E refuzoi vajza me të cilën kishte dalë, shqiptari përfundon në pranga pasi qëlloi në ajër me armë zjarri

125
Sigal

Një 27-vjeçar shqiptar në Itali është vënë në pranga për një sërë veprash penale. Ai u kap nga karabinierët pasi qëlloi disa herë në ajër dhe më pas iu gjet edhe një sasi kokaine. Mediat në vend raportojnë se i riu u arrestuar rreth orës 05.00 të mëngjesit në Romë pas denoncimeve se një makinë ishte parë duke ecur me dyert hapur.

Më përpara ai kishte qëlluar edhe në ajër me armë zjarri. Pas kontrolleve, i riu u gjet pranë makinës ndërsa në rripin e pantallonave mbante armën e zjarrit.

Sipas të dhënave paraprake, rezulton se 27-vjeçari, i cili nuk ka precedent penalë, pasi kaloi mbrëmjen në shoqërinë e një vajze, e shoqëroi atë në shtëpi. Më pas ai e kishte marrë në telefon për t’u takuar sërish, por ajo kishte refuzuar.

Dhe në influencën e alkoolit ai nisi të qëllonte disa herë në ajër. Pas kontrollit në shtëpinë e tij u gjetën edhe disa gramë kokainë të ndarë në doza. Tashmë pritet që 27-vjeçari të dalë para gjykatës për të marrë dënimin ndërsa arma dhe lënda narkotike u sekuestruan.