazhdueshme për deportimin e tyre. Qeveria britanike ka rënë dakord me autoritetet shqiptare për deportimin sa më të shpejtë të këtyre personave dhe po kështu oficerë policia nga Shqipëria do t’ju bashkohen homologëve të tyre në Britani për të luftuar këtë fenomen.

Media prestigjioze “The Guardian”, në një editorial me titull “Don’t scapegoat Albanians”, (Mos i bëni shqiptarët dele të zeza!), bën thirrje që kërkesat për azil të trajtohen sipas ligjit dhe të gjithë rastet të vlerësohen sipas rrethanave të tyre dhe jo sipas kombësisë së personave dhe faktit se ata vijnë nga Shqipëria, duke i kujtuar qeverisë detyrimet që ka sipas ligjit dhe konventave ndërkombëtare.

“Edhe pse ka raste të të kriminelëve shqiptarë që janë rikthyer pas deportimit dhe bashkëpunimi i shtuar me autoritetet shqiptare ka kuptim në këtë kontekst, këto raste nuk duhet të citohen sikur janë tipike, apo të lejohen të errësojnë pikturën e madhe të nevojës humanitare. Numra të ngjashëm afganësh dhe irakenësh erdhën në MB gjatë gjysmës së parë të vitit dhe azilkërkuesit e një kombësie nuk duhet të bëhen shembull padrejtësisht. Secili azilkërkues ka të drejtën t’i konsiderohet cështja sipas rastit të tij”, thuhet ndër të tjera në editorial.

Përdorimi i rrjeteve sociale nga shqiptarët dhe reklamimi i rrugëve të paligjshme në Tik Tok, ka shtuar vëmendjen ndaj tyre, duke i kthyer në shënjestra vecanërisht të populistëve.