Dyshohen se kishin futur mallra kontrabandë në Shqipëri, arrestohen katër persona

138
Sigal

Katër persona janë arrestuar nga policia gjatë një operacioni për goditjen futjes së mallrave kontrabandë në vendin tonë.

Në pranga janë vënë transportuesit e mallrave në rrugën “5 Maji” dhe dy administratorë biznesesh që do të merrnin porosinë.

“Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale”, njofton policia.

Njoftimi i policisë

Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, operacioni policor i koduar “Free road 3”.

Sekuestrohen mallra dhe veshje të ndryshme, të dyshuara të kontrabanduara. Vihen në pranga 4 shtetas që bashkëpunonin për transportimin dhe tregtimin e këtyre mallrave.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Free road 3”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– B. M., 33 vjeç, banues në Kukës, A. K., 41 vjeç, banues në Tiranë;

– A. K., 34 vjeç, dhe B. I., 33 vjeç, të dy banues në Tiranë, administratorë të dy subjekteve tregtare.

Shërbimet e Policisë, në rrugën “5 Maji”, kanë lokalizuar dhe ndaluar furgonin me drejtues shtetasin B. M. dhe pasagjer shtetasin A. K. Gjatë kontrollit të furgonit u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, mallra të dyshuara të futura kontrabandë në Shqipëri, pa pullë fiskale, të cilat do t’i merrnin shtetasit A. K., dhe B. I.

Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.