Dy vajza humbën jetën në aksident, policia jep detaje: Ishin pasagjere, dy të tjerat jashtë rrezikut, 58 vjeçari i dehur në pranga

341
Sigal

Behar Pema, shkaktari i aksidentit që i mori jetën dy vajzave mbrëmjen e të dielës tashmë është në pranga, pasi ka qenë duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.

Sipas policisë makina tip Benz që ai drejtonte ka goditur makinën me të cilin udhëtonin katër vajza, duke lënë të vdekur dy prej tyre Lusida Garunja dhe Xheneta Qallia.

Ndërsa gjendja e dy të plagosurave Denisa Dibra dhe Nervida Garunja, është e stabilizuar dhe tashmë ato janë jashtë rrezikut për jetën.

“Në lidhje me informacionin e dhënë mbrëmjen e djeshme për aksidentin e ndodhur në aksin rrugor Tiranë-Elbasan, në dalje të tunelit të Krrabës, ku shtetasi B. P., 58 vjeç, banues në Tiranë, duke drejtuar mjetin tip “Benz” në gjendje të dehur, është përplasur me mjetin tip “Volkswagen”, me drejtuese shtetasen D. D., 26 vjeçe, banues në Shkodër dhe për pasojë kanë ndërruar jetë në spital dy pasagjeret, shtetaset L. G., 19 vjeçe dhe Xh. Q., 18 vjeçe, të dyja banuese në Shkodër, si dhe janë plagosur shtetaset D. D. dhe N. Q., 19 vjeçe, banuese në Shkodër, të cilat ndodhen jashtë rrezikut për jetën, bëjmë me dije se shërbimet e Policisë kanë kryer të gjitha veprimet hetimore.

Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasin:

B. P., 58 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprimet e mëtejshme procedurale“, njofton policia.

Katër vajzat ishin duke udhëtuar drejt Korçës ku u goditën nga automjeti tip “Benz” që drejtohej nga Behar Pema.

Në momentin e shpëtimit Nervida Garunja i tha uniformave blu se ai po bënte manovra të gabuara në rrugë pak para se të ndodhte aksidenti.