E kapin pa licencë, 700 euro për të mos mbyllur biznesin

608
Sigal

“Fiks Fare” denoncon skandalin me inspektorët tatimorë në Sarandë

Emisioni investigativ “Fiks-Fare” solli mbrëmjen e djeshme një skandal lidhur me inspektorët tatimorë, të cilët gjatë muajve të verës kanë ushtruar kontrolle kundër informalitetit në bizneset që ushtrojnë aktivitetin e tyre në qytetet bregdetare. “Fiks Fare” paraqiti një rast ku inspektorët tatimorë, edhe pse konstatojnë shkelje për një subjekt të pa regjistruar në organet tatimore, nuk marrin asnjë masë, por kundrejt ryshfetit që kërkojnë, largohen nga subjekti. Skandali u denoncua në “Fiks Fare” nga qytetari, i cili ka rënë pre e kërkesave abuzive të inspektorëve të tatimeve dhe në këto kushte ka regjistruar bisedën me ta. Inspektorët tatimorë i kërkojnë 700 euro qytetarit që të mos e gjobisin për biznesin e tipit “Këmbim valutor”, të cilin e kishte pa licencë. Pas sinjalizimit gazetarët e “Fiksit” u nisën drejt Sarandës, por biznesmeni, i cili ishte detyruar të paguante 700 euro nuk pranoi të jepte intervistë. Ai i vuri në dispozicion gazetarëve të “Fiksit” të gjitha pamjet e kamerave të sigurisë së biznesit, aty ku kishte ndodhur edhe dhënia e ryshfetit ndaj inspektorëve të tatimeve. Inspektorët kanë shkuar ditën e parë në biznesin e zotërisë dhe kanë konstatuar, se biznesi i tipit: Agjenci turistike ishte në rregull, por këmbimi valutor që zotëronte i njëjti pronar, operonte pa licencë. Ditën që inspektorët vajtën në biznes kontrolluan gjithçka, por në mungesë të pronarit të biznesit i lanë një porosi punëtorit. Që pronari të shpëtonte nga gjoba duhej t’u jepte inspektorëve të tatimeve 700 euro. “Fiks Fare” transmetoi me pamje dhe audio ditën kur inspektorët kthehen në biznes dhe bëjnë muhabet me pronarin, të cilin nuk e gjetën në biznes ditën e parë. Inspektori i thotë, se unë nuk kam kohë të ulem në kafe. Ndërkohë qytetari i thotë, se ka marrë edhe një tjetër gjobë në një hotel dhe kërkon ndihmën e tyre për t’ia hequr.

Inspektori i thotë, se do flasë me kolegët edhe për këtë rast. Kur pronari e pyet, se ku mund t’ia japë lekët ai e tërheq në një anë të biznesit që nuk monitorohet nga kamerat dhe thotë: “Lekët eja dhe m’i jep aty”. Pasi merr 700 euro inspektori ikën duke i thënë biznesmenit, që të mund ta kontaktojë në telefon kur të ketë dëshirë për çdo gjë.

Takimi i inspektorit me pronarin e biznesit për të marr 700 euro ryshfet

Inspektori: Ishe dje ti?

Qytetari: E kam ngritur me gjak këtë punë. Jo mo nuk isha unë, kam qenë në Tiranë unë kur folëm bashkë, kam ardhur në orën 2 e gjysmë të natës.

Inspektori: Exchange-in e ke pa licencë.

Qytetari: E di unë, e kam bërë licencimin tek Anila Thomai, dhe më tha shprehimisht kështu, Ali,

Inspektori: Nuk je fare për licencim,

Qytetari: Bravo, jo, je për licencim se unë i plotësoji të gjitha kushtet, por problemi është se mund të bëhet vetëm në shtator. Ke mundësi më tha mua me u rregullu me çunat tha, troç. Me një fjalë ajo tek Banka e Shqipërisë, rregullohu me çunat tha puno. Është punë kulakçe, varet si e shohin ato.

Inspektori: Do punosh, Vazhdo puno ti.

Qytetari: Kur do pimë kafe?

Inspektori: Kur të duash pimë kafe, vetëm jo sot se jemi në monitorim.

Qytetari: Ku të t’i jap këto “lekët”?

Inspektori: Hajde more atje, aty…

Qytetari: Do t’i bije telefonit për ndonjë gjë.

Inspektori: Do vij, por nuk vij dot që sot tek hoteli.

Qytetari: Të vish edhe je i mirëpritur atje.

Inspektori: Do të vij por do të marr këtu që të ashtu…

Qytetari: Sqaroje, po nuk e pate problem atë Visin “inspektori tjetër’, thuaji me atë çunin , se është çun dora jonë thuaji.

Inspektori: Me Visin tani, te Visi kalojmë vetë ne. Hajt mirupafshim.

Qytetari: Mirupafshim

Inspektori: Bjeri telefonit ë…

Qytetari: Patjetër.