Email i dërguar institucioneve shtetërore: Displinoni shpenzimet, bëni vetëm ato emergjente (paga, sigurime)

366
Sigal

Sekretarët e përgjithshëm të ministrive u kanë nisur institucioneve të tyre të varësisë një email gjatë ditës së djeshme, ku u kërkohet, që si rrjedhojë e situatës së emergjencës, ata të kufizojnë në maksimum shpenzimet dhe t’i përqendrojnë vetëm për pagesa të domosdoshme, si paga e shpenzime.

Për çdo shpenzim që duhet të bëjnë, institucionet duhet të marrin më përpara konfirmim tek Sekretari i përgjithshëm.

Në letër thuhet se “Në mbështetje të periudhës emergjente që po kalojmë dhe si rrjedhoje e gjendjes së fatkeqësisë natyrore të shpallur me VKM 243, date 24.03.2020 kërkohet nga të gjithë institucionet disiplinimi i shpenzimeve”.

Në kuadër të kësaj, institucioneve u kërkohet:

1-Asnjë pagese apo veprim financiar nuk do të bëhet pa marrë më përpara konfirmimin tek Sekretari i Përgjithshëm

2-Ne këtë periudhë do të kalojnë vetëm shpenzimet shumë emergjente (paga, sigurime)

3-Çdo faturë, që do të duhet të paguhet, duhet të kalojë te sekretari i përgjithshëm për konfirmim.

4-Te MOS certifikohet asnjë faturë në thesar pa aprovim paraprak, duhet të merret dakordësi, pastaj të bëhet kontabilizimi.

5-Firmosja e çdo fature apo situacioni na vë në vështirësi likuiditeti.

6-Çdo të hënë, me e-mail, duhet të dërgohen faturat që keni të domosdoshme të paguhen.

Përsa i përket prokurimeve, në email thuhet se duhet të pezullohen procedurat në proces (mos të anulohen) dhe të rikthehen në gjendjen që janë në një moment të dytë.

Të hidhen vetëm procedurat e reja më të rëndësishme në rast se ka, referon email-i.

Shkresa i referohet një udhëzimi të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për “Procedurat e menaxhimit dhe monitorimit të zbatimit të buxhetit në kushtet e gjendjes së fatkeqësisë natyrore”. Gjithashtu edhe Agjensia e Prokurimit Publik po harton një udhezim, i cili do të jetë i disponueshëm në ditët në vijim.

Pas kufizimit të lëvizjeve dhe aktiviteteve ekonomike për të penguar frenimin e përhapjes së koronavirusit, ekonomia pritet të pësojë rënie dhe po asshtu të ardhurat në buxhet, duke i detyruar financat të marrin masa për të shkurtuar shpenzimet. Buxheti u rishikua 20 miliardë lekë me ulje pak ditë më parë, ndërsa pritshmëria për rritjen ekonomike u përgjysmua në 2%.