Dyshohet se do të vriste bashkëfshatarin, arrestohet 30-vjeçari në Maliq

235
Sigal

Policia e Maliqit ka arrestuar një 30-vjeçar, pasi dyshohet se ka tentuar të vrasë me armë zjarri një shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta.

Në pranga ka rënë i riu J. Q., ndërsa policia ka sekuestruar krëhëra automatiku dhe pushke, si dhe municion luftarak.

Njoftimi i policisë:

Mbrëmjen e djeshme rreth orës 22:30, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Pendavinj, Maliq, shtetasi J. Q., 30 vjeç, gjatë një konflikti për motive të dobëta, me shtetasin B. D., 29 vjeç (i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje), të dy banues në fshatin Pendavinj, kishte qëlluar me armë zjarri tip automatik në drejtim të tij, pa i shkaktuar lëndime, shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, në bashkëpunim me Strukturat për Hetimin e Krimeve në Dvp Korçë dhe Forcat Speciale “Shqiponjat”, shkuan menjëherë në vendngjarje dhe falë ndërhyrjes së shpejtë, bënë të mundur parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit, kapjen dhe ndalimin e autorit të dyshuar të ngjarjes.

Nga veprimet e mëtejshme dhe kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit J. Q., u gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale krëhëra automatiku dhe pushke, pjesë të tjera përbërëse të armëve të zjarrit dhe municion luftarak.

Materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprat penale “Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.