Arsyet e rënies së euros

1604
Prof. Dr. Suzana Guxholli

Kohët e fundit flitet për rënien e fuqisë blerëse të euros dhe forcimin e lekut. Tingëllon bukur e patriotike. Por ç’është në të vërtetë dhe çfarë pasoja ka për ekonominë shqiptare dhe shqiptarët? – kjo është siç i thonë, një pyetje interesante që bëjmë të gjithë. Në gjuhën ekonomike, kursi i këmbimit luhatet normalisht, duke zhvlerësuar apo vlerësuar më shumë monedhën vendase ndaj një tjetre, (në rastin në fjale, euron e Evropës së shumë ëndërruar e dëshiruar. Kjo ndodh, kur çmimi i monedhës rregullohet në një regjim tregu, sipas kërkesës dhe ofertës së krahasuar me monedhën tjetër lek me euro, në rastin konkret, dhe quhet përqindje këmbimi “floating”, që lëviz lart e poshtë me tregun apo indekse të caktuara. Shqipëria e ka të tillë kursin e këmbimit.

Sot si asnjëherë në 10 vitet e fundit, euro është nënvlerësuar në vlera rekord, ndërsa leku mbivlerësuar, duke u kthyer në një tendencë prej disa muajsh, tërësisht e çuditshme dhe pa shpjegim, kur euro në tërësi në tregun jashtë Shqipërisë është në ngritje dhe është forcuar. Me fjalë më të thjeshta, shqip leku është mbivlerësuar, forcuar, kurse euro nënvlerësuar, dobësuar. Kur një kurs këmbimi rezulton i lartë për monedhën vendase, lek në këtë rast, sjell si pasojë shtrenjtim të eksporteve, bën më të lira importet, duke ulur kërkesën e brendshme dhe inkurajuar shpenzime importi. Kursi i mbivlerësuar, duke ulur importet e inkurajuar eksportet, ul njëkohësisht kërkesën e brendshme, duke ngadalësuar rritjen ekonomike e duke rritur për pasojë, papunësinë, rrit deficitin e llogarisë korrente dhe kërkon fluks të madh kapitali të financojë këtë deficit. Pra, në një ekonomi anemike dhe zvarranike si e Shqipërisë, monedha e fortë lek, krijon një rreth vicioz pasojash negative afatmesme e afatgjata. Vetëm në lulëzim të madh ekonomik ka efekt pozitiv, si uljen e presioneve inflacioniste. Në ekonominë depresive shqiptare, rrit presionet, ul investimet e huaja sepse investitorët e shohin me rrezik të lartë vendin në ekonomi të pasigurt. Mbivlerësimi i lekut, duke vështirësuar eksportet dhe i pakëson, ul rritjen ekonomike, ul konkurrueshmërinë e mallrave vendase, dekurajon prodhimet dhe shërbimet, ul produktivitetin e ekonomisë dhe prodhimit, duke sjellë rritje të padëshiruar të importeve, deficitit tregtar, papunësisë etj.

Akoma më thjeshtë, e më tej, forcimi i lekut e dobësimi i euros, si rezultat i shtimit të madh e të papritur të euros në treg, ndikon në një sërë variablash ekonomikë të jetës së qytetarit shqiptar. Të tillë përmenden interesi i kredisë për pasuri të patundshme, kthimi i investimeve në tregjet financiare, çmimet në rritje në dyqane ushqimore dhe jo, në rënien e punësimit dhe presione e ulje pagash. Afatshkurtër ndihet pozitivisht, kur paguhet kredia në euro, kur udhëton jashtë në zonën euro, remitancat që vijnë në euro e çdo pagesë që bëhet me kthim nga lek në euro. Vlera e monedhës në tregjet internacionale është një instrument i rëndësishëm i Bankave Qendrore, kur përpilojnë politikat monetare të vendeve të tyre. Në këtë rast, Banka e Shqipërisë po përpiqet të mbështesë e justifikoje fenomenin e pa shpjegueshëm me termat e logjikën normale ekonomike, të rënies së euros në Shqipëri, (por jo tjetërkund) dhe forcimit të lekut, duke prezantuar një politikë që nxit përdorimin e lekut e dekurajon atë të euros. Kjo nëpërmjet instrumenteve te saj, si rritja e rezervës për euro nga 10% në 12.5%, uljen e rezervës në lek nga 10% në 7.5% apo rritjen e aseteve likuide në euro nga 15% në 20%, nxitjes së huave në lek jo euro etj. Oferta shumë e lartë në euro dhe qarkullimi i ngadalshëm i lekut, nuk justifikohet as me rritjen e ndërtimeve, as me pagesat e bizneseve dhe individëve, as me politikat monetare të BSH, as me investime të huaja direkte apo investime vendase. Të mendosh që vera me turistë e emigrantë është përpara me prurje të tjera shtesë eurosh. Të gjitha burimet e informacionit dhe të dhënat e përpunuara apo jo, nuk të japin përgjigje për këtë fenomen, që dëshmon qartë futjen e euros në ekonominë shqiptare nga vjet, nga kanale e burime jo formale e jo zyrtare. Pra, etiketimi i ekonomisë sonë nga ekonomistë e gazetarë, vendas e të huaj si ekonomi e kanabizuar, të jep përgjigje për këtë fenomen financiar ala shqiptar.
Sigal