Durrësi, në serinë e monedhave përkujtimore të Bankës së Shqipërisë

1741
Sigal

Në një mënyrë apo një tjetër, për faktin se në Durrës u shtypën monedhat e para, pikërisht Durrësi është pikënisja e numizmatikës shqiptare. Numizmatika, kjo veprimtari e cila për shekuj me radhë është kthyer në një hobi për shumë të pasionuar në mbarë botën, në Shqipëri e ka zanafillën pikërisht në Durrësin e vjetër, në Dyrrah dhe në Apoloni, në zonën e Fierit të sotëm, në shekujt VII – VI para erës sonë. Duke ardhur në kohët moderne, numizmatika, krahas të qenurit një pasion, u shndërrua edhe në aktivitet zyrtar, veçanërisht duke filluar që nga pjesa e dytë e shekullit XIX, kur u konsoliduan bankat qendrore të shteteve dhe monopoli i shtypjes së parave i mbeti vetëm atyre. Shpesh, bankat qendrore të shteteve shtypin, kryesisht monedha, në kujtim të ngjarjeve të ndryshme, festave, përvjetorëve, etj.. Banka e Shqipërisë ka nisur nxjerrjen e monedhave përkujtimore pas vitit 1944, ku përmes tyre janë promovuar ngjarje të historisë dhe vlera të kulturës sonë kombëtare. Këto monedha përkujtimore prodhohen në tirazh të kufizuar dhe, në përbërje, janë prej ari ose argjendi. Në vitin 1987, Banka e Shqipërisë nxjerr në qarkullim dy monedha të tilla përkujtimore, me vlerë 5 lekë dhe 50 lekë. Ajo me vlerë 5 lekë është prej ari dhe ndërsa ajo me vlerë 50 lekë është prej argjendi. Në të vërtetë, vlerat 5 lekë dhe 50 lekë janë ato të shtypura në monedha, pasi vlera e tyre e vërtetë është shumë më e madhe, nisur edhe nga fakti se ato përdoren vetëm për dhurata, qëllime ekspozimi, qarkullim të kufizuar ose për koleksionim. Këto dy monedha kanë të shtypur elementët identifikues të Durrësit: kalanë dhe anijet. Monedha me vlerë 50 lekë, prej argjendi, peshon 168, 15 gramë dhe ka një pastërti në 92,5 për qind. Në njërën anë është shkruar “Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë – 1987”, ndërkohë që, e shtypur në reliev është stema e shtetit tonë të asaj kohe. Nga ana tjetër është shkruar “Albania’, ndërkohë që, në reliev është shtypur kalaja e Durrësit dhe një anije, të dy këto elementë shumë dallues të Durrësit. Deri në vitin 1990, Banka e Shqipërisë ka nxjerrë pesë seri monedhash përkujtimore, në vitet 1968, 1969, 1987, 1988 dhe 1989. Ndërkohë, monedha e fundit përkujtimore e nxjerrë nga Banka e Shqipërisë ishte prej ari, me vlerë 200 lekë, e cila përkujtoi 100- vjetorin e Pavarësisë. Vetëm 1000 copë nga kjo monedhë janë hedhur në qarkullim, 200 prej të cilave bëjnë pjesë në fondin e paprekshëm të vetë Bankës së Shqipërisë.

Çfarë është numizmatika

Numizmatika është veprimtaria e të mbledhurit dhe koleksionimit të monedhave e kartëmonedhave të vjetra, dikur të përdorshme. Fillesat e kësaj veprimtarie janë të hershme dhe sot, kjo veprimtari e përhapur thuajse në të gjithë botën, ndahet në tri pjesë kryesore: numizmatika e cila merret me koleksionimin e monedhave të botës së vjetër, asaj të mesjetës dhe kohës së re. Pjesë e numizmatikës është bërë edhe koleksionimi i titujve dhe urdhrave të nderit që akordojnë shtetet.