Eksportuesit: Euro, skenarë të qëllimshëm, po shkatërroni ekonominë

608
Tjetër ankesë drejtuar Bankës së Shqipërisë, qeverisë dhe Kuvendit, pas rënies drastike të monedhës evropiane
Eksportuesit i janë drejtuar me një letër të dytë Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, kryeministrit Edi Rama, ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, ministres së Shtetit për Sipërmarrjen, Sonila Qato dhe kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi lidhur me shqetësimin që ka shkaktuar për këtë shtyllë të rëndësishme të ekonomisë zhvlerësimi me rreth 5% i euros në harkun kohor të tre muajve, nga ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë për de-euroizimin e ekonomisë. Kryetari i Qendrës së Eksporteve, njëherazi Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Industrialistëve Ushqimorë, Alban Zusi kërkon që të bëhet transparente platforma e de-euroizimit. “Kërkuam të na vihet në dispozicion ose të bëhet publike strategjia e de-eurozimit në të cilën, logjikisht, duhet të jenë parashikuar skenarët se si do ndikojë ky proces në ekonomi”, theksohet në letër. Më tej, Zusi argumenton bazuar në të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave se nga rënia e euros nuk humbasin vetëm eksportuesit, por e gjithë ekonomia, pasi eksportet përbëjnë 20% të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar të vendit. Eksportuesit kanë një përgjigje në letrën e tyre edhe për tezën se nga zhvlerësimi i euros përfitojnë importuesit dhe rrjedhimisht, qytetarët me çmime më të ulëta të mallrave e produkteve. “Nëse vërtetë mendohet se ‘duke ulur koston e importeve me pasojë uljen e eksporteve’ është një zhvillim pozitiv ekonomik dhe tregues i një ekonomie të fortë, atëherë i bie që: le ta zhvlerësojmë edhe ca më shumë euron që ta zhvillojmë edhe ca më shumë ekonominë duke e kthyer në një ekonomi të pastër importuese të ngjashme me atë të vitit 1992, nën efektet e ‘terapisë shock’!! Vetëm sa më sipër mjafton për të kuptuar absurdin se ky ‘zhvillim bankar’ është regres e vetëvrasje për ekonominë”, theksohet në letrën zyrtare. Pas një analize të detajuar që i bëhet ndikimit në ekonomi të zhvlerësimit të monedhës europiane, eksportuesit theksojnë se, pavarësisht se gjatë 3 muajve të fundit i kanë bërë vazhdimisht publike këto shqetësime, ende nuk ka asnjë material publik lidhur me analizën e impakteve nga Banka e Shqipërisë, që ka ndërmarrë këtë ndërhyrje në treg, ndonëse i është kërkuar edhe me shkresë zyrtare. “Mungesa e transparencës dhe injorimi i mëtejshëm i këtyre makro impakteve ekonomike,tashmë të qarta në treg, lë shteg për dyshime e supozime për makro skema financiare me përfitime nga dikush në tregjet monetare ndërkombëtare”, mbyllet letra e Qendrës Kombëtare të Eksporteve dhe Industrisë dhe Shoqatës së Industrialistëve Ushqimorë.
Sigal