Emergjencat Civile: Autostrada Tiranë-Durrës e hapur në njërin krah

494
Sigal

Emergjencat Civile njoftuan se
për përballimin e situatës dhe zgjidhjen e problemeve të shkaktuara si pasojë e
motit të keq janë angazhuar mbi 3.500 forca. Në një njoftim drejtuar mediave,
Emergjencat bëjnë të ditur se 70 mjete janë vënë në dispozicion dhe 1
helikopter. Po ashtu bëhet e ditur se në Qarkun e Tiranës janë evakuuar rreth
80 familje. Ndërkohet raportohet se autostrada Tiranë-Durrës është hapur vetëm
në njërin krah.

Emergjencat Civile, masat dhe situata – ora
17:00


Emergjencat Civile në gjithë vendin kanë angazhuar mbi 3.500 forca
të strukturave zjarrfikëse, emergjencave, ushtarake, të Policisë së Shtetit dhe
njësive vendore. Gjithashtu janë 70 mjete të vëna në dispozicion për situatën,
si dhe 1 helikopter.

QARKU TIRANË

Në lagjen Lura të Bashkisë Kamëz, një banor ende i paidentifikuar,
ka ndërruar jetë pasi rrëshqiti në lumin e Tiranës. Trupi i tij u nxor nga
polumbarët e repartit RENEA.

Situata përgjatë lumit të Tiranës nga Babrruja deri në Laknas është përmirësuar
pas rënies së prurjeve.

Deri tani janë evakuuar 80 familje.

Ura e Lugut pas Institutit Bujqësor të Kamzës është dëmtuar nga prurjet e lumit
të Tiranës.

Autostrada Tiranë-Durrës është hapur në njërin krah, ndërsa në drejtimin tjetër
kalimi është devijuar në rrugën dytësore.

QARKU DIBËR

Në bashkinë Klos shtetasi Z.N., 40 vjeç nga fshati Plan, hyri me
makinë përmes rrjedhës së përroit të fshatit dhe prurjet e mëdha e morën me
vete mjetin duke u mbytur.

Në shatin Myzë njësia administrative Lis, bashkia Mat si rezultat i prurjeve të
Lumit Mat, u evakuua një familje me anë të helikopterit.

QARKU LEZHË

Në bashkinë Mirditë është dëmtuar unaza e qytetit të Rrëshenit, e
cila është jashtë funksionit si pasojë e prurjeve të lumit Zme.

Janë hapur portat e Hidrocentraleve të Shkopetit dhe Ulzës.

QARKU KUKËS

Aksi rrugor Dushaj-Lekbibaj është hapur nga firma kontraktore pasi
ishte bllokuar nga rrëshqitjet e gurëve dhe dherave.

I bllokuar vijon të mbetet aksi rrugor Bajram-Curri Valbonë, në të cilin po
punohet. Në fshatin Ujmisht është shembur ura mbi lumin Bushtricë.

QARKU GJIROKASTËR

Në fshatin Zhepe Njësia Administrative Çarshovë bashkia Përmet, era
ka rrëzuar urën pasarele që lidh fshatin me qytetin duke e izoluar këtë zonë.

Në qarqet e tjera nuk ka situata problematike.