Dyshohet se do të transportonte 50 sirianë drejt Italisë, arrestohet drejtuesi i gomones

41
Sigal

Arrestohet drejtuesi i gomones i cili dyshohet se do të transportonte 50 sirianë drejt Italisë mesnatën e 8 Janarit.

Në pranga është vënë Emiljano Likaj 26-vjeç.

Sipas policisë ndaj tij rëndojnë akuzat për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”. Tashmë materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë.

Sirianët pasi ishin fshehur në Vlorë, të ndihmuar nga personat e arrestuar dhe të tjerë po tentonin që të kalonin me gomone në Itali, por kushtet e motit e vështirësuan situatën duke bërë që të kërkojnë ndihmë pasi rrezikuan mbytjen.

Njoftimi i policisë:

Vijon puna për zbardhjen e plotë të tentativës për kontrabandim të migrantëve dy javë më parë. Shkon në tre numri i personave të arrestuar, të cilët janë përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Në pranga drejtuesi i mjetit lundrues.

Dy javë me parë, Policia ka vënë në pranga 2 personat përgjegjës për strehimin e shtetasve të huaj emigrantë, përkatësisht pronarin e një hoteli në Tiranë dhe pronarin e një banese në fshatin Trevllazër, Vlorë.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë, në vijim të punës për zbardhjen e plotë të tentativës për kontrabandimin e migrantëve në rruge detare dhe vënien para drejtësisë të personave përgjegjës, bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe ndalimin e autorit të tretë të kësaj ngjarjeje, shtetasin: E. L.(A.), 26 vjeç, banues në Vlorë.

Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se ky shtetas ka qenë drejtuesi i mjetit lundrues (skafisti), me të cilin migrantët nga vendet e treta do të largoheshin në drejtim të shtetit italian, më datë 08.01.2021. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit.