Edmond Ahmeti: Fotokopjet dhe shkarkimet në internet konsiderohen shkelje e ligjit

552
Sigal

 

Ligji i ri për të drejtën e autorit parashikon lehtësi dhe përfitime për autorët, duke mbrojtur kështu krijimtarinë personale. Për të monitoruar zbatimin e ligjit është ngritur Inspektoriati i Tregut pranë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, ndërsa për shkelësit do të aplikohen masa ndëshkuese me gjobë. Problem më i madh janë fotokopjimet dhe shkarkimet e materialeve nga internet, të cilat mbetën sfidë për luftimin e informalitetit. Ligji i ri për të drejtat e autorit që ka hyrë në fuqi 7 muaj nga miratimi parashikon disa risi në mbrojtje të krijimtarisë së autorëve. Me miratimin e ligjit të ri për të drejtën e autorit, materialet audio vizuale nuk do mund të shkarkohen kaq lehtë pa paguar apo pa pasur autorizim nga krijuesit e tyre Këshilltari juridik në Ministrinë e Kulturës, Edmond Ahmeti, sqaron për Ora News skemat e përfitimit për autorët apo agjencitë e licencuara të administrimit kolektiv. Ahmeti: Ka skema të reja përfitimi që bëjnë të mundur edhe mundësinë për përfshirjen në treg edhe të etniteteve të reja që të mund të jenë agjencitë e administrimit kolektiv për të administruar në funksion të titullarëve siç mund të jenë aktet pamore, fusha e librave apo fusha të tjera të identifikuara të cilat ligji i lejon, i garanton dhe kushdo mund ti vështrojë këto në tregun shqiptar. Ligji i ri parashikon forma të reja mbrojtje dhe monitorimi në treg, ndërsa kërkohet që edhe vetë autorët të jenë më aktiv në evidentimin e rasteve. Ahmeti: Është ngritur tashmë Inspektorati i Tregut, një trupë e re inspektimi në nivel kombëtar i cili do të bëjë mbrojtjen dhe vendosjen e masave administrative për këdo që evidentohet që nuk ka leje apo një autorizim, sanksionet nuk shtrihen vetëm mbi subjektin juridik apo një person konkret, ashtu sikundër edhe administrator apo një person drejtues i këtij personi juridik në mënyrë individuale do të mbajë përgjegjësi. Vetë autorët duhet të jenë shumë më aktivë nga çfarë kanë qenë. Megjithatë sfida vazhdon për tu përballur me informalitetin dhe piraterinë si epidemi ndërkombëtare.