Drejtor Rajonal i AKU-Qarku Lezhë: Përballje me abuzuesit, zbatim ligji, kryerje detyre, standarde dhe siguri ushqimore

964
Qarku i Lezhës i ka të gjithë llojet e prodhimit dhe të tregut ushqimor, ndaj dhe ka vështirësi e kërkon punë sistematike, serioze e kualitative për të mbajtur nën kontroll të përhershëm “hartën” gjeografike të sigurisë së produkteve ushqimore që shkojnë tek konsumatorit në çfarëdo lloj trajte (natyrale-teknologjike), si dhe që futen në treg nga çdo “port”, sidomos nga deti, agro-biznesi, fermat dhe fusha. Përballë kësaj ngarkese, ose më saktë përballë faktit që deri 2 vite më parë kontrolli ushqimor nuk ekzistonte fare, AKU e Qarkut të Lezhës ndërtoi strategjinë e rilindjes dhe futjes së këtij shërbim në efiçencë të plotë, duke strukturuar sektorët dhe platformën e punëve. Tashmë, AKU e Qarkut Lezhë, formatuar potencialisht si një institucion me standarde pune e qëndrimesh bashkëkohore në raport me zbatimin e ligjit dhe vetëm të ligjit në çdo hap të saj, përbën modelin se si duhet të jetë dhe se si duhet të funksionoj një institucion shtetëror rajonal, me objekt shërbimin ndaj komunitetit. Autoriteti i Kontrollit Ushqimor (AKU) të Qarkut të Lezhës, me të 17 punonjësit e vet në përbërje si në rol drejtues, laborantë e inspektorë terreni, ka arritur një tregues që vlen të përmendet e përshëndetet: Prej dy vitesh, gjendet në aktivitet të plotë e efiçent pune ditore intensive, me një plan të detajuar sipas llojeve, zonave e fluksit të prodhimit dhe tregjeve, në përballje direkte ballore me shkelësit e ligjit në sektorin ushqimor, duke pasur referencë të vetme prioritare kontrollin e pa tolerueshëm, me synim për garantimin e sigurisë ushqimore të popullatës për çdo produkt që futet në treg dhe që e ofron tregu. Kur flasim për arritje në punën e kësaj AKU-je, duhet mbajtur parasysh edhe stafi i vogël në numër, shtrirja gjeografike dhe terreni fizik i qarkut Lezhë, problematikat dhe shumëllojshmëria e tregjeve. 
Flet Leke Prendi, Drejtor i AKU të Qarkut-Lezhë: Dy vite rilindje e AKU, volum dhe saktësi kontrollesh, arritjet ia dedikoj stafit që drejtoj
Kam detyrimin të deklaroj me krenari, se veçanërisht gjatë vitit 2015, stafi i AKU të Qarkut Lezhë, më qartë të 16 punonjësit që unë drejtoj dhe që u jam mirënjohës për mirëkuptimin dhe mbështetjen që më kanë ofruar, fal një pune konkrete në grup e secili sipas funksionit, prej 2 vitesh ka futur e mban nën kontroll të plotë, të imët e profesional gjithë sektorin ushqimor si lëndë të parë, si prodhim natyral, si përpunim industrial ushqimor, si tregtim me shumicë, si import, si eksport, si shërbim ushqimor kolektiv në mensa, në bar-kafe, restorante e deri në tregjet e lagjeve e të rrugicave, ku konsumatorët në të 3 rrethet Lezhë, Mirditë e Kurbin blejnë produkte ushqimore. Drejtoria rajonale e kontrollit dhe sigurisë ushqimore të qarkut Lezhë që unë drejtoj prej mëse 2 vitesh, ashtu si vitin 2014 po e mbyll edhe vitin 2015 me një bilanc arritjesh pozitive jo të “rëna nga qielli”, por si rezultat i punës që kemi bërë si staf. Dhe është dashur shumë punë, shumë guxim, shumë sakrifica, shumë lodhje që sot pas 2 vitesh rilindje të AKU të qarkut Lezhë, të kemi të flasim me “gjuhën” e arritjeve, të ndryshimit të madh të AKU e cila deri në tetor 2013, duhet thënë se ekzistonte vetëm si “institucion kukull” në borderonë e shtetit. Po në këto dy vite? Po sot në fund të vitit 2015, çfarë profili ka AKU që unë drejtoj? Në të gjithë Qarkun e Lezhës janë inspektuar sipas riskut që paraqesin, të gjithë stabilimentet e përpunimit të peshkut të freskët, peshkut të kriposur, njësitë e therjes së kafshëve, stabilimentet e përpunimit të mishit dhe qumështit, njësitë e tregtimit të mishit të freskët, bulmetit, peshkut, magazinat e peshkut, magazinat ushqimore, fast-food, ëmbëltoret, super-marketet ushqimore, mini-marketet ushqimore, restorantet, bar-kafe, stabilimentet e përpunimit të frutave e perimeve, stabilimentet e prodhimit të verës, birrës, stabilimentet e bluarjes se drithërave, stabilimentet e prodhimit të ushqimeve për kafshë, farmacitë bujqësore, subjektet që tregtojnë farëra e fidanë, subjektet që tregtojnë PMB etj. Bëmë të mundur, që operatorët e biznesit ushqimor deri tek më i vogli si prodhim e treg, të ndërgjegjësohen për aktivitetin që ushtrojnë, për zbatimin e kuadrit ligjor dhe rëndësinë që paraqet siguria dhe garancia e popullatës për produktin që konsumon, duke u bër të qartë se nga siguria e në veprimtarinë e tyre prodhuese e tregtuese, varet siguria dhe shëndeti i jetës së njerëzve. Në vitin 2015, pa asnjë tolerancë e pa asnjë përjashtim, u inspektuan të gjithë kuzhinat e kopshteve, çerdheve e konvikteve të shkollave për kushtet në të cilat në këto qendra ushqimi kolektiv përgatitej ushqimi për fëmijët, duke e nisur me dokumentacionin, inspektim që vazhdon sistematikisht e me imtësi, në bashkëveprim me pushtetin lokal dhe institucionet e tjerë ligj-zbatuese e kontrolluese në qarkun e Lezhës, për të cilët shpreh mirënjohje për bashkëpunimin dhe mbështetjen e ofruar në punën tonë të vështirë si AKU. Kam një fakt që dua ta theksoj: Kur inspektorët e AKU shkojnë pranë subjekteve për kontroll dhe ndeshin rezistencë prej abuzuesve për t’i penguar në kryerjen e detyrës, u kërkoj inspektorëve të qëndrojnë atje dhe shkoj personalisht në subjektin që pengon punën tonë e atje në subjekt, së bashku me inspektorët veprojmë sipas ligjit. Në punën tonë, nuk mund të quhej asgjë e përmbushur me sukses, pa pasur mbështetjen e plotë dhe konkrete, aktive e të përhershme nga Drejtoria e Përgjithshme e AKU të Shqipërisë dhe personalisht prej drejtorit Afrim Bakaj, njëherazi e bashkërenduar me mbështetjen që na ka dhënë Ministria e Bujqësisë dhe personalisht Ministri, Prof. Edmond Panariti. 
—————————–
Viti 2015 për AKU e Qarkut Lezhë, po mbyllet me këtë bilanc arritjesh
Po flasim me fakte konkrete: Gjatë vitit 2015, Drejtoria Rajonale e AKU e Qarkut të Lezhës e drejtuar nga organizatori dhe specialisti i aftë Leke Prendi, ka realizuar gjithsej 1520 inspektime. Sektori i Inspektimit të Ushqimit për Kafshë me Origjinë Jo-Shtazore ka realizuar 650 inspektime. Sektori i Inspektimit të Ushqimit me Origjinë Shtazore ka realizuar 700 inspektime. Sektori i inspektimit të Mbrojtjes së bimëve dhe Inputeve Bujqësore ka realizuar 170 inspektime. Po përmend një fakt, që është tregues ngarkese dhe cilësie pune: Deri në datën 30 nëntor 2015, janë marrë gjithsej 1026 mostra për analizë. Sektori i Inspektimit të Ushqimit me Origjinë Jo-Shtazore ka marrë 220 mostra për analizë. Sektori i Sektori i Inspektimit të Ushqimit me Origjinë Shtazore, ka marrë 790 mostra për analizë. Sektori i Mbrojtjes së Bimëve dhe Inputeve Bujqësore ka marrë 16 mostra për analizë. Gjithsej, në çdo zonë të Qarkut Lezhë, prej AKU të këtij qarku janë bërë 400 certifikime për eksport. Janë marrë 53 masa administrative si gjoba, bllokime, pezullime, asgjësime, sekuestrime të veglave të punës etj. Është bërë monitorimi i qumështit lëndë e parë, monitorimi i stabilimentit të rritjes dhe zënies së midhjeve në gjirin e Shëngjinit (janë realizuar 179 analiza laboratorike në ISUV). Është bërë kontrolli dhe monitorimi i operatorëve të biznesit ushqimor për zbatimin e legjislacionit në aktivitetin e tyre në lidhje me ujin, vajin, bukën, miellin e grurit, ngjyruesit e bukës, kripën etj. Është bërë monitorimi i gjithë zonës turistike bregdetare e jo bregdetare, gjatë gjithë sezonit, me synimin për të parandaluar çdo praktikë jo ligjore në fushën e sigurisë dhe cilësisë së ushqimeve, duke garantuar konsumatorin për produktin që konsumon, me këtë bilanc kontrolli në total: janë bërë gjithsej 350 inspektime në restorante, njësi të tregtimit ushqimor, byrektore, furra buke, njësi të tregtimit të akulloreve, Fast-Food, magazina ushqimore, dyqane të tregtimit të peshkut, magazinë peshku, dyqane të tregtimit të mishit të freskët, të tregtimit të bulmetit etj. Gjatë vitit 2015 u asgjësuan i 2567 kg mish derri i ngrirë dhe 100 kg mish derri i freskët. Gjatë vitit 2015, është bërë asgjësimi i 180 kg djathë të bardhë. Gjatë vitit 2015, janë bllokuar 3 subjekte, për shkak se produkti i prodhuar prej tyre nuk plotësonte standardet e sigurisë ushqimore.
————————————————-
Deklaron Afrim Bakaj, Drejtor i Përgjithshëm i AKU të Shqipërisë
Pyetjes së gazetës “Telegraf”, se çfarë vlerëismi9 i bënë punës së AKU të Qarkut Lezhë për vitin 2015, zoti Afrim Bakaj, Drejtor i Përgjithshëm i AKU të Shqipërisë, ju përgjigj: “Në 2 vite, Drejtoria Rajonale e AKU të Qarkut-Lezhë, ka krijuar modelin e një institucioni modern funksional e efiçent, që kryen detyrën me profesionalizëm, guxim përkushtim dhe bashkëveprim me institucionet e tjera ligj-zbatuese lokale, ka një staf të përkushtuar që nuk njeh as orar e as tërheqje përpara abuzuesve, duke përmbushur detyrën që u ngarkon ligji. Në Qarkun e Lezhës kemi një AKU potencialisht vepruese, aktive dhe profesionale në kontrolle, të përkushtuar e të pa pajtueshme me shkelësit e ligjit, të cilët në fakt, me produktet që prodhojnë e tregtojnë janë rrezik për jetën dhe shëndetin e njerëzve. Nëse sot Qarku i Lezhës ka një AKU që kontrollon dhe nuk toleron, që në emër të ligjit përballet ashpërsisht me abuzuesit në prodhim, import, eksport e tregje, kjo është meritë e drejtuesit të kësaj drejtorie AKU-je, zotit Leke Prendi, njeriut që e njeh, që e vlerëson dhe e do këtë punë si profesionist dhe njeri i ndershëm. Leke Prendi, drejtuesi i përkushtuar dhe studiuesi e botuesi shkencor, specialisti dhe eksperti i mirënjohur në këtë qark e më gjerë e përjeton detyrën si gjithë konsumatorët që blejnë produkte në tregjet, të cilat AKU që drejton Leke Prendi ka detyrë t’i kontroll me imtësi për higjienën, gjurmueshmërinë, cilësinë, etiketat në gjuhët shpjeguese sipas ligjit, në mjediset ku kultivohen, tregtohen, magazinohen, përpunohen, prodhohen e transportohen. Është një AKU model, me një drejtues model, ndaj dhe po jap vlerësimin maksimal pozitiv për punën e bërë prej kësaj drejtorie rajonale si drejtim dhe unison i 17 punonjësve të saj. 
————————————————————-
Viti 2015/ Fakte nga puna inspektuese e AKU-Lezhë
1. Kuzhinat e restoranteve dhe hoteleve përsa i përket vijës bregdetare të Shëngjinit, Tales e Patokut, janë në gjendje jashtëzakonisht të mirë. Personeli që punon në këto kuzhina është i trajnuar, i licencuar dhe i pajisur me dëshmi përkatëse. 
2. Kuzhinat, fast-food dhe çdo produkt ushqimor që tregtohet në zonat turistike të Lezhës, cilësohet i sigurt, ndërsa apelohet ndaj pushuesve dhe turistëve, që të shmangin tregtarët ambulantë.
3. Të gjitha kuzhinat në kopshtet e çerdhet shtetërore dhe private në qarkun e Lezhës janë inspektuar deri më datën 30 shtator 2015. Po bashkëpunohet me pushtetin lokal, me Bashkinë e Lezhës dhe inspektoratin që t’i jepet sforco për krijimin e kushteve që kërkon siguria ushqimore
4. AKU kontrollon sistematikisht e me imtësi stabilimentet e përpunimit të peshkut që ushtrojnë aktivitet në zonën bregdetare të Shëngjinit, në të cilat primare kanë qenë kushtet e përgjithshme higjeno-sanitare në këto fabrika peshku, duke bërë të mundur eleminimin e problemeve të sigurisë së produkteve nga futja si lëndë e parë e deri tek paketimi dhe tregtimi në tregun vendas, apo në eksport dhe kjo rregullsi është arritur edhe me ndëshkime financiare e bllokime provizore sipas ligjit.
5. Në ditët e festave të fund-vitit 2015, AKU-Lezhë ka përgatitur dhe po zbaton planin e veprimit për inspektimin e të gjithë OBU që prodhojnë, përpunojnë, tregtojnë dhe shpërndajnë produkte ushqimore në të gjithë Qarkun e Lezhës.
6. Sipas Urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm të AKU të Shqipërisë, zotit Afrim Bakaj dhe planit të dërguar nga Drejtoria e Menaxhimit të Riskut e koordinimit të Inspektimeve në Drejtorinë e Përgjithshme AKU-Lezhë qysh në datën 21. 12. 2015, në bashkëpunim me Inspektoratin e Qeverisjes Vendore dhe Inspektoratin e Drejtorisë së Bujqësisë të Qarkut Lezhë, me 4 grupe pune po bën monitorime dhe po organizon kontrolle për garantimin e sigurisë ushqimore në të gjithë Qarkun e Lezhës.
7. Po funksionon struktura monitoruese “Taskë-Force”, nën drejtimin e institucionit të Prefektit, në zbatim të Ligjit 87/2012 “Për përcaktimin e kushteve për therjen e kafshëve dhe tregtimin e mishit të tyre”. 
8. Po monitorohen të gjithë akset rrugore, qendrat e qyteteve të Qarkut si Lezha, Shëngjini Laçi, Miloti, Rubiku e Rrësheni dhe periferitë e afërta të tyre në akset rrugore, për të verifikuar nëse ka therje në natyrë, apo nëse therjet kryhen në thertore të pa licencuara.
————————————————
Baza ligjore, mbi të cilën ka vepruar AKU e Qarkut Lezhë
1. Ligji Nr. 9863, datë 28. 01. 2008 “Për Ushqimin”(i ndryshuar) 
2. Ligji Nr. 10465, datë 29. 09. 2011 “Për Shërbimin Veterinar në Republikën e Shqipërisë”.
3. Ligji Nr. 10081, datë 23. 02. 2009 “Për licensat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”
4. Ligji Nr. 10433, datë 16. 06. 2011 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”
5. Ligji Nr 9362, datë 24.3.2005 “Për Shërbimin e Mbrojtjes së Bimëve dhe Inputeve Bujqësore”. 
6. Ligji Nr. 10416, datë 07. 04. 2011 “Për Materialin Mbjellës e Shumëzues Bimor”
7. Ligji Nr.10390, data.03. 03. 2011 “Për plehrat e Përdorimit për Bimësinë”
8. Ligji Nr 8411, datë 01. 10. 1998 “Për Ushqimet e Blegtorisë”, në praktikat e mira laboratorike Ligji Nr 87/2012 sipas Aktit Normativ Nr 4, datë 16/08/2012 “Për përcaktimin e rregullave për therjen dhe tregtimin e mishit të tyre” si dhe Rregulloret, Urdhrat dhe Udhëzimet e Ministrit të BZHRAU dhe Drejtorit të Përgjithshëm të AKU.
—————— ————————————–
Strategjia e detajuar e veprimtarisë AKU-Qarku Lezhë
1. Të vendosë bazat për sigurimin e mbrojtjes së shëndetit të njerëzve dhe interesat e konsumatorit, nëpërmjet zbatimit të kërkesave të përgjithshme e të veçanta të higjienës dhe sigurisë së ushqimeve.
2. Detyrimet e operatorit të biznesit të ushqimeve dhe ushqimeve për kafshë për zbatimin e këtyre rregullave të higjienës.
3. Kërkesave të përgjithshme për cilësinë e ushqimeve dhe etiketimin e tyre.
4. Kërkesave të përgjithshme për nxjerrjen në treg, kontrollit zyrtar të ushqimeve dhe ushqimeve për kafshë.
5. Menaxhimit të krizave, përcaktimit të riskut, vlerësimit dhe analizimit të tyre si dhe gjurmueshmërisë së ushqimeve, ushqimeve për kafshë dhe operatorëve të biznesit ushqimor.
6. Përcaktimit të praktikave të mira të punës dhe implementimit të sistemit të autokontrollit(HAÇP) në stabilimentet e prodhimit,përpunimit të ushqimeve dhe ushqimeve për kafshë.
7. Sigurimit të zbatimit të masave shëndetësore veterinare për produktet e prodhuara në fermë,lëndët e papërpunuara,kullotat,ujin dhe vendet e pirjes së ujit për kafshët.
8. Parandalimit të hyrjes së parazitëve në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe dëmeve që vijnë nga përdorimi i PMB-ve
9. Përcaktimit të rregullave për sigurimin e cilësisë së materialit mbjellës dhe shumëzues bimor,për mbështetjen e prodhimit bujqësor,mbrojtjen e mjedisit dhe të konsumatorit
10. Parandalimin e çdo praktike tjetër që orienton në mënyrë të gabuar konsumatorin. 
———————————————————
Ja 10, nga 20 objektivat e AKU e Qarkut Lezhë, për vitin 2016
1. Të dyfishojë numrin e OB që implementojnë sistemin e kontrollit (HAÇP) dhe te ndikojme qe te gjithe OBU te jene te rregjistruar si tatim pagues.
2. Të zbatojë me përpikmeri planin e punës (i cili bazohet në riskun që paraqesin OBU) të miratuar nga Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të AKU Tiranë.
3. Të disiplinojë tregun e mishit të freskët dhe therjet e kafshëve të gjalla në mbarë Qarkun e Lezhës, sipas legjislacionit për sigurinë ushqimore dhe Aktit Normativ Nr 4. data 16. 08. 2012
4. Të arrijë monitorimin e plotë të qumështit lëndë e parë.
5. Të bëjë cdo ditë hedhjen e të dhënave nga inspektimet, kontrollet apo monitorimet në sistemin e të dhënave “AKU-net”,si dhe azhornimin e tyre.
6. Të bëjë që AKU të njihet nga konsumatori Lezhjan për objektin, qëllimin dhe vizionin e punës së tij, nëpërmjet punës së palodhur dhe profesionale të stafit dhe timen personalisht, trajnimeve dhe eksperiencave pozitive brenda e jashtë vendit.
7. Të tregojë nivel shumë të lartë profesional,në trajtimin e situatave të emergjencës dhe menaxhimin e krizave, në sferën e sigurisë ushqimore, me qëllim mbrojtjen e konsumatorit.
8. Të zgjerojë nivelet e bashkëpunimit me institucione të tjera me kontribut në sigurinë ushqimore, për garantimin e një niveli të lartë të sigurisë ushqimore për popullatën.
9. T’i jap asistencë teknike dhe mbështetje biznesit, sa herë që kërkohet nga ai, duke respektuar legjislacionin në fushën e sigurisë ushqimore.
10. Të bëjë të mundur, krijimin e databaze për çdo sektor, që në çdo rast të ketë në kohë rekord dokumentacionin që kërkohet. 
Sigal