Drejtori i Burgjeve, tregon sa të dënuar kërkuan “dënimin në shtëpi”

349
Sigal

”Përfitues” nga pandemia e Covid-19 janë edhe të dënuarit në vendin tonë. Mbi 494 të dënuar në shkallë vendi kanë kërkuar lejen e vuajtjes së mbetur të dënimit në shtëpi. “Janë 585 të dënuar që plotësojnë kriterin formal, në lidhje me kohën e mbetur të dënimit dhe kemi 494 kërkesa për leje. Vendimi do të merret shumë shpejt”, tha drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Agim Isamilaj.

Për ”A2”, ai bëri me dije se në sistemin penitenciar nuk ka asnjë rast të dyshimtë të infektuar me Covid-19 dhe se masat janë ekstreme. ”Çdokush që mund të futet në burg kontrollohet dhe vlerëoshet nga stafi shëndetësor, pajiset me maska edhe doreza. Stafi kontrollohet çdo ditë. Mes të burgosurve nuk ka fare panik, kemi gjetur mirëkuptim”.

Nga ana tjetër, ai pranon se për herë të parë janë ngritur dy pavione dhe një spital në Fushë-Krujë, të gatshme për te përballuar çdo situatë të dyshimtë të të infektuarve në radhët e të dënuarve apo paraburgosurve. Një kërkesë e Gjykatës së Posaçme do të mundësojë në këtë situatë shtetrrethimi zhvillimin e proceseve me video-konferencë. “Mundësitë teknike janë dhe kjo do të bëhet”, thotë Ismailaj.