Dy nga pesë viktimat në Shqipëri u infektuan me Covid-19 në Sanatorium

339
Sigal

Situata në spitalin “Shefqet Ndroqi” gjatë ditës së sotme paraqitet e qetë dhe nuk shihen shumë lëvizje.

Çfarë dihet është se mjekët e prekur nga Covid-19 në këtë spital janë rreth 8,  të cilët ndodhen në vetëkarantinim.

Deri tani ata janë në gjendje të stabilizuar, dhe nuk kanë shfaqur simptoma të rënda.

Dy prej viktimave që tashmë kanë ndërruar jetë nga koronavirusi kanë qenë të shtruar në Spitalin “Shefqet Ndroqi”.

Bëhet fjalë për një 66-vjeçar nga Lushnja i cili ndërroi jetë javën e kaluar. 66 vjeçari ka qenë më herët i shtruar pranë këtij spitali pasi vuante nga sëmundje të tjera.

Ai u infektua gjatë vizitës nga një i afërm i tij i cili vinte nga Italia.

Gjithashtu edhe viktima e mbrëmshme, 71 vjeçari nga Kuçova ka qenë më parë i shtruar pranë spitalit “Shefqet Ndroqi” pasi vuante nga tumori në mushkëri, pasi u konfirmua si i prekur nga koronavirusi ai u transportua në spitalin Infektiv në Tiranë.

Ende nuk është njoftuar për ndonjë numër tjetër të infektuarish në sanatorium. Përveç 8 mjekëve të infektuar nuk ka njoftim për të infektuar të tjerë.

Ndërkohë Ministria e shëndetësisë ka njoftuar se Sanatoriumi është vendosur për tu kthyer në spital Covid 2 pas Spitalit Infektiv.