Drejtoria Detare: Disa tragete nuk do të nisen, pritet stuhi dhe dallgë deri 4 metra

109
Sigal

Drejtoria e Përgjithshme Detare njoftoi se të premten pasdite, moti do të përkeqësohet sërish në të gjithë bregdetin dhe si rrjedhojë, disa tragete nuk do të nisen. Në njoftimin e publikuar në Fb, thuhet: “Në bazë të parashikimit të situatës hidrometeorologjike për vendin tone për datat 20 – 22 janar 2023, moti do të përkeqësohet duke filluar pasditen e datës 20 janar 2023 përgjatë gjithë bregdetit shqiptar. Era do të jetë me drejtimin jug-jugperëndim në forcën 7 bft deri 8 bft dhe me shpejtësi mbi 25 m/s. Lartësia e dallgës do të arrijë deri në 4 metra.

Situata në portet dhe radat për datën 20 janar 2023 paraqitet si më poshtë:

Në Portin e Durrësit, tragetet që operojnë në linjën Durrës – Bari – Durrës nuk do të nisen ditën e sotme nga të dyja portet respektive. Gjithashtu edhe trageti i linjës Durrës -Ankona – Durrës nuk do të niset nga Porti i Ankonës.

Në Portin e Vlorës, për linjën Vlorë – Brindisi – Vlorë, trageti “Ioan Star” do të niset rreth orës 14:00 nga Porti i Vlorës. Kurse në datën 21 janar 2023 nuk do të behet nisja nga Porti i Brindisit.

Në Portin e Sarandës, anijet pasagjere të linjës Sarandë-Korfuz-Sarandë ditën e sotme kanë operuar normalisht.

Në Portin e Shëngjinit situata është e qetë dhe pa probleme. Situata meterologjike detare pritet që të përmirësohet ditën e diel.

Për anijet e peshkimit dhe mjetet e vogla është pezulluar lundrimi deri në përmirësimin e situatës. Drejtoria e Përgjithshme Detare do të njoftojë në vijimësi për çdo ndryshim apo përditësim të situatës meterologjike dhe operimit të mjeteve lundruese në portet e Republikës së Shqipërisē.”