Ekzekutimi me snajper i Reçit/ Autori dyshohet të jetë i huaj

654
Sigal

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, u shpreh me nota optimizmi se, vrasja e biznesmenit Kastriot Reçi në qendër të Rrëshenit do të zbardhet.

I ftuar në emisionin “Kapital”, kreu i Ministrisë së Brendshme e cilësoi vrasjen mafioze dhe deklaroi se policia po punon për të kapur autorin.

“Është e mundur gjithçka, por nuk ka indicie për asgjë. Ka vetëm një fakt, që kemi të bëjmë me një vrasje mafioze të mirëfilltë. Policia nuk mund të them nëse është afër ose larg zbulimit, por po punon me intensitete të larta, është e angazhuar me të gjitha kapacitetet e saj. Hetimet kanë sjellë progres që jep arsye për optimizëm dhe policia është e bindur se gjithë skema e kësaj vrasjeje do të zbardhet. Nuk mund të ngelet pa u zbardhur”, tha ai.

Por zbardhja e kësaj ngjarje nuk duket të jetë e lehtë.

Autori i kësaj vrasje sipas burimeve të gazetës Mapo, dyshohet se është i huaj. Ai mund të ketë hyrë në Shqipëri disa ditë para se të kryhej vrasja dhe mund të jetë ndihmuar nga disa persona me të shkuar kriminale në Rrëshen.

Autori ishte veshur si femër, kishte hyrë në një pallat 8-katësh dhe pikërisht në katin e 7-të, kishte thyer derën dhe ishte vendosur në një pozicion që kishte fushë-pamje të qartë drejt lokalit ku qendronte çdo ditë Kastriot Reçi. Ai e qëlloi 47-vjeçarin poshtë zemrës dhe më pas hodhi snajperin ndanë pallatit dhe i maskuar u largua në këmbë, në mes të qytetit. Për shkak të veshjes, askush nuk dyshoi tek ai, madje policia në ato momente ndalonte vetëm burrat që ishin të pranishëm. Pasi doli nga qyteti me maskimin perfekt si grua, autori e hodhi veshjen në një lokal dhe u largua i qetë nga Rrësheni (Dyshohet i ndihmuar nga dy persona të tjerë).

Ekzekutori sipas eskpertëve, mund të jetë një vrasës profesionist me pagesë. Policia shpreson që të gjejë gjurmë gishtash në armën ose rrobat e tij, por nëse është shtetas i huaj, atëherë do të jetë shumë i vështirë identifikimi.