Edhe pa taksën në Rrugën e Kombit, bien eksportet me Kosovën

652
Tregtia e Shqipërisë me Kosovën ka nisur të tkurret edhe pa nisur të aplikohet taksa mbi Rrugën e Kombit. Sipas të dhënave të INSTAT-it, në muajin mars, eksportet drejt Kosovës ranë me 13.2%, gjithashtu edhe importet ranë me 1.1%. Në muajin mars 2018, eksportet me Kosovën shënuan 1.48 miliardë lekë, nga 1.71 miliardë lekë që ishin në marsin e kaluar, ose 225 milionë lekë më pak. I vetmi shtet me të cilin Shqipëria ka suficit tregtar është Kosova. Eksportet drejt saj më 2017 ishin rreth 20 miliardë lekë, me një rritje 26% në krahasim me 2016. Por në raportin me totalin e eksporteve të Shqipërisë, ato zënë një peshë të vogël, vetëm 9% të totalit. Shqipëria, rreth 80% të eksportit e ka me Italinë, ndërsa me vendet e tjera, treguesi ka zhvillime modeste. Kosova është partneri i dhjetë tregtar i Shqipërisë në eksporte. Aktualisht partneri kryesor tregtar i Kosovës është Serbia, me të cilën realizon 12% të eksportit dhe 14.6% të importeve. Por në rast se taksa në Rrugën e Kombit do të nisë aplikohet, tregtia ndërmjet shteteve të të njëjtit komb do të përkeqësohej. Aktualisht, marrëdhëniet tregtare ndërmjet dy vendeve reflektojnë dobësitë strukturore të ekonomive respektive. Eksportet janë lëndë të para dhe prodhime bujqësore pa ndonjë vlerë të shtuar. Ndërsa Shqipëria dhe Kosova e kanë ekonominë të profilizuar në konsum, i cili në të dy shtetet financohet nga prurjet e emigrantëve në një masë të madhe. Teksa blloku i Lindjes u shkëput nga regjimi totalitar, Kosova dhe Shqipëria u gjendën në kushte të ndryshme, pa një histori bashkëpunimi ekonomik dhe partnerë tregtarë të ndryshëm. Në fund të vitit 2017, eksportet drejt Kosovës zunë 7.6% të totalit, teksa panë rritje 28% në krahasim me vitin 2017. Mallrat më të eksportuara me Kosovën janë produktet e naftës dhe të hekurit dhe materiale të tjera të ndërtimit si tulla, çimento, frutat dhe perimet. Importet janë në nivele të ulëta. Shqipëria importon nga Kosova vetëm 3% të totalit. Më 2016, ato arritën në vetëm 8 miliardë lekë dhe dominohen kryesisht nga pijet, artikuj të gizës, teksa shihet se vitet e fundit janë rritur ndjeshëm importet e drithërave. Megjithatë, flukset tregtare të Kosovës nuk zënë as 3% të volumit tregtar të Shqipërisë me jashtë. Që në vitet e para të tranzicionit, kur Kosova ishte e pandarë nga juridiksioni serb, Shqipëria krijoi lidhje tregtare me Italinë. Sot, partnerët tregtarë të Shqipërisë janë vendet e BE-së, teksa Kosova kishte burimet tradicionale të furnizimit të saj me mallra Serbinë dhe ish-republikat e tjera të ish-Jugosllavisë.
Sigal