Dyshohet se aksidentoi të miturin që po lëvizte me motomjet dhe u largua nga vendi i ngjarjes, arrestohet shoferi

30
Sigal

Policia e Korçës ka vënë në pranga 63-vjeçarin, shoferin e furgonit që përplasi ditën e djeshme 17-vjeçarin që po lëvizte me motomjet dhe u largua nga vendi i ngjarjes.

Ngjarja ndodhi në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, pranë fshatit Petrushë, ku automjeti tip “Ford” me drejtues shtetasin inicialet B. J., dyshohet se është përplasur me një motomjet pa targa, me drejtues shtetasin F. M. Pas verifikimeve të kryera, rezultoi se shtetasi F. M. e drejtonte motomjetin pa leje drejtimi.

I riu ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi i policisë:

DVP Korçë/Vihen në pranga 2 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 3 të tjerë, për vepra të ndryshme penale.

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, për një aksident rrugor, ju informojmë se po këta specialistë arrestuan në flagrancë shtetasin B. J., 63 vjeç, banues në Pogradec, si dhe referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. M., 18 vjeç, banues në fshatin Zvirinë, Maliq, pasi në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, pranë fshatit Petrushë, automjeti tip “Ford” me drejtues shtetasin B. J. është përplasur me një motomjet pa targa, me drejtues shtetasin F. M. Pas verifikimeve të kryera, rezultoi se shtetasi F. M. e drejtonte motomjetin pa leje drejtimi.

Si pasojë e këtij aksidenti kanë marrë dëmtime drejtuesi i motomjetit dhe pasagjeri 17-vjeçar, banues në fshatin Zvirinë, Maliq, të cilët aktualisht ndodhen në spital.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.