Drejtoria e Irfan Dashit, pasi u zhvati pjesët, shiti për skrap 40 makineri moderne të firmës “BEHASE”

747
Sokol JANI
Pas denoncimit të bërë në “Telegraf” edhe të skandalit me ankandin e shitjes për skrap të 40 makinerive të reja ndërtuese rrugësh të firmës “BEHASE”, të vlerësuara prej komisionit “kukull” të ngritur prej tij e në vartësi administrative të tij, Drejtori i Përgjithshëm i Rezervave të Shtetit, pazarxhiu Irfan Dashi, ka quajtur “shpifje me dëmtim të rëndë psikik” të tij, duke mohuar të ketë urdhëruar procedurë ankandi, ngritje komisioni vlerësimi, publikim ankandi në (buletinin e APP), shtyrje ankandi e shumë veprime të tjera zyrtare që kanë “bekimin” dhe firmat e tij! Për t’i freskuar kujtesën Dashit të lodhur nga zullumet që ka bërë këto 4 vite si “krye-depoxhi” i mallrave të Rezervave të Shtetit, sot po nisim botimin e plotë të dosjes së skandalit ekonomik, financiar, ligjor, administrativ e institucional, që Irfan Dashi ka inskenuar dhe realizuar me makineritë e sekuestruara të firmës “BEHASE” të bllokuara nga shteti në Pajovë të Elbasanit, duke i nxjerrë në ankand si skrap. Këtu nis skandali “Dashi”, që u “certifikua” edhe nga ish-ministri Tahiri, megjithëse makineritë ishin moderne dhe në gjendje shumë të mirë teknike për punë, të cilat nuk mund të shiteshin për skrap, por mund të kalonin në dispozicion të INUK, agjencive të mjedisit e turizmit, bashkive dhe ndërmarrjeve rajonale të rrugëve! Por edhe pse Irfan Dashi deklaron, se nuk ka lidhje me këtë krim ekonomik-financiar në dëm të shtetit, rezulton se ky xhambaz emërimesh, mallrash e tenderësh, i mirënjohur nëpër pazare të tilla në të 4 postet shtetërore ku ka qenë drejtues qendror, në Buletinin e APP-Nr. 6, datë 16 shkurt 2015, ka shpallur ankandin me Nr. Reference 1A/2015 për shitjen për “skrap” të 40 makinerive të firmës “BEHASE”, ankand i cili do të zhvillohej në datën 9 mars 2015, ora 10.00. Por pas pazareve të dështuara, duke bllokuar firmat blerëse që kishin letrat në rregull, Dashi i rezervave e shtyu ankandin pa afat, duke e njoftuar “dështimin e procedurës” në Buletinin Nr. 10, datë 16 mars 2015. Ankandi u zhvillua në datën 20.04.2015, ku fituese u shpall firma private “Shijaku shpk”. Mirëpo, Dashi i rezervave ngriti “brirët” dhe bllokoi firmën fituese, të merrte mallin e blerë (makineritë) sipas specifikimeve, mbasi makineritë ishin të zhvatura. Sipas dosjes së këtij skandali, firma fituese e ankandit, u gjend përballë skenarit të uljes së peshës së “firos” plastike nga pesha “skrap metal” e makinerive. Këtë skandal e sqaron “Kërkesa për rishikim ndryshimesh të peshës plastike” në makineritë e blera, sipas ankandit të datës 20.04.2015 dhe Kontratës Nr. 16, datë 03.06.2015, lidhur mes Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave të Shtetit dhe firmës “Shijaku shpk”, si fituese e blerjes së 40 makinerive, me peshë totale 540 mijë e 899 kilogramë. Çfarë abuzimesh janë bërë me këtë ankand? Së pari, prej drejtorit Dashi është shkelur Ligji Nr. 9920, datë 19. 05. 2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, neni 50, paragrafi 1, që thotë: “Tatim-paguesi që i nënshtrohet tatimit mbi vlerën e shtuar, sa herë që ofron mallra apo shërbime për një person tjetër, duhet të lëshojë faturë tatimore me TVSH, në përputhje me ligjin 7928, datë 27. 04. 1995 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”. Në rastin konkret, me urdhër të drejtorit Irfan Dashi, këto fatura nuk janë dhënë nga Drejtoria e Rezervave, në momentin e peshimit dhe tërheqjes së mallit të blerë! Po kështu, nuk janë bërë matjet, as për përcaktim të saktë teknik të firos së materialit plastik, në trupin e makinerive. Pas kërkesës së bërë prej firmës “Shijaku shpk” në datën 29.06.2015, veprohet kështu: Në datën 01.07.2015, me shkresë Nr. 672/1 Prot., drejtor Dashi i ktheu firmës, një përgjigje… pa sqarime! Çfarë kërkonte, firma që ka blerë makineritë skrap të firmës “BEHASE” në Pajovë të Elbasanit? Rishikimin e inventarit të makinerive, mbasi numri faktik i makinerive nuk përputhej me numrin e specifikimeve në shtojcën teknike të ankandit. Kishte diferenca të shumta në inventarin e të gjithë kamionëve, makinerive, agregateve, motorëve, diferencialeve, të cilave u ishin hequr ose ndërruar shumë pjesë e pajisje! Raporti i vlerësimit, mbi të cilët janë paraqitur specifikimet për çdo makineri e automjet, janë hartuar pa paraqitur gjendjen reale fizike të tyre, në vendin ku gjendeshin, aq sa raporti i vlerësimit, nuk ka marrë parasysh firot për xhamat, plastikat, gomat e kamionëve e fadromave, kundër-peshat e betonit që ekskavatorët dhe kamionët, kanë si pjesë në trupin e tyre. Nuk është përfshirë në vlerësimin e firove, as amortizimi fizik prej 15 vitesh i makinerive, si dhe zhvatjet e shumta që u janë bërë pjesëve të tyre! Sipas raportit përfundimtar të vlerësimit, që kanë hartuar “ustallarët” e drejtor Dashit dhe që janë miratuar si “të rregullta” prej tij, rezulton se firoja e plastikës tek këto makineri e automjete është përcaktuar në masën 15-27%, duke iu referuar, jo Katalogut të makinerive të “BEHASE”, por… koeficientit të peshave të “Fuoristrada”-ve, të cilat kur shiten për skrap e kanë firon plastike deri në 22% zbritje dhe peshave të të automjeteve të llojit autoveturë, të cilat e kanë këtë koeficient zbritjeje në masën 27%. Besojmë, se lidhur me këtë skandal që po publikojmë dhe me skandale të tjera, drejtor Dashit do t’i vijë kujtesa, megjithëse ai deklaron se “ka marrë dëmtim të plotë psikik” nga publikimi që “Telegraf” u ka bërë abuzimeve të tij me mallrat e rezervave të shtetit si p.sh., pije “VIP” për ministrin që e ka pasur shef dhe deputet e drejtues partie në Kombinat, për të tjerë që kanë pasur “sebepe” qejfi e që kanë shkuar në piknik e plazhe, por edhe për ndonjë “njeri sekret të zemrës” në diasporë! 

Në vijim të lexoni
1. Çfarë ka ndodhur me ndihmat e përmbytjeve, të futura në depot e Korçës?
2. Çfarë ka ndodhur me mallrat ushqimore të sekuestruar të nxjerrë në shitje në të 7 drejtoritë rajonale?
3. Çfarë ka ndodhur me mijëra litër pije “VIP”?
4. Çfarë ka ndodhur me urdhrat e dhënë prej drejtorit Dashi, për drejtorët rajonalë?
5. Çfarë ka ndodhur me veprimtarinë e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe pse nuk i tregohen dosjet as APP?
6. Çfarë ka ndodhur me emërimet në administratën e Rezervave, të disa individëve të ardhur nga jashtë shteti, pa paraqitur diploma sipas ligjit dhe me emërimet e kohës së provës dhe të standardit të dekriminalizimit, sipas raportit të Komisionerit për mbikëqyrjen e Shërbimit Civil?
7. Çfarë ka ndodhur me veprimtarinë e auditit të brendshëm?
8. Çfarë ka ndodhur e po ndodh me dhënien me qira të objekteve në disa zona, për familjarë deputetësh e “biznesmenë të huaj”?
9. Çfarë ka ndodhur me makinat e sekuestruara, të transferuara nga depot e rezervave, prej drejtorive policore?
10. Çfarë ka ndodhur me investimet e brendshme në objektet e drejtorive rajonale?
Sigal